E diel, 22 Maj, 2022

PSIKOLOGJIA E TURMAVE: TENSIONET MIDIS “BALLISTËVE” DHE “SHVERCERËVE” NË PRIZMIN E EKSPERTËVE  

Ali Pajaziti: Shkupi e Tetova duhet të kenë rivalitete pozitive, në sferën e arsimit, kulturës, artit, jo dhunës dhe kundërkulturës.

Arben Ratkoceri: Incidentet në ndeshjen futbollistike në Tetovë në derbin shqiptar të Maqedonisë së Veriut mes Shkëndijës dhe Shkupit kampion, nuk duhet të na habisin sespe stadiumet nuk janë Akademi të Shkencave apo Teatro të Operës dhe Baletit.

 

Shkruan: ELJESA DERVISHI

 

Gustav Le Bon dhe Sigmund Freud janë dy psikologët që kanë krahasuar sjelljet e njerëzve si individë dhe në turmë. Rezultati ka qenë se një individ i kulturuar dhe edukuar shpesh transformohet në pjesë të një turme agresive.

Incidentet që ndodhin midis tifo-grupeve të klubit të futbollit “Shkendija” nga Tetova dhe “Shkupi” nga Shkupi  sociologët i shpjegojnë me definicionet e le Bon dhe Freud.

Sipas sociologut Ali Pajaziti, agresiviteti tifozerik paraqet pjesë të “subkulturës sportive” që në fakt bie ndesh me frymën e sportit që në esencë është garë dhe miqësi.

“Agresiviteti tifozerik paraqet pjesë të “subkulturës sportive” që në fakt bie ndesh me frymën e sportit që në esencë është garë dhe miqësi, ose punë që përbën aktivitet që plotëson vijën kryesore të jetës e jo çështje për të cilën “jetohet e vdiset”. Për fat të keq sporti dita ditës po krijon tribalizma post-modernë, theksim të ndjesisë “ne” dhe “ata”, ku këta të dytët perceptohen si kundërshtarë, madje edhe si “armiq”. Sociologjia e sportit i fokuson edhe këto fenomene kundërkulturore juvenile që sjellin dhunë që mund të kalojë përtej kontrollit, që mund ta trondisë shoqërinë, në veçanti kur lidhen me ndjesi i nacionalizmi dhe raca, këtu tek ne me lokalizma të tipit “shkupjan”-“tetovar” që janë krejtësisht të pakupimta dhe absurde. Si duket tifo grupet edhe kur s’ka, do të gjejnë një arsye për të shprehur ndjesinë violente dhe për të zbrazur energjinë e akumuluar negative”, tha Pajaziti për KDPolitik.com. 

Ai shtoi se “është e çuditshme që në vend të konkurrencës për të rritur cilësinë e sportit prodhohet animozitet që ka për bazë qasje të ulët, mendjengushtësi dhe tendosje brendapërbrenda një komuniteti që deri dje ishte kurban i dhunës etatiste dhe i formave të tjera”. 

“Këtë formë të besnikërisë sportiv mund ta quajmë mikro-fundamentalizëm klanor kundërkombëtar. Vetë emërtimet e grupeve tifozerike gjithandej tregojnë edhe përmbajtjen e diskursit dhe aksioneve të tyre (“Red Devils”/Djajtë e Kuq, “Ultras”/Fanatikët, “Psychos”/Psikopatët, “Headhunters”/Gjahtarët e kokave, “Firestarters”/Ndezësit e zjarrit,  “Bad Blue Boys”/Djemt e këqinj të kaltër, “Grobari” /Varrmihësit, “Komiti”). Këto “komunitete” apo “fan clubs” festivalin sportiv e shndërrojnë në arenë të goditjeve fjalësore dhe të gladiatorëve, në shëmti që mund të jetë gjithçka vetëm sport jo. Shkupi e Tetova duhet të kenë rvalitete pozitive, në sferën e arsimit, kulturës, artit, jo të dhunës dhe të kundërkulturës. Imagjinoni vetëm katër ditë pas bajramit, dy qytetet konservatore, me fetarinë ndoshta më të lartën në Ballkan, janë në gjendje të bëjnë veprimet më të pahijshme, që proshin vëllazërinë e pasosur, e përhershme”, deklaroi Pajaziti.

Analisti dhe botuesi i gazetës KOHA, Arben Ratkoceri, për KDPolitik.com deklaroi se në të gjithë botën rivaliteti në sport brenda llojit është edhe më i ashpër. Ai thotë se incidentet në ndeshjen futbollistike nuk duhet të na habisin sepse stadiumet nuk janë Akademi të Shkencave apo Teatro të Operës dhe Baletit.

“Në gjithë botën rivaliteti në sport brenda llojit është më i madh dhe më i ashpër andaj edhe ne nuk jemi ndryshe. Incidentet në ndeshjen futbollistike në Tetovë në derbin shqiptar të Maqedonisë së Veriut mes Shkëndijës dhe Shkupit kampion, nuk duhet të na habisin sespe stadiumet nuk janë Akademi të Shkencave apo Teatro të Operës dhe Baletit. Ky rivalitet duhet të shihet pak sa edhe me sy pozitiv sepse rrit kualitetin edhe jo rastësisht shqiptarët në Maqedoni si askush tjetër dominojnë në futball, gjithnjë  nëse nuk kalon në dhunë”, u shpreh Ratkoceri.

Gjithashtu, ai shtoi se nuk shikon ndonjë rrezik nëse nuk eskalon në dhunë ku atëherë organet përgjegjëse duhet të merren më seriozisht në atë ë problemet ti zgjedhin në bazë të modeleve të shteteve perëndimore që janë ballafaquar me situata të tilla.

“Nuk shoh ndonjë rrezik serioz nëse nuk eskalon në dhunë ku atëherë organet përgjegjëse duhet të merren më seriozisht në atë që problemet ti zgjedhin në bazë të modeleve të shteteve perëndimore që janë ballafaquar me situata të tilla. Nuk ka ambient, por as masë kritike për dhunë të pa kontrolluar e ato sporadike çdo herë do jenë prezente jo vetëm në sport por edhe fusha tjera sepse individ dhe grupe minore të papërgjegjëshme ka gjithëandej”, tha Ratkoceri.

Ndryshe, këtë të dielë në Tetovë është mbajtur ndeshja e futbollit mes Shkëndisë dhe FC Shkupit. Sapo autobusi i Shkupit ka mbërritur para stadiumit, pjestarët e skuadrës mike janë sulmuar me fishekzjarrë, ku si pasojë është goditur futbollisti i ri i Shkupit, Anid Abazi, si dhe pjesëtari i stafit, Harun Zejneli. Në ndeshjen paraprake në Shkup viktima të sulmeve nga tifo-grupet ishin lojtarët dhe stafi i “Shkëndijës”.

 

Të fundit