E diel, 22 Maj, 2022

TË FESTOSH “DITËN E EVROPËS” PA PERSPEKTIVË EVROPIANE

Edhe Shkupi dhe Tirana sot shënuan 9 Majin – Ditën e Evropës, me shpresë se do të hapen perspektivat evropiane edhe për to. Tentimi që të shfrytëzojnë momentumin me luftën në Ukrainë, duke e paraqitur integrimin në BE edhe si interes të sigurisë, duket se është lexuar menjëherë nga Brukseli.

Shkruan: Xhelal Neziri 

 

Qershori i vitit 2016 solli goditjen më të madhe ndaj BE-së – suksesin e referendumit për braktisjen e BE-së, apo Brexit. Pas këtij momenti BE-ja nuk është më e njëjtë.

Shpejtësia e zgjerimit u ngadalësua pasi Britania ishte një nga shtyllat kryesore të BE-së. Iu bashkua Unionit në vitin 1975 njëlloj nëpërmjet referendumit, kur mbi 67 për qind votuan për anëtarësimin. Pas katër dekadash Britania dhe BE vazhduan në rrugët e tyre. Në Britani raportohen probleme bazike, si mungesë karburantesh apo shoferësh, kurse në BE është krijuar një boshllëk që e bën këtë strukturë më pak efikase kur bëhet fjalë për strategjinë e zgjerimit, e rrjedhimisht edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ka kohë që kërkojnë shans, pra fillim të procesit të negociatave për bashkëngjitje në BE, si projekt që solli paqe dhe zhvillim për më shumë se shtatë dekada te anëtaret e saja. Të dyja vendet sot shënuan 9 Majin – Ditën e Evropës, me shpresë se do të hapen perspektivat evropiane edhe për to.

Por, Ballkani Perëndimor assesi se nuk mund të paraqesë zëvendësim të Britanisë brenda Unionit. Ky rajon problematik së bashku ka një prodhim bruto vendor sa gjysma e Rumanisë dhe ka një popullsi sa një e katërta e Gjermanisë. Nëse kësaj i shtohen edhe problemet e shtresuara me funksionimin e brendshëm të institucioneve demokratike dhe ato që kanë të bëjnë me fqinjët, atëherë mungesa e interesit që BE të përfshijë këtë pjesë të kontinentit në strukturën e saj duket mjaft i logjikshëm. Unioni ka mjaftueshëm probleme të brendshme, ku emigrantët vazhdojnë të forcojnë strukturat politike të ekstremit të djathtë dhe të majtë në Francë, Holandë, Danimarkë e gjetiu.

Përderisa Ballkani Perëndimor nuk është i gatshëm të zgjidhë mosmarrëveshjet ndërfqinjësore, kjo do të pamnudësojë zhvillimin ekonomik, gjë që në fund do të prodhojë më shumë emigrantë në Evropën Perëndimor.

Tentimi i Shkupit dhe Tiranës zyrtare që të shfrytëzojnë momentumin me luftën në Ukrainë, duke e paraqitur integrimin në BE edhe si interes të sigurisë, duket se është lexuar menjëherë nga Brukseli. Lufta në Ukrainë mund të ekspozojë ndaj rrezikut rus vendet që s’janë pjesë e NATO-S, por kjo nuk ka lidhje me BE-në. Brenda familjes evropiane madje ka mendime të ndryshme se çfarë qasje duhet të kenë ndaj Rusisë, edhe pse të gjithë anëtarët e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës.

Në këtë periudhë të frikës nga ajo që do të sjellë lufta në Ukrainë, Ballkani Perëndimor duket se ka kuptuar porosinë se duhet të presë kohë më të mira për integrim. Në samitet e fundit BE-Ballkani Perëndimor gati sa nuk është hequr tërësisht termi “perspektivë evropiane”. Vetot për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duket se më shumë burojnë nga paaftësia dhe frika e zgjerimit sesa nga pengesat dypalëshe apo nga mungesa e reformave. Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë filluar negociatat e anëtarësimit që në vitin 2013, nuk kanë arritur të mbyllin as një të katërtën e 35 kapitujve. Tetë vite më pas, në Beograd dhe Podgoricë, madje ka kthim prapa në përmbushjen e standardeve.

Sidoqoftë, BE-ja për Ballkanin është e pa alternativë. Jo vetëm që ky rajon i përket kontinentit të Evropës, apo ka interes të jetë pjesë e ekonomisë më të fuqishme në botë, por integrimi evropian do të thotë një vetëdije tjetër civilizuese, do të thotë vlera, do të thotë demokraci, liri, barazi, dinjitet njerëzor, humanizëm dhe solidaritet. Këto vlera kanë sjellë paqe e lulëzim ekonomik në 72 vitet e fundit në BE.

Ish-politikani irlandez, John Bruton, e ka dhënë definicionin më të mirë për Bashkimin Evropian, kur ka thënë: “Bashkimi Evropian është shpikja më e suksesshme në botë për avancimin e paqes.”

Të fundit