E diel, 26 Qershor, 2022

BERLIN: KANCELARI GJERMAN PRET KURTIN DHE VUÇIQIN

Kancelari Scholz theksoi në takimet me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë se Ballkani Perëndimor bën pjesë në Evropë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të anëtarësohen në BE. Ai ka thënë, transmeton KDP, se Kosova e Serbia duhet ta zgjidhin gradualish konfliktin mes tyre. Vuçiq e Kurti, ndërkaq  kanë lënë përshtypjen e zbutjes së qëndrimeve të tyre përsa i përket vazhdimit të dialogut.

Kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi të mërkurën në Berlin takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Në konferencën e përbashkët të shtypit, pas takimit me kryeministrin Kurti, Scholz ritheksoi se Ballkani Perëndimor bën pjesë në Evropë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të anëtarësohen në BE.

Scholz tha se në sfondin e ngjarjeve në Ukrainë është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia ta zgjidhin gradualisht konfliktin mes tyre. Në këtë mënyrë ato do të jepnin një kontribut për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Ballkan por në të gjithë Evropën.

Scholz tha se i kërkuar Kurtit që të mbajë qëndrim konstruktiv në procesin e dialogut dhe, sipas tij, nga një marrëveshjeje mes të dy vendeve do të përfitonte i gjithë Ballkani Perëndimor, sepse parakushti më i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe perspektiva për të rinjtë është stabiliteti dhe siguria.

Ai tha se marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen reciproke:

‘Objektivi i dialogut të Brukselit (midis Kosovës dhe Serbisë) është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, që u hap të dyja vendeve perspektivën e (anëtarësimit në) Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal,’ – deklaroi Scholz.

Kryeministri Albin Kurti i tha se Kosova është ‘proaktive dhe konstruktive’ në dialog dhe se po bën propozime që janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian:

‘Ne jemi të përkushtuar për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë,’– nënvizoi Kurti

Pas takimit me Kurtin kancelari Olaf Scholz, po të mërkurën, ka biseduar  edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Mikpritësi gjerman ka siguruar presidentin serb se procesi i pranimit të Serbisë në BE do të mbështetet intensivisht nga Gjermania, por për këtë Serbia duhet të vazhdojë rrugën e reformave – mbi të gjitha në çështjet e shtetit të së drejtës, lirisë së medias dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Presidenti serb, nga ana e tij, ka deklaruar se Serbia  do të bëj çmos që ‘të shkohet drejt zgjidhjes kompromise’:

‘Besoj se do të kemi forcë që të arrijmë një përparim të caktuar në raport me Prishtinën në dialogun që për ne nuk është i lehtë. Këtë ia thash kancelarit Scholz dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ne do të japim gjithçka nga vetja që të shkojmë drejt zgjidhjes kompromise, por këto zgjidhje nuk mund të jenë vetëm dëshira tonat,’- tha Vuçiq pas takimit me kancelarin gjerman.

Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se  Vuçiq e Kurti kanë pasur një takim të përbashkët me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe kjo i jep një peshë të veçantë  vizitës së tyre në Berlin. Radioja  gjermane tha të enjten se me me vizitën e presidentit serb dhe të kryeministrit kosovar kancelari i ri gjerman kreu  ‘detyrën e parë të madhe ballkanike’.

Kancelari Scholz ka paralajmëruar se së shpejti do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin si dhe mbajtjen në vjeshtë të një konferenceje të re për Ballkanin Perendimor në kuadrin e Procesit të Berlinit./KDP/

 

Të fundit