E diel, 22 Maj, 2022

Mediet proruse serbe janë gazi jashtë tubave, që po e djeg lirinë edhe përtej Ukrainës

Gënjeshtra ruse se virusi AIDS është prodhuar në laboratorët amerikanë, së pari ishte botuar në një gazetë indiane prosovjetike (proruse), e quajtur “Patriot” në vitin 1983. Dy vite më vonë, duke iu referuar këtij shkrimi, rusët e nisën fushatën për ta diskredituar SHBA-në. Gjithë këtë operacion dezinformues, të quajtur më vonë si “Infection” e kishte udhëhequr KGB-ja nga Moska.

 

Shkruan: Gynen Venhari

 

Duke pasur nevojë që t’i kundërvihet disi akuzave të shteteve demokratike për agresionin rus në Ukrainë, Kremlini kërkon aleatë, dhe veçmas mediet e aleatëve.

Duke iu referuar medieve të aleatëve, si në rastin e AIDS-it, mediet e Putinit, krijojnë narracione të tjera të rrejshme ndaj luftës në Ukrainë.

Në këtë drejtim, mediet e kontrolluara qeveritare të Serbisë dhe shumë medie të tjera serbe në Ballkanin Perëndimor, po e luajnë rolin e tyre të rëndësishëm për ta përforcuar zërin e Kremlinit ndaj luftës së Ukrainës. Ato janë bërë amplifikator shumë i përdorshëm për mediet e Putinit.

Serbia, përveç që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë, ajo po e ndihmon Kremlinin në atë që ka ai nevojë më së shumti. Mediet e kontrolluara nga Aleksandar Vuçiqi janë ndihma më e madhe që i nevojitet Rusisë nga “vëllai i vogël serb”.

Teknikisht, Putini, për ta mbajtur popullin rus të qetë dhe jokundërshtues ndaj regjimit të tij, e ushqen atë me narracion të rrejshëm, jo vetëm për luftën e Ukrainës, por për çdo politikë të pushtetit të tij.

Për ta mbajtur të droguar popullin rus, Kremlinit i duhet që narracionin e tij, ta pasqyrojë edhe përmes një zëri tjetër, një zëri jo rus.

Dhe ky zë përforcues, ashtu siç i duhet Putinit, më së shumti i vjen nga Serbia. Një zë i tillë vjen edhe nga mediet e kontrolluara kineze, siç tha një hulumtim i Departamentit Amerikan të Shtetit. Por, kur është fjala për t’iu referuar medieve joruse, çfarë rëndësie ka për Kremlinin, nëse i referohet një medie serbe apo kineze?

Për ta pasur sa më të besueshme këtë mbështetje mediale serbe, Kremlini dhe shërbimet e inteligjencës ruse, kanë investuar në Serbi shumë herët. Mbështetja e medieve serbe për Rusinë, nuk është vetëm në raport me Ukrainën.  Ajo është e hershme. Së paku, që nga koha kur mediet i kontrollon Aleksandar Vuçiqi.

Qëllimi i Kremlinit për ta mashtruar popullin rus me narracion të rrjeshëm në raport me luftën në Ukrainë, nuk ka rëndësi nëse autori është i njëjti – pra shërbimet e inteligjencës ruse. Qëllimi është që narracionin e rrejshëm rus, ta shpërndajnë sa më shumë medie joruse. Që harta gjeografike prej nga vijnë këto medie përkrahëse, të jetë sa më e gjerë.

Së këndjmi, serbët ia kanë ofruar mbështetjen më të madhe Putinit. Përveç medieve nga Serbia, ka medie të shteteve të tjera ballkanike që e përkrahin agresionin rus. Nuk ka rëndësi se ato janë nga e njëjta kuzhinë – nga Beogradi. Rëndësi ka se rritet lista e medieve ku referohen mediet e Putinit.

Çfarë rëndësie ka nëse mediet nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova apo Mali i Zi janë serbe dhe janë të kontrolluara nga Vuçiqi? Rëndësi ka që ato të deklarojnë njëjtë sikurse “Sputnik” se “Buça ishte sajesë ukrainase”, siç deklarojnë se “Reçaku ka qenë sajesë e UÇK-se dhe e NATO-s”.

Rëndësi ka që narracionin rus ta thonë sa më shumë medie që vijnë nga sa më shumë shtete.

Në këtë kuptim, serbët, dhe veçmas Aleksandar Vuçiqi, duke i kontrolluar mirë mediet serbe të Beogradit, dhe disa medie serbe që i financon në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë e Mal të Zi, ia bëjnë shërbimin më të madh Vladimir Putinit.

Duke cituar mediet serbe, kineze apo të ndonjë vendi tjetër jo demokratik, p.sh. medie siriane të kontrolluara nga diktatori Bashar Al Assad, Kremlini ia del që ta mbajë popullin rus të mashtruar në raport me Ukrainën.

Në këtë formë, krijohet një qark i gjerë citimesh, pavarësisht se zëri i atyre që flasin është i njëjti. Autori është i njëjti. Autori gjendet në Moskë, ani pse shkrimi si tillë mund të botohet në Beograd, Pekin apo Damask; në Banjallukë të Bosnjës, Zveçan të Kosovës apo diku në një qytet të Malit të Zi.

Në Serbi ka shumë medie që janë nën kontrollin e Vuçiqit. Të gjitha këto, janë në shërbim të narrracionit të Kremlinit për Ukrainën. Në fakt, ato më shumë i shërbejnë narracionit të Kremlinit sesa interesit nacional serb. Tabloidet beogradase “Informer”, “Novosti”, “Objektiv”, “Vesti”, “Srpski Telegraf”, “Alo”, “Kurir”, “Politika” etj., pastaj shumica e televizoneve serbe, qindra medie online dhe qindra-mijëra profile të rrejshme sociale (trolls & bots), janë ushtria më e dobishme serbe që mund t’i ndihmojë Vladimir Putinit, jo vetëm në luftën kundër Ukrainës.

Në Kosovë, ku serbët përbëjnë më pak se 8% të popullatës, ka disa medie online, që varen nga financimi që iu vie nga Beogradi. P.sh. “Kosovo-Online”, është një media që përveç që transmeton lajme proruse, ajo shpeshherë citohet nga mediet e kontrolluara të pushtetit në Moskë.

Në BeH, media serbe e quajtur “Glas Srpske”, përfaqëson hapur interesat e Kremlinit. Ambasada ruse në këtë vend, boton shpesh kolumne në mediet serbe në BeH. “IN4S”nga Mali i Zi ka dërguar edhe reporter në mesin e luftëtarëve rusë në Ukrainë.

Nëse grupi paramilitar rus i Prigozhinit i quajtur “Ëagner” ngarkohet për krime monstruoze në shumë vende, atëherë edhe grupi i rrjetit dezinformues të medieve proruse kryen krime të njëjta, por nga të cilat nuk ka gjak.

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Jozef Borell, i kishe quajtur mediet ruse “pjesë përbërëse e agresionit në Ukrainë”. Ai kishte deklaruar se, “lufta nuk ka të bëjë vetëm me bombardimin e banesave, infrastrukturës dhe njerëzve, por edhe me bombardimin e mendjes dhe shpirtit të njerëzve.

Për dallim nga operacioni “Infection”, në të cilin u shpif se SHBA kishte krijuar virusin AIDS në laborator për të vrarë njerëzit, i cili kishe zgjatur 2 vjet deri në përpjekjen finale sovjetike që ta diskreditojë SHBA- në, sot mediet amplifikuese serbe e ndihmojnë Kremlinin LIVE.

Në epokën e internetit, për makinerinë dezinformuese ruse është tejet e lehtë që të lansohen zëra kundër Ukrainës, por edhe kundër NATO-s, ashtu si edhe kundër Kosovës, nga cilado media serbe.

Në kuadër të përcaktimit të rrugës së saj, Serbia duhet urgjentisht të mësohet të flasë. Nuk bëhet fjalë këtu për “lirinë e shprehjes”. Fjala e medieve serbe është tjetër. Ajo është fjalë që bombardon Ukrainën në radhë të parë.

Fjala e medieve serbe është fjalë e thënë nga truri i Putinit, nga kuzhina e tij dezinformuese, që për qëllim nuk e ka thjesht një dezinformim, por ka qëllim që ta vrasë popullin ukrainas; ta vrasë ndoshta nesër një popull tjetër; ta vrasë prej së vërteti politikën liberale evropiane, dhe mbi të gjitha ta vrasë mendjen kritike të popullit rus.

Prandaj, këto medie serbe duhet të sanksionohen, së paku, si mediet e kontrolluara nga vet Putini!

Më shumë dëm i bëjnë lirisë së Ukrainës dhe Evropës mediet serbe sesa fakti nëse Serbia furnizohet ose jo me gazin rus.

Fundja, gazi rus përdoret në Serbi për ngrohje, kuse mediet proruse serbe janë një gaz jashtë tubave, që po djeg lirinë dhe jetën demokratike!

 

Teksti fillimisht është botuar në The Geopost

Të fundit