E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Ukraina mohon të ketë sulmuar depozitat e karburantit brenda Rusisë

Rusia akuzoi të premten Ukrainën për kryerjen e një sulmi ajror kundër një depozite karburanti që ndodhet në qytetin rus Belgorod. Kremlini tha se incidenti mund të ndikojë në bisedimet e paqes. Por një zyrtar i lartë ukrainas për çështje të sigurisë hodhi poshtë pretendimet se ky sulm mund jetë kryer nga Kievi.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se dy helikopterë ukrainas goditën objektin në Belgorod, pasi hynë në Rusi në një lartësi jashtëzakonisht të ulët rreth orës 5 të mëngjesit me orën e Moskës. Depozitat ndodhet rreth 35 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën.

Por një zyrtar i lartë për sigurinë në Ukrainë hodhi poshtë akuzat. Kjo është akuza e parë për një sulm ajror që dyshohet të jetë kryer nga Ukraina që kur Moska nisi sulmin ndaj këtij vendi më 24 shkurt. Belgorodi është një nga qendrat kryesore logjistike të Rusisë për luftën.

Ata thonë se ishin ne që e bëmë një gjë të tillë, por sipas informacioneve tona kjo nuk përputhet me realitetin“, tha Sekretari i Këshillit të Sigurisë Oleksiy Danilov për televizionin kombëtar ukrainas.

Më herët, zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës Oleksandr Motuzyanyk tha se ai as nuk mund ta konfirmonte dhe as ta mohonte përfshirjen e Ukrainës në një incident të tillë.

Ukraina aktualisht po kryen një operacion mbrojtës kundër agresionit rus në territorin e saj dhe kjo nuk do të thotë se Ukraina është përgjegjëse për çdo katastrofë në territorin e Rusisë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Presidenti Vladimir Putin ishte informuar për incidentin. Ai tha se sulmi mund të rrezikojë negociatat e paqes mes Moskës e Kievit.

Sigurisht që kjo nuk mund të shihet si krijimi i kushteve të duhura për vazhdimin e bisedimeve“, tha zoti Peskov, duke shtuar se po bëhej gjithçka për të parandaluar ndërprerjet në furnizimin me karburant në qytet.

Pamjet e kamerave të sigurisë së depozitës, të verifikuara nga Reuters, treguan një dritë të shpejtë, të një objekti fluturues që dukej të ishte një raketë e lëshuar nga një lartësi e ulët, ndjekur nga një shpërthim në tokë.

Guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov tha se zjarri i shkaktuar nga goditja plagosi dy punëtorë dhe detyroi evakuimin e disa banorëve lokalë. Zjarri më vonë u vu nën kontroll, tha ai.

Firma ruse e naftës Rosneft ROSN.MM, e cila zotëron depon e karburantit, tha në një deklaratë të veçantë se askush nuk u lëndua nga zjarri. Ministria ruse e mbrojtjes tha se objekti ishte ekskluzivisht për përdorim civil.

Të fundit