E diel, 26 Qershor, 2022

AKADEMIKËT MAQEDONAS: REGJISTRIMI – FITORE GJITHËSHQIPTARE!

Shpallja e rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të pasohet me debate të nxehta. Qarqe politike dhe akademike maqedonase nuk e fshehin pakënaqësinë me faktin se shqiptarët rezultuan shumë më tepër nga parashikimet e tyre. KDP transmeton se akademiku maqedonas Bozhin Pavlovski, i cili jeton dhe punon në Australi, në një deklaratë për portalin MKD.mk thotë se diaspora asnjëherë më parë nuk është përfshirë në regjistrimet e popullsisë të Republikës së Maqedonisë. Për Katica Qulavkovën, po ashtu anëtare e Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve, ky regjistrim është një tjetër tregues se maqedonasit janë ‘në fazën përfundimtare, terminale, të shuarjes së shtetit kombëtar maqedonas dhe të delegjitimimit të kombit maqedonas’.

Pavlovski, duke folur nga Australia për portalin maqedonas ka nënvizuar dhe kritikuar rolin e lidershipit shqiptar për mbarëvajtjen e regjistrimit: “Tani kjo u zbatua me angazhimin e madh të Ali Ahmetit, i cili së pari siguroi  kornizë ligjore. Dhe, kur erdhi koha për veprim në terren, në fushatë, krahas tij morën pjesë presidenti i Shqipërisë, kryeministri i Kosovës, kryesisht me mesazhe televizive. Këto xhirime mund t’i gjeni edhe sot në YouTube. Megjithatë, kryesorë në fushatë ishin zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani, të cilët personalisht vizituan disa vende me një diasporë më të madhe shqiptare. Ata me siguri nuk kanë qëndruar atje me shpenzimet e veta, por në llogari të taksapaguesve. Sipas disa bashkëpunëtorëve të së përjavshmes australiano-maqedonase, në terren kanë qëndruar edhe shumë emisarë me laptopë në çantat e tyre.

I gjithë ky aktivitet atyre u rezultoi me sukses të madh. Ali Ahmeti nuk e fsheh kënaqësinë. Përndryshe, në vendet si Australia (e cila për nga territori është sa Evropa) një sukses i tillë është i pamundur pa një fushatë të fuqishme dhe të mirëorganizuar.

Më kujtohet kthesa që e bënë veprimtarët tanë të mëdhenj rreth 50 vjet më parë. Ata me muaj udhëtuan me anije për të mbajtur më pas tubime masive, inkurajuan mërgimtarët tanë të ndërtonin tempuj, qendra kulturore dhe sociale të tyre, mbajtën ligjërata për kultivimin e gjuhës, të traditave. Si rrallë ndonjë tjetër, diaspora maqedonase në vendet tejoqeanike ia doli të ngritet ndër më të mirat. Dhe numerikisht nuk është e vogël. Nga regjistrimet zyrtare në Australi dalin rreth 100 mijë maqedonas. Fatkeqësisht, ata mungojnë në regjistrimin e bërë nga Republika e Maqedonisë,” – transmeton KDP deklaratën e akademikut Bozhin Pavlovski për portalin MKD.

Edhe shkrimtarja Katica Qulavkova, e cila po ashtu është anëtare e MANU-së, ka shkruar në profilin e saj në Facebook se kjo është një farsë nga regjistrimi i popullsisë në regji të, është shprehur ajo, parashtetit të Maqedonisë së Veriut:  “Ky është një krim politik, kombëtar, juridik dhe moral i paprecedentë në historinë evropiane. Ky regjistrim është një tregues tjetër se jemi në fazën përfundimtare, terminale, nga shuarja e shtetit kombëtar maqedonas dhe delegjitimimi i kombit maqedonas. Ky është një akt kaotik, tragjikomik, i kundërligjshëm. Iu bëhet padrejtësi maqedonasve si popull, por edhe turqve, serbëve, boshnjakëve, vllehëve, romëve maqedas… Nëse ndiqet “rruga e parave” (dmth. rruga e pushtetit dhe mbipushtetit), është lehtë të përcaktohen motivet dhe kreatorët e kësaj farse. Ata që posedojnë rezultatet e regjistrimit të vitit 2011 le t’i bëjnë publike dhe do të shihet përmes krahasimit se si është bërë regjia e këtij regjistrimi barbar. Faktet nga regjistrimi i panjohur dhe i penguar i para 10 viteve, do të dëshmojnë se pse u jepet legjitimitet politikave jolegjitime, pse paralajmërohet mbështetja ndërkombëtare për diçka që duhet të jetë objekt i kritikës dhe dënimit të ashpër. Nën pretekstin e vlerave evropiane, në Maqedoni po zbatohen politika joevropiane. Unë nuk e pranoj këtë regjistrim të rrejshëm. Ai është edhe një provë se në Maqedoni po zhvillohet një luftë unikate dhe e pamëshirshme,”- ka shkruar akademikja Qulavkova e cila, si dhe kolegu i saj Pavlovski, është e njohur për qëndrime antishqiptare./KDP/

 

Të fundit