E mërkurë, 17 Gusht, 2022

SELA PARALAJMËRON FITORE TË ASH-SË, ARIFI: ZGJEDHJA ËSHTË JOLEGJTIME

Pas rizgjedhjes në krye të ASH-së, Zijadin Sela ka theksuar se e në zgjedhjet e ardhshme, Aleanca për Shqiptarët do të dalë fituese dhe se suksesin e deritanishëm të kësaj partie në nivel republikan dhe komunal, do të rrisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat siç tha, do të punojë që të realizohen sa më shpejtë. Rizgjedhja e Selës është kontestuar nga Latif Arifi,  njëri nga themeluesit e Lëvizjes për Reforma në PDSH, i cili ka theksuar se ky është kongresi i tretë i ASH-së dhe se rizgjedhja, sipas tij, është jolegjitime. Kongresi i ASH-së ka miratuar një deklaratë politike me të cilën vendosen koordinatat e funksionimit politik të partisë

Shkruan: Enis Shaqiri

Kongresi i dytë i ASH-ës ka zgjedhur Ziadin Selën edhe për një mandat në krye të kësaj partie. Nën moton “Zgjidh të ardhmen” mbi 1600 anëtarë të ASH-së, me nënshkrimet e tyre kanë propozuar Ziadin Selën për kryetar të partisë. Ndryshe, Sela në garë nuk ka pasur kundërkandidat.

Kryetari i rizgjedhur, Zijadin Sela, ka theksuar se e në zgjedhjet e ardhshme, Aleanca për Shqiptarët do të dalë fituese, dhe se suksesin e deritanishëm të kësaj partie në nivel republikan dhe komunal, do të rrisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat siç tha, do të punojë që të realizohen sa më shpejtë

“Do të fitojë Aleanca për Shqiptarët bashkë me shqiptarët, bashkë me subjektet e tjera politike me të cilat mendon që është bërë gjithçka e tepërt dhe shqiptarët do të duhet të hapin një kapitull të ri”,
tha Sela

Kongresi i ASH-së, gjithashtu ka miratuar një deklaratë në të cilën mes tjerash thuhet se “Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet për t ’iu ofruar qytetarëve një projekt të ri politik i cili ka për synim vendosjen e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, si dhe zbatimin e politikave që kultivojnë dhe investojnë në kapitalin njerëzor, si parakushte themelore për të zhvilluar shoqëri të shëndoshë, materializuar perspektivën evropiane të vendit dhe ndërtuar ekonomi konkurruese, që na mundëson të mbajmë rininë tonë në vendlindje”.

Aleanca për Shqiptarët, thuhet në këtë deklaratë, do të avancojë rendin kushtetues dhe juridik për të siguruar përputhjen e tij me realitetin politik, shoqëror dhe ekonomik, përfshirë reformën zgjedhore, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, adresimin e padrejtësive juridike dhe gjyqësore, zyrtarizmin e plotë dhe të tërësishëm të gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj, si dhe avancimin e kulturës shqiptare.

Ndërsa sa i përket orientimit politik të kësaj partie në deklaratën thuhet se Aleanca për Shqiptarët si forcë e qendrës së djathtë me orientim properëndimor dhe synim për t ’iu bashkuar familjes së partive popullore evropiane, vazhdon me përkushtim këtë rrugëtim politik për realizimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si shtet ku të gjithë qytetarët duhet të ndjehen dhe trajtohen si të barabartë, një shtet të bazuar në vlerat evropiane, që respekton të drejtat e njeriut, lirinë, demokracinë dhe barazinë”.

Sela mori besimin nga kongresi për ta drejtuar partinë edhe për 4 vitet e ardhshme, mirëpo jo të gjithë janë pajtuar me kandidimin dhe zgjedhjen e tij.

Latif Arifi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes për Reforma në PDSH, thotë se ky nuk është kongresi i dytë, por i treti i partisë, andaj Selës nuk i takon më që të kandidojë, sepse statuti parasheh vetëm dy mandate për një kryetar.

“Sipas nenit 78 të Statutit në fuqi të partisë, Ziadin Sela ka konsumuar dy mandate. Unë kam marr pjesë në dy Kongrese, më 10 mars 2015 dhe me 21 mars 2018, pavarësisht se si janë quajtur, Kongresi 6 i PDSH-së. Ky është Kongresi i tretë i Aleancës. Zgjedhja e Ziadin Selës është jo legjitime, zgjedhje që ne do ta kontestojmë pranë organeve gjyqësore në emër të themeluesve të partisë”, ka theksuar Arifi.

Arifi mes tjerash ka potencuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale duhej të ishte alarm për strukturat që kishin përgjegjësin e organizmit të zgjedhjeve duke filluar nga shtabi zgjedhor dhe duke e përfshirë edhe kryetarin Sela .

“Është për keqardhje që nga kryetari aktual nuk ka pasur vullnet dhe qasje racionale politike e të dialogut të mirëfilltë që do të evitonin skenat dhe përplasjet e shpërfaqura brenda partisë. Tendenca e kryetarit që këto zëra, përfshirë edhe debatin e brendshëm demokratik brenda Aleancës  t’i shohë dhe interpretojë si të ndikuara e shkaktuara nga faktorë të jashtëm, duke iu shmangur trajtimit dhe zgjidhjes së tyre, vetëm sa e ka ndarë përfundimisht këtë kryetar të Aleancës nga strukturat partiake, nga anëtarësia dhe vullneti i saj programor”, ka theksuar Arifi.

Të pranishëm në këtë kongres janë parë edhe pjesëtarë të BDI-së, Alternativës,  Besës,  Partisë Demokratike Turke, VMRO-DPMNE-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje nga Kosova.

Të fundit