E mërkurë, 17 Gusht, 2022

PANDEMIA SOLLI EDHE DEPRESION DHE ANKTH: PËR SHUMËKË NUK DO TË JETË MËS SI MË PARË

Shkruan: Gentuar Ismaili

 

Pandemia e Covid-19 nuk shkaktoi vetëm pasoja ekonomike dhe financiare, por edhe dëme në shëndetin psikik të njerëzve. Sistemi dhe mënyra e jetesës së njerëzve pësoi një ndryshim shumë të madh dhe tek secili ndikoi ndryshe. Ajo që menjëherë ra në sy, ishte distancimi social dhe shoqëror i njerëzve në përgjithësi, por te të rinjtë në veçanti.

Psikologja dhe ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Sociale pranë Universitetit “Nënë Tereza” Nita Beluli, zbulon një studim që e ka bërë pikërisht gjatë kohës së pandemisë. Ajo ka konstatuar që 36% e të njerëzve shfaqnin simptoma depresive si pasojë e ndryshimeve në marrëdhëniet sociale dhe stilit të jetesës gjatë periudhës të pandemisë, ndërkaq 67% kanë rezultuar se po vuajnë nga ankthi. Poashtu, përmendi shkaqet që mund të kenë shkaktuar çrregullimet psiko-sociale tek njerëzit.

“Në mirëqenien psikike nuk mjaftoi vetëm kërcënimi që përbënte vetë virusi COVID-19 , por dhe i gjithë spektri i problematikave dhe kufizimeve që u ndërlidhen me jetën tonë si pasojë e karantinë, masave parandaluese siç ishin izolimi apo distancimi social, ndryshimi i stilit të jetesës, ndryshime të tjera në dietën tonë, përcjellja e mësimit ‘online’ e shumë e shumë faktorë që kontribuuan në atë që renditi një sërë çrregullimesh në rrafshin emocional, bihejvioral dhe social tek njerëzit”, theksoi psikologja Beluli.

Rrustem Memeti, sociolog në shkollën e mesme komunale “Ismet Jashari”, në Likovë thotë padyshim që pandemia ndryshoi gjithçka në jetët tona. Ndërsa specifikon që tek të rinjtë shkaktoi ankth, frikë, pasiguri dhe shtim të përdorimit të rrjeteve sociale.

“Një gjë është e sigurt – pas pandemisë asgjë nuk do të jetë si më parë. Pandemia do të lej gjurmët e saj në jetën individuale, në atë sociale, në familje, në martese, në arsim, në shoqëri. Tek të rinjtë, pandemia solli ankthe, pasiguri, frikëra të cilat kanë qenë dhe janë prezentë në shoqërinë tonë, por pandemia i beri edhe më evidente. Shkaku kryesor që të rinjtë kanë çrregullime psiko-sociale është dhe mbetet padyshim përdorimi i pakontrolluar i teknologjisë”, tha sociologu Memeti.

Ndërkaq, në Raportin e OKB-së për Maqedoninë e Veriut, të publikuar në maj të vitit 2021, është theksuar se se pasojat nga virusi, sollën edhe rritjen e dhunës gjinore dhe familjare, edhe atë dhuna gjinore dhe familjare u rrit deri në 45%, kurse fëmijët bënin 10% të viktimave.

Përndryshe, pandemia nxori në pah mungesën e vetëdijes qytetare për kujdesin e shëndetit mendor.

Të fundit