E premte, 19 Gusht, 2022

Lufta në Ukrainë/ Pse më e keqja nuk ka ardhur akoma

Vladimir Putin i tha dje Emanuel Makronit se refuzimi i Kievit për të pranuar kushtet e Rusisë do të thotë se Rusia do të vazhdojë luftën në Ukrainë. Këtë sqarim e bëri Pallati Elize, duke shtuar: “Ne presim që më e keqja nuk ka ardhur ende”. 

Ndërsa numri i refugjatëve që ikën nga konflikti kaloi 1 milion dhe forcat ruse, të mbështetura nga bombardime të rënda, përparuan në qytete dhe portet kryesore në jug dhe lindje, presidenti rus tha në një telefonatë 90-minutëshe me homologun e tij francez se ishte “i përgatitur për të shkuar deri në fund”. 

Putin deklaroi se Moska synonte të merrte “kontrollin e plotë” të vendit me mjete diplomatike ose ushtarake dhe përsëriti se objektivi i tij ishte ajo që ai pretendonte se ishte “neutralizimi, demilitarizimi dhe denazifikimi” i Ukrainës.

Sipas zbardhjes së bisedës së gjatë telefonike nga Pallati Elize, Makron ishte përgjigjur se Putini po bënte një “gabim të madh” që do t’i kushtonte shtrenjtë Rusisë në planin afatgjatë. “Nuk kishte asgjë në atë që tha Presidenti Putin për të na qetësuar”, tha një zyrtar i pallatit presidencial francez, duke shtuar se Makron i kishte thënë Putinit se po “gënjente veten”. 

Ndërsa bisedimet mes negociatorëve rusë dhe ukrainas filluan mbrëmë në darkë, udhëheqësi rus tha veçmas se pushtimi, të cilin Rusia vazhdon ta quajë “operacion special ushtarak”, po shkonte sipas planit dhe vlerësoi ushtarët rusë si heronj. “Të gjitha detyrat që janë vendosur janë duke u zgjidhur me sukses”, u shpreh Putin.

Presidenti i Rusisë deklaroi në një fjalim televiziv se avancimi i Moskës po përparonte, edhe pse trupat e tij duket se kishin bërë një avancim më të ngadaltë nga sa parashikonin shumë ekspertë. “Dua të them se operacioni special ushtarak po shkon rreptësisht sipas planit,” tha Putin, duke nisur një takim me këshillin e tij të sigurisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov hodhi poshtë zërat se qeveria, e përballur me dënimin ndërkombëtar dhe thellimin e izolimit ekonomik, ishte gati të fuste ligjin ushtarak, i cili do të përfshinte kontrolle kufitare dhe censurë ushtarake. Sipas Peskov, këto raporte, të cilat kanë shkaktuar një eksod në shkallë të vogël, ishin mashtrime.

Ndërkohë, forcat e Putinit po luftonin për të kontrolluar disa qytete jugore, duke përfshirë Enerhodarin, vendin e centralit bërthamor më të madh në Evropë, si pjesë e asaj që duket të jetë një plan për të shkëputur Ukrainën nga deti. Kjo do të rrënonte ekonominë e Ukrainsës. Por kjo ndërhyrje ushtarake në jug gjithashtu krijon një korridor tokësor që shtrihet nga Rusia në perëndim, në Rumani.

Guvernatori rajonal i qytetit të madh ukrainas, Kherson, në Detin e Zi, sqaroi të enjten se ushtarët rusë kishin pushtuar ndërtesën e administratës rajonale, pasi kryebashkiaku i qytetit përfundimisht pranoi kapitullimin, duke thënë se ushtarët rusë kishin de fakto kontrollin e ndërtesës së këshillit lokal.

“Unë nuk u kam bërë asnjë premtim atyre … Thjesht i kam kërkuar që të mos qëllojnë njerëzit,” tha guvernatori Ihor Kolykhaiev. Kapja e Khersonit, e vendosur strategjikisht në grykëderdhjen e lumit Dnieper, shënon qendrën e parë urbane të rëndësishme që bie në duart e Rusisë, që kur Moska filloi pushtimin e saj më 24 shkurt.

Mariupol, qyteti port i madh në detin Azov, gjithashtu raportohet se është i rrethuar dhe pa dritë, ujë ose ngrohje. Këshilli i qytetit tha se bombardimet kishin qenë të pamëshirshme dhe se trupat ruse po krijonin një “katastrofë humanitare” duke u përpjekur të parandalonin largimin e civilëve.

“Ata po thyejnë furnizimet ushqimore, duke na vendosur në një bllokadë. Qëllimisht, për shtatë ditë, ata kanë shkatërruar infrastrukturën kritike. Ky është gjenocid i popullit ukrainas.” – u shpreh Këshilli i qytetit Mariupol.

Banorët e Odesës, qyteti port më i madh i vendit, me peshë jetike në ekonominë e Ukrainës, po përgatiteshin gjithashtu për ta mbrojtur atë mes paralajmërimeve për një zbarkim të afërt rus në det. Sulmet ajrore në qytet janë shumëfishuar dhe një kolonë detare ruse me të paktën tetë anije u pa në brigje.

Negociatorët ukrainas të cilët takuan një delegacion rus për bisedime të enjten me objektivin e sigurimit të një armëpushimi të menjëhershëm thanë se të dy palët kishin rënë dakord të mbanin një raund të tretë bisedimesh së shpejti dhe arritën një mirëkuptim për sigurimin e përbashkët të korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve.

“Jo kudo, por në ato vende ku do të vendosen vetë korridoret humanitare, do të jetë e mundur të pushohet zjarri për kohëzgjatjen e evakuimit,” tha këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski , paralajmëroi se nëse perëndimi nuk rrit ndihmën ushtarake, Rusia do të avanconte në pjesën tjetër të Evropës.

“Nëse nuk keni fuqi të mbyllni qiejt, atëherë më jepni aeroplanë! Nëse nuk jemi më, atëherë, Zoti na ruajt, Letonia, Lituania, Estonia do të jenë të radhës.” – ishte deklarata që bëri Zenelskiy. Një parashikim orguzi që bëri xhiron e botës brenda pak minutave.

Zelenski i bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta Putinit, duke thënë se kjo ishte “e vetmja mënyrë për të ndaluar këtë luftë”.

“[Ukraina] nuk po sulmon Rusinë… Çfarë dëshironi nga ne? Lëre tokën tonë.” – shtoi Presidenti ukrainas.

Zelenski nuk ka lëvizur në qëndrimin e tij se ukrainasit do ta mbrojnë vendin e tyre dhe se Rusia nuk do të triumfojë dot. Në një video-komunikim të mëparshëm, Presidenti tha se linjat mbrojtëse të vendit të tij po mbanin dhe vlerësoi rezistencën e kombit.

Bombardime të rënda u raportuan përsëri në qytetin e dytë të Ukrainës, Kharkiv, një qytet me 1.5 milionë banorë ku shërbimet e urgjencës thanë se 34 civilë ishin vrarë në 24 orët e fundit. Një universitet dhe një spital u goditën dhe pamjet televizive treguan një shkretëtirë në qendër të qytetit me ndërtesa të rrënuara dhe mbeturina.

Megjithatë, sipas ministrisë së mbrojtjes së Britanisë së Madhe, përparimi i Rusisë në kryeqytet kishte bërë pak përparim. “Trupi kryesor i kolonës së madhe ruse që përparon në Kiev mbetet mbi 30 km (19 milje) nga qendra, pasi është vonuar nga rezistenca e palëkundur ukrainase, prishja mekanike dhe mbingarkimi,” thoshte ministria e Mbrojtjes britanike.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se situata në kryeqytet ishte “e vështirë, por nën kontroll”, duke shtuar se nuk kishte viktima gjatë natës dhe se shpërthimet e dëgjuara gjatë natës ishin mbrojtjet ajrore ukrainase që godasin raketat ruse në hyrje.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka konfirmuar vdekjen e 227 civilëve dhe 525 të plagosur gjatë luftimeve, por tha se numri aktual do të ishte tashmë shumë më i lartë. Ukraina ka thënë se të paktën 350 civilë kanë vdekur dhe më shumë se 2000 janë plagosur.

Agjencia e OKB-së për refugjatët tha se numri i njerëzve që ikën nga vendi kishte tejkaluar 1 milion deri të enjten herët në mëngjes, pra rreth 2% e popullsisë së Ukrainës prej 44 milionë banorësh, duke shtuar se me këtë shkallë eksodi mund ta bëjë vendin burimin e krizës më të madhe të refugjatëve të këtij shekulli.

Sulmi rus ka sjellë në një breshëri sanksionesh ndërkombëtare që e kanë zhytur ekonominë e Rusisë në kaos dhe izolim gjithnjë e në thellim. Rubla vazhdon renien rekord, pasi agjencitë e vlerësimit të kredisë, Fitch dhe Moody’s, ulën borxhin sovran të Rusisë në statusin “junk“. Kjo në shqip do të thotë “plehrë”. 

Lapsi.al shpjegon se ky vlerësim nga prestigjozët Fitch dhe Moody’s do të thotë se Rusia mund të mos ketë para të shlyejë borxhin. Shkurtimisht, është një vlerësim shumë i keq për një shtet.

Sipas një estimimi të The Guardian, rreth 80% e aktiveve të bankave ruse, dhe gjysma e rezervave të bankës qendrore, janë kthyer në të palëvizshme, falë bllokadës perëndimore.

Franca sekuestroi ditën e djeshme superjahtin “Amore Vero” të oligarkut rus të energjisë Rosfent, Igor Sechi, afër Marsejës.

Ndërsa autoritetet gjermane raportohet se kanë sekuestruar superjahtin “Dilbar” që i përket oligarkut rus Alisher Usmanov. Sipas një metrike, asaj të volumit të brendshëm, jahti “Dilbar” është më i madhi në botë. Usmanov mendohet të ketë paguar nga 600 milionë dollarë, deri në 1 miliard dollarë për ndërtimin e kësaj kryevepre detare.

Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione shtesë ndaj më shumë oligarkëve rusë, duke përfshirë biznesmenët miliarderë Boris dhe Arkady Rotenberg dhe Alishar Usmanovin e “Dilbarit”, një nga aleatët më të ngushtë të Putinit, si dhe Peskov, zëdhënësin e Kremlinit. SHBA vendosi gjithashtu ndalimin e vizave për 19 oligarkë dhe anëtarët e familjeve të tyre. Këta individë dhe anëtarët e familjeve të tyre do të shkëputen nga sistemi financiar amerikan; asetet e tyre në SHBA do të ngrihen dhe pronat e tyre do të bllokohen nga përdorimi, tha Shtëpia e Bardhë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka hapur një hetim për krime të mundshme lufte pasi një numër i paprecedentë vendesh e mbështetën hetimin. Karim Khan, kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, tha se ai do të fillonte punën sa më shpejt të ishte e mundur, për të kërkuar krime të mundshme kundër njerëzimit ose gjenocid të kryera në Ukrainë.

/lapsi

Të fundit