E premte, 19 Gusht, 2022

KUVENDI DËNON AGRESIONIN RUS, E MAJTA VOTON KUNDËR

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar deklaratën nëpërmjet së cilës dënon sulmet ushtarake ruse ndaj  Ukrainës. 100 deputetë kanë votuar pro deklaratës, ndërsa dy deputetët e partisë “E Majta” kanë votuar kundër. LSDM ka theksuar se “E Majta” po shkel të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Ukrainës. Nërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka theksuar se çështja e zgjerimit të BE-së tashmë është çështje jetësore nga pikëpamja e sigurisë.

 

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Kuvendi i Republikës së Maqedonis së Veriut ka miratuar një deklaratë më të cilën dënon sulmet ushtarake ruse kundër Ukrainës. 100 deputetë kanë votuar pro deklaratës, ndërsa dy deputetët e së Majtës dhe një deputet i Partisë Demokratike Serbe kanë votuar kundër.
Deklarata ishte propozuar nga dy deputetet, Monika Zajkova dhe Maja Moraçanin, nga Partia Liberal-Demokrate, si dhe Ripërtëritja Demokratike.
Gjatë seances deputetja Zajkova, e veshur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, ka theksuar se kuvendi, si institucioni më i lartë në një demokraci parlamentare, nuk duhet të qëndrojë i heshtur ndaj zhvillimeve dhe duhet të dënojë urgjentisht agresionin ushtarak që po ndodh në zemër të Evropës dhe të shprehë një angazhim të qartë për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. “Në diplomaci ka një rregull që çdo heshtje është pëlqim apo miratim, ndaj nuk guxojmë të heshtim”, ka theksuar ajo.
Deputeti i Partisë Demokratike Serbe, Ivan Stoilkoviq, deklaratën e ka quajtur “hipokrizi të politikanëve”. Ndërkohë, LSDM  përmes një komunikate ka theksuar se deputetët e partnerit të koalicionit të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, e Majta , votoi kundër Deklaratës për Ukrainën në kuvend.
Sipas LSDM-së, partia “E Majta” po shkel të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Ukrainës dhe  mbështet agresioni rus që është e palejueshme. Ata gjithashtu kanë pyetur se  cili është qëndrimi i Mickoskit në lidhje me mbështetjen që i dha “E Majta” agresionit rus në Ukrainë? Pasiqë dihet se e majta është partner i koalicionit me VMRO-DPMNE-në në disa komuna dhe në Shkup.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski ka theksuar se dënon sulmin rus ndaj Ukrainës.

“E drejta e Ukrainës që të zhvillojë politikën e saj të jashtme është parim që duhet të respektohet, por kjo duhet të vlejë edhe në rastin e Maqedonisë (së Veriut) që ka kontest me Bullgarisë. Pra, edhe liderët tanë shtetërorë duhet të punojnë që edhe ne të kemi politikën tonë të jashtme, pa ndikime nga shtetet tjera”, ka deklaruar Milloshoski.

Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i cili merr pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme ministrore të NATO-s, para fillimit të mbledhjes ka shprehur përkrahjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën.
Osmani gjithashtu ka theksuar se zgjerimi i BE-së tani bëhet çështje jetësore nga pikëpamja e  sigurisë duke i marrë parasysh sulmet ruse në lindje, dhe se kjo krizë tregon se  politika e zgjerimit është çështje e sigurisë.
Së fundmi Osmani i porositi ukrainasit se Ukraina nuk është vetëm, dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme ta japë mbështetjen e vet për refugjatët nga kjo vatër e luftës.

Të fundit