E premte, 19 Gusht, 2022

Çfarë parasheh Rezoluta për Ukrainën?

Kuvendi i Kosovës më 3 mars unanimisht ka votuar Rezolutën në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus.

Votimi i kësaj rezolute, është theksuar nga deputetët, ‘se Kosovën e rreshton krahas demokracive të mëdha’.

Rezoluta për Ukrainën është përgatitur nga grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Përmes kësaj rezolute mbështetet vendosja e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Kosovës ndaj Federatës ruse dhe kundërshtohet sjellja e Serbisë dhe pak vendeve tjera që nuk kanë sanksionuar Rusinë.

Serbia më 2 mars mbështeti rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që dënon pushtimin rus të Ukrainës, por nuk iu bashkua botës perëndimore me sanksione ndaj Rusisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ndaj agresionit rus nuk mund të ketë neutralitet për vendet kandidate për BE-në.

“Pozicioni edhe-edhe, duke tentuar të luajë qendrën e dyfishtë edhe me Moskën edhe me Brukselin, edhe me Uashingtonin, edhe me Pekinin, është pozicion edhe me demokracinë edhe autokracinë”, tha Kurti.

Ndërkohë, rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndajë një fond të veçantë për ndihmë Ukrainës dhe në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5,000 refugjatëve.

Në njërën nga pikat e rezolutës, Kuvendi i Kosovës iu bën thirrje vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik, që sipas Kuvendit, është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe BE. Kuvendi i Kosovës e udhëzon kryetarin e Kuvendit që në koordinim me Qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë që t’u drejtohen institucioneve më të larta shtetërore të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros me kërkesën për të njohur pavarësinë e Kosovës sa më parë.

Kuvendi i Kosovës, po ashtu, i ka bërë thirrje NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës të shqyrtojë kërkesën dhe të konsiderojë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në to.

Në njërën nga pikat e rezolutës, Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës të Kosovës që, në konsultim me misionin e NATO-s në Kosovë, të rishikojë dhe t’i shkurtojë afatet e parapara në planin 10-vjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu edhe sigurimin dhe mbështetjen financiare të nevojshme për këtë qëllim.

Kuvendi i Kosovës duke marrë parasysh aspiratat e përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe konsolidimin e sigurisë në rajon, e fton Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës të bashkohen në këtë nismë dhe t’i shprehin asaj mbështetje.

Kurti: Sulmi mbi Ukrainën, sulm mbi të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit tha se Kosova do të përshpejtojë të gjitha proceset që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në NATO.

“Le të mos dështojmë të shohim qartë dhe të flasim më një zë, të udhëhiqemi nga arsyeja dhe interesi shtetëror dhe kombëtar. Vendimet dhe veprimet tona le të jenë ato që rrisin unitetin tonë dhe fuqizojnë shtetin tonë jashtë”, tha Kurti.

Sipas tij, sulmi ndaj Ukrainës, është sulm mbi botën e civilizuar.

“Në rrezik është rendi i një bote të qytetëruar e nëse bota nuk vepron e bashkuar, në rrezik është e ardhmja jonë, e ardhmja e përbashkët e secilit prej nesh”, tha Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se agresioni rus ndaj Ukrainës nuk e cenon vetëm sovranitetin e një shteti të pavarur, parimet ndërkombëtare, por edhe vlerat demokratike dhe perëndimore, ”me të cilat Kosova jeton pandashëm”.

“Në Ukrainë po mbrohet më shumë sesa sovraniteti i atij shteti. Kriza në Ukrainë përbën një kërcënim për sigurinë evropiane dhe më gjerë. Ky momentum kërkon vëmendjen tonë të plotë për të lexuar drejt edhe ndryshimin e arkitekturës të sigurisë që po zhvillohet në Evropë dhe në rendin ndërkombëtar”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi që të mos humbet momenti dhe të lobohet fuqishëm për përshpejtimin e proceseve të Kosovës.

“Momentumi i ri është një dritare e madhe për Kosovën. Këtë momentum historik nuk na falet nëse nuk e maksimizojmë. Të nisim një fushatë të koncentruar diplomatike, lobuese e insistuese në çdo qendër të Evropës për të siguruar fillimisht njohjen nga pesë vendet e mbetura dhe me pas të sigurojmë në formë të përshpejtuar anëtarësimin në NATO”, tha Abdixhiku.

Më 24 shkurt, forcat ushtarake të Federatës Ruse kanë nisur pushtimin e Ukrainës.

Shteti rus kundërshton integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Rusisë i janë vendosur një sërë sanksionesh nga shtetet perëndimore.

Sanksione ndaj Rusisë më 25 shkurt ka vendosur edhe Kosova./REL

Të fundit