E martë, 16 Gusht, 2022

ARSYET “BANALE” DHE “RETROGRADE” PËR MOSPËRDORIMIN E SHQIPES

Në faqet elektronike të disa kompanive të mëdha, versionin në gjuhën shqipe nuk e gjen dot, ndërsa në disa faqe të tjera është e vendosur vetëm formalisht. Ekspertë të fushës së komunikimeve thonë se kompanitë duhet të ofrojnë shërbimet në gjuhën shqipe, sepse kanë klientelë të madhe shqiptare. Ata thonë se mospërdorimi vjen për arsye banale dhe për shkak të mendësisë së vjetër retrograde. Shumica e kompanive nuk kanë kthyer përgjigje për mospërdorimin e shqipes, ndërkohë që disa nga to thonë se planifikojnë në të ardhmen të ofrojnë shërbime edhe në gjuhën shqipe, por për këtë duhet kohë dhe burime.  

Shkruan: Eljesa Dervishi

Në faqet elektronike të disa kompanive të mëdha, versionin në gjuhën shqipe nuk e gjen dot, ndërsa në disa faqe të tjera është e vendosur vetëm formalisht.

Profesori universitar, Faton Murseli, tha për KDP, se sa i përket kompanive private, kjo çështje u takon sektorëve të marrëdhënieve me publikun dhe marketingun e kompanive. Sipas tij, shpeshherë këto kompani për shkaqe banale nuk e përdorin gjuhën shqipe.

“Sa i përket kompanive private përdorimi i gjuhëve u takon sektorëve të marrëdhënieve me publikun dhe marketingun e kompanive. Mendoj që për shkaqe të papërcaktuara mirë, shpesh herë banale, të tipit të frustracioneve vërehet shpesh mospërdorimi i gjuhës shqipe në kompanitë e mëdha private. Madje kjo vërehet edhe në pjesën perëndimore të RMV-së ku shumica e qytetarëve apo e konsumatorëve janë të etnitetit shqiptar”, tha Murseli.

A thotë se edhe vetë personalisht në Tetovë ballafaqohet me mospërdorimin e gjuhës shqipe edhe pse  shumica e të punësuarve të kompanive janë shqiptar.

“Unë personalisht në Tetovë ballafaqohem me tendencat e përdorimit të njëgjuhësisë në kompani të mëdha, tek të cilat madje shumica edhe e të punësuarve janë shqiptar. Për shembull, në dyqanet e supermarketeve Vero, përveç kësaj në një kënd janë të ekspozuara dhe libra për shitje, të gjitha me autorë dhe në gjuhën maqedonase. Nuk kam informata a është kjo një arsye për t’u denoncuar në organet kompetente si për shembull në Inspektoriatin e tregut”, tha Murseli për KDP.

Për sa i përket kompanive, të cilat nuk e përdorin gjuhën shqipe në faqet elektronike, si LUKOIL, Makpetrol, Beko, TehnoMarket, Setec, Nlb Banka, KDP i ka kontaktuar përmes e-mail dhe ju ka parashtruar pyetjet për mospërdorimin  e gjuhës shqipepër të komunikuar me klientët shqiptarë dhe nëse janë të detyruar ta zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Të vetmet që kanë dhënë përgjigje është Setec dhe NLB Banka, të cilat kanë theksuar se do të përgjigjen.

Tatiana Kuzmanoska, nga Setec, është shprehur se si kompani private operojnë sipas të gjitha ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk i ndajmë klientët sipas përkatësisë politike, etnike dhe fetare. Sipas saj, kjo kompani planifikon në të ardhmen që t’i ketë shërbimet edhe në gjuhën shqipe.

“Ne si kompani private me përgjegjësi shoqërore operojmë sipas të gjitha ligjeve të R. Maqedonia së Veriut dhe klientët tanë i trajtojmë në mënyrën më të përshtatshme sipas mundësive tona dhe asnjëherë nuk i ndajmë sipas përkatësisë politike, etnike dhe fetare. Natyrisht, në të ardhmen planifikojmë të zhvillojmë në atë drejtim dhe t’u mundësojmë pjesëtarëve të etnive të tjera të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare, por siç e dini, kjo kërkon kohë dhe burime”, tha Kuzmanoska për KDP.

Profesori universitar, Sefer Tahiri, tha për KDP, se mos përdorimi i gjuhës shqipe nga kompanitë e mëdha më klientelë shqiptare, tregon qasjen retrogarde dhe antie-konomike të tyre, dhe që disa kompani nuk mund të shkëputen nga mentaliteti i vjetër politik.

“Mospërdorimi i gjuhës shqipe nga kompanitë e mëdha, të cilat kanë shumë klientë shqiptarë, flet vetvetiu për qasjen retrogarde dhe anti-ekonomike të tyre, sepse nëse nisen nga parimi i ekonomisë së tregut, duhet t’i ofrojnë qytetarit apo klientit shërbime dhe prodhime në gjuhën e tij amtare, me qëllimin e vetëm që komunikimi në biznes të jetë efikas. Ka të ngjarë, se disa kompani nuk mund të shkëputen nga mentaliteti i vjetër politik, i cili anashkalonte gjuhën shqipe, edhe në segmente që ishin jetike për shqiptarët!”, tha Tahiri.

Ai është shprehur se kjo praktik duhet të ndryshojë, pasi e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nga kompanitë nuk duhet të shihet si e drejtë politike apo ligjore, por në këtë rast si pragmatizëm dhe përfitim që ndërlidhet me komunikimin efikas me klientët.

“Kjo praktikë duhet të ndryshojë, sidomos nga kompanitë dhe në veçanti nga bankat, të cilat ofrojnë shërbime të shtrenjta, pasi e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nga këto kompani nuk duhet të shihet si e drejtë politike apo ligjore, por më shumë duhet të nisen nga pragmatizmi dhe përfitimet, që natyrshëm varen shume midis tjerash edhe nga komunikimi efikas dhe efektiv me klientët,”, tha Tahiri për KDP.

Të fundit