E mërkurë, 17 Gusht, 2022

ARRIHET MARRËVESHJA E PARË NË NEGOCIATAT RUSI – UKRAINË

Ukraina dhe Rusia ranë dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve në raundin e dytë të bisedimeve që u zhvillua këtë pasdite. Lajmi u konfirmua nga negociatorët e të dyja palëve.

Pas bisedimeve që u zhvilluan në kufirin Poloni – Bjellorusi, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha se bisedimet me Rusinë “nuk kishin dhënë rezultatet që Kievi shpresonte”.

Por Podolyak tha se “të dyja palët parashikuan një armëpushim të mundshëm të përkohshëm për të lejuar evakuimin e civilëve”.

Kjo do të thotë, armëpushim jo kudo, por vetëm në ato vende ku do të vendosen korridoret humanitare, do të jetë e mundur të pushohet zjarri për kohëzgjatjen e evakuimit.

Të dyja palët arritën një mirëkuptim edhe për dërgimin e barnave dhe ushqimeve në vendet ku po zhvilloheshin luftimet më të ashpra.

Nga pala ruse, negociatori kryesor i Rusisë dhe ish-ministri i kulturës, Vladimir Medinsky, tha: “Çështja kryesore për të cilën vendosëm sot ishte çështja e shpëtimit të njerëzve, civilëve, që ndodhen në zonën e përleshjeve ushtarake.

Rusia u bën thirrje civilëve që gjenden në këtë situatë, nëse vazhdojnë veprimet ushtarake, të përdorin këto korridore humanitare”.

Një tjetër negociator rus, ligjvënësi nacionalist Leonid Slutsky, tha se marrëveshjet do të “zbatohen në të ardhmen e afërt”.

Një raund i tretë i bisedimeve është caktuar të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.

Të fundit