E premte, 19 Gusht, 2022

ZIGZAG: PËR TË VËRTETËN DHE RRENAT

Interpretimi më i shkurtër për propagandën është se ajo nënkupton përhapjen e ideve, informacioneve apo thashethemeve për të ndihmuar apo për të rrëzuar një institucion, një kauzë apo një person. Në rastin konkret, të përpjekjes ruse për pushtimin e Ukrainës, edhe tek ne nuk po kalon pa një ‘tifozeri’, që vetëvetiu flet edhe për mëtimin e qarqeve të caktuara për të mbuluar diellin me shoshë, duke harruar se megjithatë dielli lind për të gjithë!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Evropa dhe Amerika më në fund duket se po e bëjnë zap propagandën moskovite: Duke urdhëruar ndalimin e emetimit të kanaleve të fuqishme propaganduese të Rusisë, në fakt synohet minimizimi i pasojave të luftës psikologjike a speciale që Kremlini po e zhvillon me sukses prej dekadash edhe në hapësirat ballkanike. Në këtë rrafsh, përjashtim nuk bën as Maqedonia e Veriut. Është për t’u pritur, prandaj pozicionimi i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele karshi rekomandimit të Qeverisë që operatorët kabllovik të ‘ç’kyçin kanalet ku paraqiten si themelues Federata Ruse ose persona privatë, fizik ose juridik me prejardhje nga Federata Ruse’. Mësohet se fjala është për pesë a gjashtë operatorë të cilët lëshojnë në eter kanale ruse. S’do mend se fjala është për një makineri të sofistikuar që tenton të përhapë të vërtetën e ‘Nënës Rusi’ që, dorën në zemër, nuk është se ndër ne, sidomos në taborrin maqedonas, nuk ka ithtarë e mbështetës të zellshëm, madje-madje edhe në qarqe të caktuara politike të cilave, here-herë, për interesa të caktuara të ngjitjes në pushtet u bashkohen edhe forca minore politike – nga kampi shqiptar! Në fakt, shqetësimi i këtyre ditëve i ngritur edhe nga shefi i shtetit, Pendarovski, për përqindjen e lartë të atyre të cilët admirojnë Rusinë dhe Putinin e saj, provon se në Maqedoni ende është e pranishme (një)mendësia për të ‘kaluarën e lavdishme’ kur ruso-sllavët i  prinin valles në këtë pjesë të globit si kryeprotagonistë të fitores kundër nazifashizmit në Luftën e Dytë Botërore! Madje-madje, këto ditë në debatet që po zhvillohen nëpër rrjetet sociale, por edhe në media me ndikim, vëmendja s’postohet edhe në zhvillimet e përgjakshme të fund-shekullit të kaluar kur në hapësirat e ish Jugosllavisë (në Bosnjë dhe në Kosovë) makineria ushtarake dhe paramilitare serbe në ballë me Milosheviqin, bëri atë që bëri, duke shtuar edhe një faqe të errët në historinë e fqinjëve tanë. Propaganda ruse e plasuar në sferën online dhe atë audio-vizive, edhe tek ne synon përhapjen e së ‘vërtetës moskovite’, arritjet e saj në fusha të ndryshme, nga mjekësia e deri tek ushtria, pa harruar Vladimir Putinin. E ‘vërteta’ që plasohet nga media dhe politika ruse, në rastin e Ukrainës, kapërcen caqet edhe të propagandës, edhe të luftës speciale e psikologjike, për shkak se pamjet që që po na vijnë nga kjo ish-republikë sovjetike e nxjerrin Putinin dhe regjimin e tij ‘cullak’ – karshi të vërtetës dhe, konform kësaj, e ‘vërteta’ ruse del ashiqare – rrenë e kulluar!

Dhe, të mos e zgjas: Të martën-mbrëma më rastisi të dëgjoj një debat në një televizion të vogël maqedonas pikërisht për propagandën ruse dhe masat që duhet marrë për parandalimin e saj. Për të ardhur keq që njërit prej mysafirëve i ‘iku’ mendja tek ’99-ta e shekullit të kaluar dhe bombardimi i caqeve ushtarako-policore serbe për shkak të Kosovës! Mirë e kanë thënë të moçmit se dielli nuk mbulohet me shoshë, se dielli lind për të gjithë!  

 

 

 

Të fundit