E premte, 19 Gusht, 2022

SHOQËRIA CIVILE KATALIZATOR I AKTIVIZMIT RINOR

Ky aktivizëm shumëdimensional i të rinjve, ky angazhim në sferën publike është mundësuar falë organizatave joqeveritare, të cilët janë të krijuara në bazë të vlerave të përbashkëta dhe të cilat veprojnë në fusha të ndryshme, por me një qëllim të vetëm, përmirësim të gjendjes politike në vend, ngritjen e vetëdijes në shumë sfera të jetës shoqërore dhe institucionale. Organizatat joqeveritare mbeten vatrat e kultivimit demokratik për një protagonizëm shumë më të madh të të rinjve.

Shkruan: Arian Mehmeti

Aktivizimi qytetar i të rinjve brenda kohës ka shënuar manifestim në skenën publike, në atë që përfaqëson pjesëmarrje demokratike dhe që nënkupton dëshirën dhe angazhimin për ndryshim. Më e freskët në memori është “Revolucioni i larmë”, një organizim i madh demokratik, pjesë e të cilit u bënë shumë të rinj, me të kuptuar se është bërë për të hequr nga pushteti një qeverisje totalitare për të cilën veç më kishte dëshmi se bënte keq për të gjithë qytetarët që jetojmë në këtë shtet.

Dëshmitë ishin aq në sipërfaqe saqë nuk kishte nevojë të informohesh më tepër se çka është duke ndodhë. Ishte e qartë, nga mosha më e re e deri te individë të moshës më të vjetër dolën dhe qëndruan me javë në një proces historik revolucionar, me këmbëngulje, nga të gjithë kombet së bashku, që t’i jepet fund trysnisë së atëhershme të pushtetit diktatorial së një partie e një personi.

Studentët ishin udhëheqësit e kësaj lëvizje, sigurisht, pa dyshim studentët mbeten ai grup shtytës i një shoqërie që mund të bëjë dallimin, ndryshimin, është ai grup i freskët dhe energjetik që përcjell dhe vazhdimisht informohet për situatën në të cilën gjendemi, është mosha kur nuk pyet për diçka në këmbim për ndonjë veprim, por niset drejt dhe, me kohë piqet dhe formon koncept hap pas hapi, moment pas momenti, aty për aty pa kurrfarë interesi, por vetëm një qëllim, mirëqenien e shoqërisë.

Pikërisht, në kohën e një ngërçi të jashtëzakonshëm shoqëror, në kohën e një totalitarizmi ideologjik, ishin të rinjtë ata që u mobilizuan rreth idesë së veprimit demokratik dhe të drejtësisë për t’i thënë mjaft përfundimisht gjendjes status-quo-s histerike, që ishte shtruar më në çdo pore të shoqërisë aso kohe nëpërmjet ligjeve diskriminuese që votonte ai pushtet tiran, pabarazisë së imponuar në shoqëri Gjithë kjo vinte nga personat e pushtetshëm, nga ajo garniturë që kishte në dorë veglat e shtetit për të realizuar dëshirat apo ideologjitë e sëmura të saj e deri te rezultati përfundimtar që shkonte në dekurajimin e individëve të shumtë tek të cilët humbej dëshira për atdhedashuri ose vullnet për të vepruar në vendlindje. Ishte një proces degradues që bëri shumë të rinj të detyrohen të largohen nga vendlindja, të rinj për të cilët sot mund të lexojmë nëpër media për ata se si kanë depërtuar aty ku kanë shkuar për të dëshmuar se ata vlejnë dhe i vlerësojnë.

Ishin të rinjtë sikurse edhe më herët që e kishin kuptuar mosfunksionimin e institucioneve, e kishin kuptuar totalitarizmin partiak dhe ideologjik, që po krijonte një hapësirë të pashpresë për ta dhe për gjithë shoqërinë përgjithësisht. Dhe shqisa e tyre e kishte kapur këtë situatë të pashpresë dhe tashmë po kërkonte rrugën e rikthimit të vlerave demokratike, hapësirën e lirisë dhe të afirmimit të koncepteve tjera demokratike që i kundërviheshin regjimit të atëhershëm, i cili kishte vendosur praninë në çdo pore të shoqërisë.

Sigurisht, që ardhmëria u takon të rinjve, dhe kjo përkthehet në aksione konkrete demokratike, në praninë e tyre shumë më të madhe në jetën publike, atë politike dhe kulturore. Se ardhmëria u takon atyre nuk është një slogan, por është një vullnet konkret që prodhon pjesëmarrje demokratike të tyre.

Një rol vendimtar të rinjtë kanë pasur gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Ata janë angazhuar të tejkalojnë pengesat për shkollim adekuat e të denjë, por edhe për  mundësinë e punësimit të barabartë si të gjithë qytetarët e tjerë. Të rinjtë e Maqedonisë së Veriut nuk kanë pritur që dikush tjetër t’ua zgjidh problemet, qoftë atë që ndërlidhen me të drejtën e arsimimit apo të lirisë individuale, e deri te ajo kombëtare.  Ata, sikur te pothuajse të gjithë popujt dhe në çdo kohë mbeten motori i një kombi.

Ky aktivizëm multidimensional i të rinjve, ky angazhim në sferën publike është mundësuar falë organizatave joqeveritare, të cilët janë të krijuara në bazë të vlerave të përbashkëta dhe të cilat veprojnë në fusha të ndryshme, por me një qëllim të vetëm, përmirësim të gjendjes politike në vend, ngritjes së vetëdijes në shumë sfera të jetës shoqërore dhe institucionale. Organizatat joqeveritare mbeten vatrat e kultivimit demokratik për një protagonizëm shumë më të madh të të rinjve.

Shumë të rinj e kanë gjetur veten e tyre në sektorin civil në vend, në të cilin vijnë në shprehje aftësitë e tyre dhe ku mund të jenë më të lirë në veprimin e tyre profesional, të jenë kreativ, të kenë hapësirën e tyre të veprimit në atë mënyrë që ata të realizohen dhe të bëjnë diçka të mirë për shoqërinë ku jetojnë.

Fusha e veprimit është e gjerë në këtë sektor. Ka shumë shembuj që tregojnë se persona të moshës së re kanë lënë gjurmë dhe kanë bërë dallim për ndryshimin e gjendjeve në botën reale.

Gjithashtu përfshirja e të rinjve në politikë nuk mungon. Kemi shembuj që ilustrojnë faktin që ata janë pjesë të fushëveprimit politik, jo vetëm të politikbërjes,  por edhe pjesë të e pozitave dhe proceseve, të cilët kontribuojnë në përgatitjen profesionale e që nënkupton arritjen e një qëllimi strategjikisht të rëndësishëm për vendin e tyre.

Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë eksluzivisht të autorit.

Të fundit