E premte, 19 Gusht, 2022

IMPULSE TË REJA NË KOMUNIKIMIN E MUNGUAR KULTUROR

Komunikimi i munguar kulturor në hapësirat shqiptare duket se kohëve të fundit ka marrë impulse tjera bashkëpunimi institucional. Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe kanë sinkronizuar kalendarët e tyre në atë që quhet kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022. Drejtues të shoqatave kulturore thonë se edhe përfaqësuesit e kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet të “zgjohen nga gjumi” që të përfshihen në këtë bashkëpunim institucional kulturor.

Shkruan: Valmisa Novi

Instikti për mbijetesë është një instikt i lindur. Të gjithë ndërmarrin veprime qofshin këto të vullnetshme apo të pavullnetshme për të siguruar vazhdimësinë e jetës. Por të jetosh nuk do të thotë vetëm të frymosh. Shpirti dhe mendja kanë nevojë të ushqehen aq sa ka nevojë edhe trupi për ushqim. Shpirtin dhe mendjen e ushqen arti dhe kultura, e sidomos kur këto të fundit buçasin në gjuhën e nënës.  Arti, kultura, tradita janë pikërisht ato që vazhdojnë të mbesin edhe kur ne nuk jemi më në këtë plan ekzistencial, pasi jeta e gjithkujt matet me veprat e mira që gjithsecili lë pas. Në rrafshin e gjerë njerëzor ose kombëtar, këto elemente përbëjnë ato që quhen mekanizmat e identitetit kulturor, trashëgimia kulturore që përcillet dhe pasurohet me tej nga një gjeneratë në tjetrën. Kufijtë shtetëror i kanë ndarë shqiptarët fizikisht, por arti, kultura, dashuria për kombin i kanë bashkuar gjithmonë.

Kryetari i shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, thotë për KDP se “fryma e bashkëpunimit vëllazëror ka rrënjë të hershme, e njëjta sot kultivohet edhe pse jo në format e duhura institucionale”, duke vënë theksin se arsimi luan një rol esencial në ruajtjen dhe zhvillimin e një kombi. Sipas tij, institucionet e shkencës dhe arsimit të lartë, duke përfshirë këtu Universitetin e Tiranës, Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tetovës dhe jo vetëm, janë ato që e respektojnë më së shumti komunikimin dhe bashkëpunimin zyrtar institucional, ku përveç të tjerave “kanë arritur rezultate të rëndësishme për gjuhën, letërsinë, etnokulturën dhe historinë shqiptare”

Nën frymën e këtij bashkëpunimi, dy ministritë e kulturës, e Shqipërisë dhe e Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe kanë sinkronizuar kalendaret e tyre në atë që quhet kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022. Sipas një statusi të shkruar nga ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Maragriti bibliotekat, muzetë, opera, arkiva, ansamble e parqe arkeologjike u angazhuan që atë bashkëpunim vëllazëror që ka qenë deri më tani, ta fusin në korniza institucionale, me të vetmin qëllim: promovimin e kulturës shqiptare, atë që na bën unikë, një gur të çmuar mes kombeve. Një nismë e tillë është për t’u duartrokitur, pasiqë institucionet tona duhet të shërbejnë si nismëtare të bashkimit shpirtëror mes shqiptarëve, duke shpresuar se në një të ardhme nëpër praktika të tilla të përfshihen të gjitha trevat shqipfolëse.

Kryetari i “Traditës”, Sulejmani, dakordohet duke thënë se “e kaluara jonë dhe orientimi drejt së ardhmes, i obligojnë qeveritë tona, përfaqësuesit legjitim në mbarë hapësirën shqiptare, të ngrihen në lartësinë e duhur të përgjegjësive institucionale në funksion të bashkërendimit të proceseve dhe unitetit mbarëkombëtar”.  Ai gjithashtu thotë se historitë e suksesit duhet të merren si model dhe nga institucionet e tjera shqiptare. Le të jetë ky një apel dhe një kambanë zgjimi edhe për përfaqësuesit e kulturës shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Të fundit