E martë, 16 Gusht, 2022

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, votim historik për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi të mërkurën me shumicë dërrmuese për të dënuar Rusinë për sulmin ndaj Ukrainës dhe kërkoi që Moska të ndalë luftimet dhe të tërheqë forcat e saj ushtarake, një veprim që synon të izolojë në aspektin diplomatik Rusinë në këtë organ të lartë botëror.

Rezoluta, e mbështetur prej 141 nga 193 vendet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i dha fund një seance të rrallë urgjente të thirrur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ndërkohë, forcat ukrainase në portin e Khersonit po përballen me sulme ajrore dhe bombardime shkatërruese ruse që detyruan largimin e qindra mijëra njerëzve.

Teksti i rezolutës “dënon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”. Sipas faqes së internetit të OKB-së, hera e fundit që Këshilli i Sigurimit të OKB-së thirri një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme ishte në vitin 1982.

Tridhjetë e pesë vende anëtare përfshirë Kinën abstenuan dhe pesë vende, përfshirë Rusinë, Sirinë dhe Bjellorusinë votuan kundër rezolutës. Ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme nuk mund t’u vihet veto, por nga ana tjetër ato nuk janë ligjërisht të detyrueshme për t’u zbatuar, por shprehin vullnetin e komunitetit botëror.

Serbia votoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Kremlinit.

Të fundit