E mërkurë, 17 Gusht, 2022

KURT VOLKER: RIKTHIMI I PERANDORISË RUSE – QËLLIM I PUTINIT

Kurt Volker, ish- i dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën dhe ish-ambasador i SHBA në NATO, aktualisht bashkëpunëtor i Qendrës për Analizë të Politikës Evropiane (CEPA) me seli në Uashington, i ka deklaruar këto ditë seksionit serb të Zerit të Amerikës së me ndërhyrjen në Ukrainë presidenti rus Vladimir Putin në fakt dëshiron rivendosjen e perandorisë ruse në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik. Sikurse transmeton KDP, Volker ka thënë se Perendimi duhet të vë sa më pare në jetë paketën e paralajmëruar të sanksioneve të rrepta kundër Moskës.

Zëri i Amerikës: Sa jemi afër një lufte të re, potencialisht shkatërrimtare në trollin evropian?

Volker: Mendoj se kjo  aktualisht është një mundësi shumë reale. Rusia ka dislokuar forcën më të madhe ushtarake konvencionale që kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Është e madhe.

Zëri i Amerikës: Cili është objektivi final i Putinit – Ukraina lindore apo i gjithë vendi?

Volker: Qëllimi i Putinit është rivendosja e Perandorinë Ruse në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik. Këtë po e bën sivjet kur shënohet përvjetori i themelimit të Bashkimit Sovjetik 100 vjet më parë. Ai fajëson liderët e mëparshëm sovjetikë dhe rusë për dështimin, për mos drejtimin e mirë të vendit dhe për mosmbajtjen e këtyre territoreve. Dhe, po përpiqet t’i kthejë ato. Kjo nuk do të përfundojë me Ukrainën. Ai tashmë kontrollon pjesë të Gjeorgjisë, Moldavisë, në thelb të gjithë Bjellorusinë, pastaj kontrollon këto pjesë të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë. Dhe vetëm do të vazhdojë. Në një listë kërkesash që i paraqiti NATO-s në dhjetor, ai bëri thirrje për ndalimin e zgjerimit të Aleancës, pastaj për tërheqjen e forcave të sigurisë që mbrojnë aleatët e NATO-s në lindje dhe ndoshta mund të kërkojë tërheqje të tjera nëse kjo ka sukses.

Zëri i Amerikës: Por çfarë opsionesh ka Perëndimi për të parandaluar luftën në Evropë?

Volker: Jemi në mbrojtje, gjë që nuk duhet të jemi. Do duhej të jemi proaktiv. Duhej  aplikuar sanksionet e mëdha që administrata tashmë i ka premtuar. Nuk duhet të presim, sepse pushtimi tashmë po ndodhë. Kjo do të godas sistemet financiare, bankat, njerëzit në rrethin e Putinit, eksportin tonë të disa materialeve kryesore në Rusi. Të gjitha këto duhet të ndodhin menjëherë. Duhet të rrisim ndihmën dhe trajnimin tonë në planin e sigurisë në Ukrainë. Është e pabesueshme që tërhoqëm amerikanët që punonin për stërvitjen dhe ndihmuan ushtrinë ukrainase, në vend që të rrisim numrin e tyre në kohën kur ukrainasit kanë më shumë nevojë. Ne duhet të vazhdojmë të dërgojmë mesazh të fortë përmes NATO-s se çdo sulmi ndaj një anëtari të Aleancës do t’i përgjigjet duke përdorur forcën për ta mbrojtur atë. Duhet të jemi të prerë karshi faktit se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës është në interesin tonë. Përfundimisht, duhet t’i themi troç popullit rus se nëse Rusia bën pushtimin masiv të Ukrainës, se do të jetë viktimë. Rusët do të vrasin ukrainasit, ukrainasit rusët. Kjo do të ishte katastrofike. Dhe populli rus, për mendimin tim, nuk do ta mbështeste këtë.

Zëri i Amerikës: Po a mund të arrihet uniteti brenda Bashkimit Evropian kur është fjala për vendosjen e sanksioneve më të ashpra kundër Rusisë, duke pasur parasysh lidhjet e disa liderëve evropianë me Putinin dhe varësinë evropiane nga gazi rus?

Volker: Ka dy mënyra për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. A është sot Evropa e gatshme ta bëjë këtë? Me siguri jo. Mendoj se duhet të ushtrojmë presion mbi ta. Nuk ka arsye për të pritur. Ne duhet t’i vendosim ato sanksione menjëherë. Mirëpo, nëse nuk e bëjmë këtë sot, dhe nëse Rusia kalon në territorin ukrainas që nuk është i pushtuar dhe lufton kundër ushtarëve ukrainas, atëherë kjo nuk mund të kontestohet, madje as në Evropë. Pastaj do të vendosnin ato sanksione, duke përfshirë vendet që nuk do ta donin këtë.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të bëjë NATO për të mbrojtur anëtarët e saj?

Volker: Këtu situata është shumë më e mirë. NATO ka një strukturë të integruar ushtarake, të aftësuar dhe të stërvitur, seli dhe strukturë komanduese. Dhe  dislokoi si parandalim forcat më në lindje. Shumë aleatë të NATO-s, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, po dislokojnë forca në lindje, në Bullgari, Rumani, në shtetet baltike, Poloni dhe madje edhe në Gjermani, ku Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar forca shtesë. Jam i bindur se mesazhet e dërguara nga NATO janë shumë të forta dhe se Putini po i kupton ato. Megjithatë, problem është se me tërheqjen e një vije vëhet në dijeni se Ukraina dhe Gjeorgjia dhe Moldavia janë në anën tjetër. Në një farë mënyre, kjo i jep Putinit dritën jeshile. Ne duhet të tregojmë se jo vetëm që do të mbrojmë aleatët e NATO-s, por gjithashtu do të mbështesim ukrainasit, gjeorgjianët dhe të tjerët dhe mbrojtjen e tyre.

Zëri i Amerikës: Perëndimi ka paralajmëruar prej javësh  për një pushtim të mundshëm rus. Prapëseprapë, a dështoi në parashikimin e lëvizjeve të fundit të Putinit? A mund t’i kishte parandaluar?

Volker: Mendoj se administrata bëri një punë të mirë, duke vënë në dukje të gjitha veprimet ruse dhe kjo pati një ndikim të caktuar në Rusi. Megjithatë, ne mund të kishim bërë më shumë për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën – të ofronim më shumë ndihmë sigurie, trajnime,  të kishim angazhim dhe prani më të madhe. Disa mesazhe nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për tërheqjen e stafit diplomatik dhe civilëve dhe thirrjet për të mos shkuar në Ukrainë janë të gabuara, ato e trimërojnë Putinin, sinjalizojnë se nuk do të jemi atje për të ndihmuar Ukrainën. Mund të kishim bërë shumëçka tjetër, por disa gjëra i bëmë mirë./VOA/

Të fundit