E premte, 19 Gusht, 2022

Shqipëria mbyll hapësirën ajrore për avionët rusë

Shqipëria i është bashkuar Bashkimit Europian në masat shtrënguese kundër Rusisë, si përgjigje për agresionin e saj ndaj Ukrainës, raporton DW.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaꞔka, deklaroi të dielën në mbrëmje, (27.02) mbylljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë për avionët rusë. “Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme, (27.02) për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore apo nevoja ndërshtetërore. Shqipëria nuk do të marrë pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës”, theksoi ajo.

Fjala është për bojkotin e ndeshjeve të futbollit në kuadër të Ligës së Kombeve, ku ekipet përfaqësuese të Shqipërisë dhe Rusisë janë në të njëjtin grup. UEFA (Union of European Football Associations) kishte njoftuar më herët se ndeshjet e futbollit me Rusinë do të luheshin në fusha të vendeve neutrale.

Burime zyrare bënë të ditur në orët e vona të së dielës se edhe FIFA ( Federation Internationale de Football Association) vendosi t’u bashkohet sanksioneve duke ndaluar himnin kombëtar dhe flamurin rus në ndeshjet e kombëtares së Rusisë në vende neutrale.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme , Xhaꞔka, njoftoi gjithashtu të dielën në mbrëmje, kufizime për individë dhe subjekte ruse. “Shqipëria i është bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve të individëve që shkojnë nga Presidenti rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, anëtarët  e Këshillit të saj të Sigurisë Kombëtare që mbështetën njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare, Donjeckut dhe Luhanskut, si entititete të pavarura dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse. Në total këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte”, theksoi ministrja e Jashtme shqiptare.

Të fundit