E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Pse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s?

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka bërë thirrje NATO-s që të mos zgjerohet në Ukrainë apo në ndonjë ish-republikë tjetër sovjetike, duke shprehur shqetësimin për aleancën ushtarake dhe politike të krijuar si kundërpeshë ndaj ish-Bashkimit Sovjetik. Pse?

Shumë e shohin çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO si thelbësore për tensionet dhe krizën që kulmoi me nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia natën e 24 shkurtit.

Megjithatë, ka shpjegime të tjera se pse Rusia pushtoi Ukrainën.

LEXONI EDHE KËTË:

Trashëgimia e luftës së Putinit

Rusia kërkon që NATO-ja të mos i ofrojë kurrë anëtarësim Ukrainës. Ukraina, e cila fitoi pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, ka aspiruar prej kohësh të anëtarësohet në Aleancë, por nuk ka marrë një ftesë.

Vendimi i aleancës së NATO-s për të mos ftuar Ukrainën për anëtarësim është pjesërisht për shkak të korrupsionit zyrtar të Ukrainës, mangësive në ngritjen mbrojtjes së saj dhe kontrollit të dobët mbi kufijtë e saj ndërkombëtarë, shpjegohet në tekstin e portalit Just Security, “Pushtimi rus i Ukrainës në thelb nuk i përket NATO-s”.

Ky mendim mbështetet duke thënë se Rusia e di se zgjerimi i mëtejshëm i aleancës së NATO-s në lindje është pak i besueshëm, sepse disa anëtarë të Aleancës e kanë refuzuar prej kohësh këtë perspektivë, gjë që e bën të pamundur arritjen e konsensusit të nevojshëm. Rusia ka gjithashtu një aleat autoritar të NATO-s, kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili mund të ndihmojë në parandalimin e çdo konsensusi në të ardhmen, si dhe anëtarët e tjerë të NATO-s, ndërkaq Gjermania dhe Franca nuk e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës, Gjeorgjisë apo shteteve të tjera post-sovjetike.

Garancitë e sigurisë që Rusia kërkon tani, shkojnë përtej çështjes së anëtarësimit. Fjalimi i Putinit, më 21 shkurt, tregon se ai e sheh çdo bashkëpunim të sigurisë midis Ukrainës dhe NATO-s, që nga modernizimi i aeroportit e deri te trajnimi, si një “thikë në fyt [të Rusisë]”.

Si do ta paguajmë luftën e Rusisë?

Reagimi i NATO-s pas fillimit të pushtimit

NATO, të njëjtën ditë, më 24 shkurt, pak orë pas shpalljes së luftës në Ukrainë, filloi vendosjen e forcave shtesë të mbrojtjes tokësore dhe ajrore. Gjithashtu, siç është thënë nga selia e Aleancës Veri-atlantike , mjetet shtesë detare po vendosen në krahun lindor të Aleancës.

Vendimi është marrë pas një takimi të jashtëzakonshëm të Aleancës Veri-atlantike, ku rritja e gatishmërisë është shpjeguar me “përgjigjen ndaj të gjitha situatave të paparashikuara”.

Pas takimit, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, tha: “Paqja në kontinentin tonë është prishur. Ne tani kemi një luftë në Evropë në një shkallë dhe lloj që menduam se i përkiste historisë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

LEXONI EDHE KËTË:

NATO forcon krahun lindor pas nisjes së luftës në Ukrainë

Në fjalën e tij, Stoltenberg vuri në dukje se NATO-ja e ndihmoi Ukrainën në vitin 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë dhe se do të ndihmojë edhe tani, porse ukrainasit, për momentin, nuk mund të llogarisin në mbështetjen ushtarake të Aleancës.

Në deklaratë thuhet se veprimet e Rusisë përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike dhe mund të kenë pasoja të rënda gjeostrategjike.

Kur u themelua NATO?

Traktati për themelimin e Aleancës Veri-atlantike u nënshkrua në vitin 1949 nga 12 shtete. Ishte një Aleancë që supozohej të kundërshtonte Bashkimin Sovjetik të atëhershëm.

E fundit që iu bashkua Aleancës ishte Maqedonia e Veriut në vitin 2020.

NATO-ja ka 4,200 personel dhe ambasadat e vendeve anëtare kanë selitë e tyre në Bruksel. Aleanca po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara (OKB).

NATO-ja dhe OKB-ja kanë pika të përbashkëta në strukturën e organizatës, si organizata ndërkombëtare që mbështeten financiarisht nga shtetet anëtare. Të dyja organizatat dominohen nga ndikimi politik i fuqive perëndimore, në mesin e të cilave janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thekson revista The Conversation.

Megjithatë, dallimet ndërmjet NATO-s dhe OKB-së duhet të theksohen. NATO është një aleancë ushtarake, e gatshme për të luftuar nëse lind nevoja. Kombet e Bashkuara punojnë për të parandaluar dhe penguar luftën përmes misioneve paqeruajtëse, negociatave politike dhe mjeteve të tjera.

Marrëveshja e shkurtër obligon vendet anëtare të NATO-s të mbrojnë njëra-tjetrën në rast kërcënimi.

“Sulmi ushtarak kundër një anëtari do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve”, thotë neni 5 i traktatit.

Biden: Neni 5 është obligim i shenjtë

Ky nen u aktivizua pas sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju Jork, kundër Shteteve të Bashkuara dhe me fillimin e pushtimit të Afganistanit.

NATO-ja përdori gjithashtu mjete politike dhe ligjore për t’u përfshirë në luftën në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, në fund të viteve ‘90 dhe në fushatën e Irakut të vitit 2003.

Si të bëhesh anëtar i NATO-s?

Nga 12 shtete anëtare sa kishte në fillim, në 70 vjetët e fundit NATO është zgjeruar në 30 shtete. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja janë dy vendet e vetme joevropiane që janë anëtare të NATO-s. Shtetet anëtare mund të ftojnë vende të tjera evropiane që t’i bashkohen organizatës. Anëtarët e mundshëm duhet të ndjekin vlerat demokratike dhe të kontribuojnë në sigurinë euroatlantike në mënyrë që të merren në konsideratë.

Të ftuarit do të marrin Planin e Veprimi për Anëtarësim (MAP) që i këshillon se si të bëhen anëtarë dhe ky është një hap që duhet ndjekur në mënyrë që të pasojnë negociatat për anëtarësim.

Anëtarët e NATO-s duhet të nënshkruajnë unanimisht një protokoll për aderim me marrëveshjen në mënyrë që vendi të bëhet pjesë e organizatës.

Sa afër është Ukraina për t’u anëtarësuar në NATO?

Në samitin e NATO-s në Bukuresht, në vitin 2008, Aleanca mirëpriti aspiratat e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për anëtarësim. Aleanca u pajtua që “këto shtete do të bëhen anëtare të NATO-s”. Data e anëtarësimit në NATO për Ukrainën dhe Gjeorgjinë nuk ishte caktuar në atë kohë.

Por, Ukrainës dhe Gjeorgjisë nuk u është ofruar Plani i Veprimit për Anëtarësim. Shtetet anëtare të NATO-s kanë thënë se do të angazhohen “për të vënë në dukje çështjet që janë ende të hapura” në lidhje me aplikimin.

Disa ditë para pushtimit të Ukrainës nga Rusia, disa liderë perëndimorë, si kancelari gjerman, Olaf Scholz, kanë pakësuar perspektivën e Ukrainës për anëtarësim në Aleancë, duke e bërë të qartë se çështja nuk është në rendin e ditës në të ardhmen e parashikueshme.

Pse Putin shqetësohet kur Ukraina nuk është afër anëtarësimit në NATO?

Scholz ishte në Kiev më 14 shkurt, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyi. Një ditë më pas, ai shkoi në Moskë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha gjatë takimit se gjatë 30 vjetëve të fundit, atyre u ishte thënë se nuk do të kishte zgjerim të NATO-s, ndërkaq sot e shihnin infrastrukturën “para dyerve”.

“Nuk ka pasur asnjë përparim [për anëtarësimin e Ukrainës] në 14 vjetët e fundit”, tha Samuel Charap, politolog i lartë për planet e veprimit në RAND Corporation, transmetoi Euronews.

Presidenti i atëhershëm ukrainas, që ishte pro-Moskës, Viktor Yanukovych, tha se nuk kishte nevojë që vendi të anëtarësohej në NATO dhe në vitin 2010 Parlamenti votoi që vendit të ketë status neutral.

Pas përmbysjes së Yanukovych dhe aneksimit të Krimesë nga Putin, kryeministri Arseniy Yatsenyuk, tha se pozicioni i vendit për anëtarësimin në NATO kishte ndryshuar. Parlamenti i Ukrainës miratoi një ligj në vitin 2017 që rivendosi anëtarësimin në NATO si synim të vendit dhe më vonë u miratuan ndryshimet në Kushtetutë.

Ukraina, me një popullsi prej 52 milionë banorësh, u bë partnere e NATO-s në vitin 2020, me aftësi të përmirësuara, duke mundësuar më shumë shkëmbim informacioni dhe qasje në stërvitjet me organizatën.

“Atë status e ka edhe Finlanda dhe me siguri që është ndoshta partnerja më e aftë dhe më e rëndësishëm e NATO-s, e cila nuk është anëtare e organizatës” tha Charap.

Ellis: Ukraina ka nevojë për mbrojtje kolektive ushtarake

Për procesin ukrainas të hapjes së aplikacionit, ministri i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, tha në shtator të vitit 2021 se ky proces “po zvarritej për kohë të gjatë dhe të pahijshme”.

Në fjalimin e tij, në mbrëmjen e vonë të 24 shkurtit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, pyeti nëse Ukraina do të jetë anëtare e Aleancës së NATO-s –“Çfarë garancish do të marrim? Dhe më e rëndësishmja, cilat vende do të na japin ato garanci?”, tha Zelenskyi.

“Sot pyeta 27 liderë evropianë nëse Ukraina do të jetë në NATO. Pyeta drejtpërdrejt – të gjithë kanë frikë, askush nuk përgjigjet. Por, ne nuk kemi frikë, nuk kemi frikë nga asgjë. Ne nuk kemi frikë të mbrojmë vendin tonë, nuk kemi frikë nga Rusia, nuk kemi frikë të flasim me Rusinë, nuk kemi frikë të flasim për çfarëdo qoftë, për garancitë e sigurisë për vendin tonë, nuk kemi frikë të flasim për neutralitetin, aktualisht nuk jemi anëtare e NATO-s. Por, çfarë garancie do të marrim? Dhe më e rëndësishmja, cilat vende do të na japin këto garanci?”, tha presidenti ukrainas.

Presidenti i Ukrainës: Do ta mbrojmë vendin

Finlanda po rishqyrton pozicionin e saj neutral

Në dritën e ngjarjeve me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, disa vende evropiane po rishikojnë pozicionin e tyre neutral në lidhje me Aleancën e NATO-s. Finlanda tani po mendon zëshëm nëse duhet t’i bashkohet Aleancës, gjë që lë mënjanë ultimatumin e Moskës që Aleanca ushtarake të kufizojë zgjerimin e saj në Evropë.

Më herët, presidenti finlandez, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja, Sanna Marin, theksuan se vendi ruan mundësinë për të kërkuar anëtarësimin në NATO në çdo kohë.

“Le të theksohet edhe një herë: hapësira e manovrimit dhe liria e zgjedhjes së Finlandës përfshin gjithashtu mundësinë e koordinimit ushtarak dhe aplikimit për anëtarësim në NATO, nëse vendosim kështu”, tha Niinisto, më 25 shkurt në Helsinki.

“Finlanda është gati të aplikojë për anëtarësim në NATO nëse çështjet e sigurisë kombëtare bëhen akute”, theksoi kryeministrja Marin.

Rusia dhe NATO

Mes paqëndrueshmërisë intensive politike dhe ekonomike në Rusi gjatë viteve ‘90, kundërshtimi ndaj Aleancës Veri-atlantike ishte një nga çështjet e pakta që bashkonte vendin dhe spektrin e tij të fragmentuar politik, thuhet në dokumentet konfidenciale nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare në Universitetin Georg Washington në Uashington, shkruan portali gjerman DW.

“Besojmë se zgjerimi i NATO-s në lindje është një gabim serioz”, tha Boris Yeltsin, presidenti i parë post-sovjetik i Rusisë, në një konferencë shtypi në 1997, kur nënshkroi një deklaratë për kontrollin e armëve me presidentin e SHBA-së, Bill Clinton.

Raportet e paqëndrueshme midis Rusisë dhe NATO-s

Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s u vendosën në vitin 1991. Në vitin 1994, Rusia iu bashkua Partneritetit për Paqe.

Në vitin 1997, NATO-ja dhe Rusia nënshkruan një dokument për marrëdhëniet reciproke, për bashkëpunimin dhe sigurinë, ndërkaq Këshilli NATO-Rusi (NRC) u krijua më 2002.

Moska ka fituar qasje dhe prani të përhershme në selinë e NATO-s në Bruksel. Megjithatë, këto marrëdhënie janë ndryshuar thellësisht për të keq që nga viti 2014.

Pas aneksimit rus të Gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014, NATO vendosi unanimisht të pezullojë të gjithë bashkëpunimin praktik me Federatën Ruse. Këshilli NATO-Rusi, i krijuar si një mekanizëm për konsultim, ndërtim konsensusi, bashkëpunim, vendime të përbashkëta dhe veprim të përbashkët, mbeti në fuqi. Në kuadër të NRC-së, shtetet individuale anëtare të NATO-s dhe Rusia kanë bashkëpunuar si partnerë të barabartë në një gamë të gjerë çështjesh të sigurisë dhe të interesave të përbashkëta.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Të fundit