E mërkurë, 17 Gusht, 2022

PRESIDENTI SLLOVEN U KËRKON FALJE TË ‘Ç’REGJISTRUARËVE’

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, u kërkoi falje njerëzve të cilëve më 1991 iu hoq e drejta e qëndrimit në këtë vend, sepse nuk kishin aplikuar brenda afatit për të marrë shtetësinë sllovene. Agjencitë e lajmeve thonë se fjala është për rreth 25.000 persona nga bashkësitë e tjera etnike nga hapësirat e ish-RSFJ-së, të cilët në vitin e pavarësisë sllovene mbetën pa dokumente identifikimi dhe u privuan nga të drejtat e deriatëhershme për punë dhe të drejtat sociale. Më vonë të njëtët u cilësuan si jo-sllovenë të ‘ç’regjistruar’.

TV Al Jazeera thotë se me një vendim të tillë ata praktikisht u fshinë nga regjistri i banorëve të përhershëm, që do të thotë se brenda natës humbën të drejtën e qëndrimit dhe praktikisht u bënë të huaj. Duke pranuar përfaqësues të tyre, të premten, presidenti slloven Borut Pahor, kërkoi zyrtarisht falje në emër të shtetit, duke thënë se ishte një vendim antikushtetues dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

‘Sot ne po i japim fund një herë e përgjithmonë periudhës së mohimit dhe mosnjohjes së të gjitha vuajtjeve dhe pasojave të rënda tragjike të këtij akti të paligjshëm, antikushtetues dhe diskriminues,’- transmeton KDP deklaratën e presidentit Pahor. Sipas tij,  Sllovenia merr edhe përgjegjësinë morale për fshirjen e pajustifikuar të këtyre njerëzve nga regjistri i popullsisë dhe se  në mesin e të ‘ç’regjistruarëve’ atëbotë ka pasur edhe mbi pesë mijë fëmijë.

Për problemin e të ‘ç’regjistruarëve’ kishin folur  mevite nga organizatat joqeveritare, ndërsa më vonë dekretin për heqjen e vendbanimit slloven të këtyre personave nga pikëpamja kushtetuese e anuloi edhe Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, më 2014,  duke shqyrtuar padinë e disa të ‘ç’regjistruarëve’, vendosi në favor të tyre dhe urdhëroi Slloveninë që gjashtë  ankimuesve t’u paguajë nga 20.000 euro  në emër të dëmit jomaterial për shkak të cënimit të të drejtave të njeriut.

 

Të fundit