E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës armë anti-tank dhe armë kundërajrore

Shtetet evropianë kanë shtuar angazhimin e tyre në dërgimin e armatimit për Ukrainën. Gjermania është shteti më i fundit që do të dërgojë sasi të konsiderueshme armatimi në Ukrainë

Gjermania ka miratuar dërgimin e një sasie të konsiderueshme armësh për Ukraninën e cila prej tri ditësh është duke u përballur me luftime kundër forcave ruse.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, në Twitter ka njoftuar se bëhet fjalë për njëmijë armë anti-tank si dhe raketa të tipit stringer, armë kundërajrore.

“Pushtimi rus shënon një pikë kthese. Është detyra jonë të mbështesim Ukrainën më miri që mundemi për t’u mbrojtur kundër ushtrisë pushtuese të Putinit. Kjo është arsyeja pse ne po dërgojmë 1,000 armë kundër-tank dhe 500 raketa Stinger për miqtë tanë në Ukrainë”, ka shkruar kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ky vendim është një kthesë të madhe në politikën e kahershme gjermane për ndalimin e eksportit të armëve në zonat e konfliktit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, i cili është duke qëndruar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ka përshëndetur vendimin e qeverisë gjermane. Zelenskyi ka thënë se është duke vepruar koalicioni kundër luftës.

“Gjermania sapo ka njoftuar ofrimin e granatahedhësve kundër-tank dhe raketave Stinger për Ukrainën. Vazhdo kështu, kancelar Olaf Scholz. Koalicioni kundër luftës në veprim”, ka shkruar presidenti Volodymyr Zelenskyi.

Deri më tani edhe disa shtete të tjera evropiane duke përfshirë Holandën që njoftoi se do të dërgojë 200 raketa Stinger në Ukrainë si dhe Republika Çeke që tha se do të dërgojë armatim në vlerë prej 8.5 milionë dollarësh.

Ndërkohë edhe Britania e Madhe tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që të ndihmojë Kievin “që të përballojë agresionin rus”.

“Kjo pako do të përfshijë ndihmë vdekjeprurëse në formë të armëve mbrojtëse si dhe ndihmë jovdekjeprurëse”, tha kryeministri Boris Johnson para Parlamentit britanik më 23 shkurt.

Britania është në mesin e shteteve më të zëshme në Perëndim që ka dënuar veprimet ruse dhe ka mbështetur Ukrainën. Britania po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës./REL

Të fundit