E premte, 19 Gusht, 2022

STUDENTËT ANKOHEN PËR MUNGESËN E PROFESORËVE

Disa studentë janë ankuar për mungesë të profesorëve, të atyre që vijnë nga jashtë, gjë që pamundëson marrjen e vlerësimeve përfundimtare. Nga Parlamenti Studentor theksojnë se e kanë ngritur këtë çështje dhe presin zgjidhje të problemit. Dekanët e fakluteteve thonë se aty ku shfaqet ky problem duhet reaguar menjëherë me formim komisioni, sepse studentët gjithmonë janë në plan të parë.

 Shkruan: Puhiza Osmani

 Sfidat e studentëve mbeten të shumëllojshme. Një ndër to është edhe dukuria e mungesës së profesorëve, në veçanti e atyre që vijnë nga jashtë shtetit që krijon probleme për kryerjen e obligimeve ndaj studentëve. Ky problem duket se krijon komplikime për studentët, të cilët nuk arrijnë që t’i kenë vlerësimet përfundimtare. Ata thonë se për shkak të mungesës së profesorëve nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët largohen në fundt të vitit akademik, pas sesionit të provimeve, mbeten pa vlerësimin përfundimtar.

Nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, dhe nga Fakulteti i Bujqësisë dhe teknologjisë shprehen se përballen me sfida të ndryshme në fakultet, siç janë vështirsitë financiare, ekuilibri, përshtatja me mjedisin e ri etj, por krahas tyre shqetësimi më i madh qëndron në faktin se a do të kthehen profesorët që janë jashtë vendit, për shkak se shumica prej tyre janë në prag të diplomimit dhe nuk i kanë marrë akoma vlerësimin e lëndëve nga viti i parë akademik.

Nga Parlamenti Studentor theksojnë se disa herë janë ankuar në lidhje me këtë ptoblematikë, por nuk ka pasur asnjë rezultat.

“ Ky fenomen është paraqituar pothuajse në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tetovës. Vazhdimisht po drejtohemi tek dekanët e fakulteteve përkatëse që studentët po përballen me këtë problem, jemi drejtuar gjithashtu tek Sekretari i përgjithshëm madje edhe në rektorat, duke na premtuar që do të formohet komision nga ana e profesorëve, por akomo nuk është realizuar”, thonë nga Parlamenti Studentor.

Profesori i Fakultetit të Drejtësisë, Mersim Maksuti thotë se studenti është në plan të parë dhe se shërbimet ndaj studentit duhet të jenë në radhë të parë dhe ndaj kësaj problematike institucionet përkatëse duhet me një vëmendje dhe përkushtim të veçantë t’iu qasen rasteve të tilla çdoherë kur paraqiten.

“ Universiteti dhe fakultetet përkatëse duhet të gjejnë zgjidhje adekuate për të gjitha rastet d.m.th të profesorëve që janë jashtë Universitetit të Tetovës, sidomos të cilët janë jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përgjegjësia bie fillimisht mbi institucionin përkatës që të gjejë zgjidhje të tilla si formimi i komisioneve të ndryshme apo zëvendësimit të profesorëve të tillë ”, thotë Maksuti.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Ali Rami thotë se kjo problematikë nuk është e shprehur në fakultetin ku ai dhe ligjëron: “ Unë kam profesorë të angazhuar nga Shqipëria, por ky fenomenen nuk është prezent në fakultetin tonë. Pra studentët në asnjë mënyrë nuk humbin kohë në procesin mësimor, ata i marrin në kohë raportet e vlerësimit në formë elektronike, dhe sa u përket studentëve që kanë pasur nevojë për nënshkrime, profesorët nga Shqipëria kanë qenë gjithmonë prezent”, thekson Ramiu.

Ai thekson se nëse një rast i tillë ndodh dekanati formon komision adekuat me pjesëmarrje nga tre profesorë për lëndën përkatëse.

Profesori Bejtulla Emini nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin “Nënë Tereza”,  thotë se në fakultetin në të cilin ligjëron nuk ka rastisur të ketë ndodhur një problem i tillë, po të ndodhte patjetër që do të diskutohej në ndonjë mbledhje të Këshillit mësimor shkencor, të ciliët do të merrnin për bazë ngritjen e një komisioni.

Ky problem ekziston, ndërkohë që kërkohen zgjidhje për të. Iu mbetet fakulteteve që ballafaqohen me një problem të këtillë të gjejnë zgjidhjet përkatëse në mënyrë që mos humbin kohë studentët, sepse edhe vetë dekanët theksojnë që studentët janë në plan të parë.

 

 

Të fundit