E premte, 19 Gusht, 2022

GAZETARI RUS: SERBIA NË PIKË TË ZORIT

Pas përkeqësimit të vrullshëm të situatës në Ukrainë, rajoni duhet të përcaktohet, don ose jo. Pra, secili vend veç e veç,- thotë në një intervistë për të përditshmen e pavarur serbe ‘Danas’,  Genadi Sisoyev, gazetar dhe njohës i mirë rus i zhvillimeve  në Ballkan.

Sa i përket Malit të Zi, shton ai, të paktën përmes gojës së presidentit të tij Milo Gjukanoviq, ai u përcaktua. “Ai, menjëherë këtë mëngjes, dënoi operacionin ushtarak dhe hyrjen e trupave ruse dhe mbështeti plotësisht Ukrainën”. Reagimi vendimtar që pritet tani është reagimi i Serbisë dhe Bosnjës. Sidomos Serbisë, thekson Sisojev.

‘Mendoj se presidenti i Serbisë tani do të jetë në telashe të mëdha, ai duhet të përcaktohet, sepse nuk mund të përdorë më fjali sa për sy e faqe, për shkak se ato nuk do ta kënaqin as Perëndimin dhe as Rusinë. Nëse ai nuk dënon veprimet e Rusisë, atëherë rrezikon të prishë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, nëse në njëfarë mënyre dënon pjesërisht, madje  edhe të mos  mbështesë hapat e Rusisë, ai do të ketë probleme me Federatën Ruse, e cila e konsideron Serbinë dhe presidentin Vuçiq si partnerin e vet strategjik’. Në rajon, citon KDP  gazetarin dhe analistin rus për median në Beograd, Serbia do të jetë në telashet më të mëdha. Sepse tani duhet të përcaktohet

  • Fronti Demokratik në Mal të Zi ka filluar bllokimin e rrugëve. Çfarë mund të pritet?

Mali i Zi ka lënë prapa fazën e përcaktimit mes Lindjes dhe Perëndimit  gjatë vitit 2015/2016 kur u anëtarësua në NATO. Megjithatë, forca politike në Mal të Zi, siç është Fronti Demokratik, që konsiderohet një strukturë pro-serbe dhe pro-ruse, do të duhet të përcaktohet.

Vendimi i tyre për të filluar bllokada njëorëshe në rreth dhjetë qytete dhe magjistrale në Mal të Zi përkoi faktikisht me fillimin e operacionit të Rusisë. Rusët presin gjithashtu që ata të mbështesin operacionin e tyre ushtarak në Ukrainë.

Nëse ata e mbështesin këtë operacion, atëherë BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin vetëm edhe një tjetër konfirmim të fortë për atë  që tha i dërguari amerikan Gabriel Escobar – se ata nuk janë partnerë për Perëndimin. Nëse heshtin dhe nuk mbështesin të paktën pjesërisht operacionin rus, atëherë përfundimisht do të prishin marrëdhëniet e tyre me Rusinë.

  • Çfarë po ndodh me Bosnjë e Hercegovinën?

BeH si dhe Serbia po ashtu do jetë në vështirësi. Jo për shkak të deklarimit që atje  pak a shumë është i qartë, por për shkak se kjo do të thellojë edhe më hendekun midis forcave politike në BeH. Një pjesë e Presidencës së BeH dënon pushtimin rus dhe do të qëndrojë me vendosmëri në këtë qëndrim. Çështja është se çfarë qëndrimi do të mbajë Dodik. Ai do të jetë në të njëjtën telashe si Vuçiq, ndoshta më pak, sepse roli i tij nuk është edhe aq i madh dhe rreziku për të është shumë më i vogël sesa për Vuçiqin. Ai gjithsesi është në listën e zezë të BE-së dhe SHBA-së dhe rreziku i tij është shumë më i ulët.

  • Paralajmërohet se NATO po dërgon trupa shtesë në BeH!

Sa i përket rritjes eventuale të pranisë së forcave të NATO-s në BeH, kjo nuk mund të ndikojë dukshëm në situatën atje, është afërsisht e ngjashme me atë që  NATO dërgon disa qindra ose disa mijëra ushtarë, të themi, në vendet baltike, në Poloni. Pra, është përafërsisht më tepër një gjest simbolik sesa një gjest që mund të ndryshojë realisht një situatë ushtarako-politike në ato vende.

  • Sigurimsi i Putinit, Nikolai Patrushev është planifikuar të mbërrijë në Beograd të hënën. Çfarë mund të presim?

Nëse do të realizohet kjo vizitë, dhe mendoj se do të realizohet, tani kjo vizitë kurrsesi nuk i konvenon Vuçiqit, sepse ai padyshim që do ta pyes direkt: a e përkrahni strategjinë tonë apo jo? Dhe kjo ka për t’i rritur edhe më, atë që thamë në fillim, vështirësitë në të cilat është gjetur Aleksandar Vuçiq.

Nëse ai nuk e mbështet Rusinë, do të humbasë të gjitha përfitimet dhe gazin e favorshëm dhe gjithçka tjetër që kishte në raport me rusët, dhe në fakt Vuçiq do të humbasë atë që thuhet se është karrigia ruse në të cilën rri me shumë komoditet. Nëse në njëfarë mënyre mbështet rusët, atëherë ai përfundimisht do të humbasë karrigen evropiane. Sidoqoftë, si pasojë e kësaj krize, madje shumë shpejt do të ndryshojë situatën për të – ai nuk do të jetë në gjendje të ulet në dy karrige, ai do të duhet të zgjedhë njërën.

  • Lavrovi para disa ditësh deklaroi: Të drejtën e sovranitetit duhet respektuar vetëm kur është fjala për shtete të cilat përfaqësojnë gjithë popullin i cili jeton në territorin e tyre. Si duhet intepretuar këtë?

Këtë e lexova se ai tha se sovraniteti duhet respektuar vetëm për vendet që përfaqësojnë interesat e të gjithë popullit të tyre. Në një farë mënyre, ky është shtjellimi i tezës së paraqitur nga Putini në fjalimin e tij të së hënës, kur njohu dy republikat e Donetskut dhe Luhanskit. Ai atëherë faktikisht tha se Ukraina u krijua së pari me vendimin e Leninit, kurse gjatë shtatë vitet e fundit, pas 2014, ajo është gjysmë koloni, protektorat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe Lavrov e shtjelloi këtë tezë. Ky pozicion i kreut të diplomacisë ruse është paksa i diskutueshëm dhe realisht është shpatë me dy tehe. Sepse mund të ketë reflektime të rrezikshme në çdo rajon.

Kur është fjala për Ballkanin, nëse i përmbahemi atij qëndrimi – sovraniteti duhet t’i njihet vetëm atij shteti që shpreh interesat e të gjithë popullsisë – po Bosnja nuk bën pjesë në këtë, madje një pjesë e Bosnjës konteston edhe organizzimin qendror të pushtetit, konteston këtë shtet. Pra, sipas kësaj logjike Bosnja nuk ka sovranitetin e saj. Shkojmë më tej. Sipas kësaj logjike të shefit të diplomacisë ruse – shikoni Kosova, sipas Kushtetutës së Serbisë është pjesë përbërëse e Serbisë. Por, sigurisht, Kosova mohon çfarëdo pushteti dhe kompetencë nga ana e Beogradit. Pra, nëse i marrim këto dy pika, Serbisë  nuk i duhet njohur sovraniteti?!

Dhe le të vazhdojmë, kudo edhe në vetë Rusinë, në Kinë, dua të them edhe në Tajvan dhe Hong Kong, pavarësisht se tani janë  zyrtarisht pjesë e territorit të Kinës, ata nuk e njohin plotësisht atë sovranitet. Pra, çfarë, edhe Kina nuk e ka këtë sovranitet? Prandaj thashë se ky në instancë të fundit është një qëndrim i diskutueshëm i Lavrovit, kurse realisht mund të jetë edhe i rrezikshëm.

  • Putini i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta njohë Krimenë. Në këtë rast a duhet që Putini ta njohë Kosovën?

Kur është fjala për atë tezë dhe krahasimin e Krimesë dhe Kosovës, ajo që insiston Rusia kurrsesi nuk i konvenon Serbisë. Kur Putin i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se Krimea i përket Rusisë, ai tha se në referendum më shumë se 90 për qind votuan për të. Po edhe në Kosovë, mendoj se ka pasur dy ose tre referendume në 15 vitet e fundit dhe gjithmonë ka pasur po 90 përqind. Kjo do të thotë se insistimi i Rusisë në këtë tezë absolutisht e minon pozicionin e Beogradit ose është në kundërshtim me qëndrimin e Beogradit.

  • A do ta frenojnë sanksionet regjimin në Moskë?

Thelbi është se sanksionet shtesë që u paralajmëruan si sanksione të paprecedentë, sigurisht që do të jenë shumë herë më të rënda sesa ato të viteve  2014/2015 dhe  nga fillimi i krizës në Ukrainë. Po ashtu, nuk mendoj se do të ketë një pushtim klasik të Kievit, siç e pamë në vitin 2008, kur trupat ruse ishin 25 metra larg Tbilisit, por hoqën dorë, për shembull, nga pushtimi i kryeqytetit të Gjeorgjisë. Ata që atëherë njohën Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut dhe morën atje  baza ushtarake ruse. Pra, kur të arrihet ndonjë nga objaketivat strategjike, dhe ka shumë kërkesa, përveç çmilitarizimit që paraqiti Putini dhe tërheqjes së Ukrainës nga anëtarësimi në NATO, Rusia padyshim do të bëjë presion derisa të ndjejë se Kievi është gati t’i realizojë ato kërkesa.

  • A janë pretendimet e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO arsyeja e vërtet për invadimin e Putinit?

Gjithmonë ka arsye më të larta, por kjo është arsyeja kryesore – Rusia dëshiron të parandalojë me çdo kusht hyrjen e ardhshme të Ukrainës në NATO. Dhe kjo është në qendër të të gjitha strategjive të Rusisë në muajt e fundit.Së pari tentoi  që përmes Marrëveshjeve të Minskut  Donbasi të fitojë, të them thjesht, statusin e Republikës Srpskës. Kur nuk pati sukses me këtë, atëherë ajo njohu dy republikat – Donetskun dhe Luganskin. Dhe ja hapi tjetër që po shohim është instalimi faktik ushtarak i Rusisë, qoftë edhe në lindje të Ukrainës.

  • A është ky fillimi i fundit politik të Putinit?

Të gjitha këto janë spekulime, për shkak se në Rusi nuk ka opozitë të vërtetë. Një pjesë e opozitës faktikisht ose bashkëpunon me pushtetin ose opozita faktikisht  është shuar. Edhe faktori tjetër që flet se kjo nuk është reale është fakti se  shumica e mediave është nën kontrollin e pushtetit. Pra, realisht nuk mund të pritet ndonjë tension./ Danas.rs/

Të fundit