E mërkurë, 17 Gusht, 2022

LAMTUMIRAT E PËRSHPIRTSHME!

Ikja nga kjo botë e shkrimtarit Luan Starova ka ngjallur trishtim. Miq të shumtë e kanë përshkruar përshpirtshëm përmasën e tij si shkrimtar kalibër dhe si njeri i jashtëzakonshëm. Opusi letrar i Luan Starovës ngre metaforën e madhe të Ballkanit në dimensionet e universales, në dimenensionet më të mira të letërsisë së përbotshme.

KDP

Ikja nga kjo botë e shkrimtarit Luan Starova ka ngjallur trishtim. Miq të shumtë tê shkrimtarit kanë shprehur pikëllimin e tyre nê rrjetet sociale.
“Sot iku në amshim një njeri e shkrimtar i madh, një humanist i pashoq në këtë epokë të dehumanizuar, iku strombullari i letërsisë shqipe dhe përkrahësi i sinqertë i brezit tim. Nuk do ta harroj kurrë arrdhjen e tij për të folur në promovimin e librit tim, në një acar ekstrem prej -20C, por që mu ngroh zemra sa e pashë kokën e tij të bardhë, ashtu siç e kishte edhe shpirtin. Të qoftë i lehtë dheu pa kufij, ashtu siç e kishe edhe letërsinë”, ka shkruar në profilin e tij në FB, poeti Lulzim Haziri.

“Lajmi për ikjen tënde më ngriu zemrën, mik e vëlla i dashtun. Do të të kujtoj gjersa të mbyll sytë dhe vetë”, ka shkruar në profilin e tij, krijuesi dhe njëri ndër studiuesit më të kompletuar të prozës së Starovës, Fatmir Sulejmani.

Secili nga miqtê e shkrimtarit ka shprehur pikëllimin për ikjen e shkrimtarit nga kjo botë, duke ravijëzuar profilin e tij krijues.

“Sot edhe nje lajm trishtues! Humbem nje njeri te madh, shkrimtarin dhe akademikun tonë të shquar, Luan Starova”, ka shkruar në llogarinë e tij në FB, piktori Reshat Ahmeti.
“Shuhet Luan Starova, kronikani i mbijetesës sonë ndër shekuj!”, ka shkruar gazetari Seladin Xhezairi.
“Humbja është e madhe. I mbylli sytë, iku nga kjo botë shkrimtari jonë i përmasave botërore, kolosi i letërsisë shqipe dhe botërore, akademiku Luan Starova. Patëm fatin të jemi bashkëkohanikë të kësaj figure markante të letrave, të takohemi, të këmbejmë mendime, të dëgjojmë fjalë të arta nga urtësia e tij e thellë intelektuale.
E kisha profesor dy vjet gjatë studimeve, kur e njoha dhe fillova të ndjej admirim për sjelljen, kulturën, nivelin e tij intektual. Autori i romanit “Koha e dhive”, çdo herë, hijerëndë, si akademik na jepte një siguri se akoma kemi dijetar të kalibrit botëror, me të cilin mund të krenohemi.
Do të më mbetet në kujtim bashkëpunimi me profesorin tim të nderuar gjatë transferimit të veprave të piktorit tonë të madh, Omer Kaleshi nga Franca dhe hapja e galerisë së përkohshme në ITKSh, kur në finalizimin e iniciativës mbajti një fjalim mbresëlënës si kritik i vërtetë i Kaleshit dhe na motivoi për më shumë aktivitete institucionale kulturore, që do të mbeten të pashlyeshme në historikun e angazhimeve tona”, ka shkruar Behixhudin Shehapi.
“Luan Starova mbetet shkrimtari i mendësisë europiane dhe shqiptare, një njeri i jashtëzakonshëm i miqësive të përshpirtshme. Një shqiptar europian që transkriptoi në opusin e tij të gjerë letrar qenësinë shqiptare në trazimet e arratisë së pafundme ballkanike, njashtu siç ishte edhe fati i tij. Saga ballkanike e Starovës është monumenti letrar më i jashtëzakonshëm i rajonit atipik që mbetet gjithnjë i kreshpëruar në mjegullat e historisë. Një humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare”, ka shkruar krijuesi, Bardhyl Zaimi.
Luan Starova mbetet një emër i veçantë i letërsisë dhe kulturës shqiptare. Me një opus të gjerë krijimtarie letrare ai mbetet në piadestalin e letrave shqipe. Romanet e tij tashmë janë pjesë e letërsisë së përbotshme. Luan Starova është njëri ndër shkrimtarët më të përkthyer shqiptar.
Letërisa e Starovës dallohet për metaforat e ekzilit dhe mbijetesës, një letërsi që substancën autobiografike e ngre në një vlerë letrare universale. Saga ballkanike, por edhe romanet tjera të tij mbajnë vulën e botës shqiptare. E thotë edhe vetë në një intervistë se letërsia që krijon pavarësisht se nê cilën gjuhë frymon shqip.

Të fundit