E mërkurë, 17 Gusht, 2022

SONJA BISERKO: PAS UKRAINËS MUND TË PRITET KAOS EDHE NË BALLKAN

‘Ballkani Perëndimor që nga fillimi i krizës ukrainase është fronti i dytë i cili mund të aktivizohet në çdo kohë dhe në këtë kuptim duhet të monitorohen nga afër të gjitha lëvizjet e Moskës dhe qëndrimi i saj ndaj Ballkanit, para së gjithash ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, pastaj Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Është një hapësirë ​​ku Rusia ka disa vite që operon në forma të ndryshme sigurie, mbi të gjitha. Mund të pritet, që është një nga mundësitë, të aktivizohet një kaos edhe në Ballkan,’- kështu ka deklaruar për Tv Al Jazeera, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Sikurse transmeton KDP, Biserko tha, po ashtu, se  ndërhyrja ruse në Ukrainë, në njëfarë mënyre e vë Serbinë në një situatë ku nuk mund të presë shumë nga Rusia kur është fjala për Kosovën, sepse Rusia i identifikon  veprimin në lindje të Ukrainës  me atë në Kosovë

– A ishte i pritshëm sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe çfarë pasojash mund të ketë në situatën në atë pjesë të Evropës dhe çfarë reflektimesh mund të ketë në Ballkanin Perëndimor?

– Natyrisht se ky pushtim nuk është befasi, sepse ishte i pritshëm. Megjithatë, ajo që do të vendosë dukshëm për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve është se si do të reagojë Perëndimi, gjegjësisht NATO dhe nëse do të jetë në gjendje të marrë iniciativën dhe t’i rezistojë disi pushtimit dhe të nisë negociatat. Tani kjo ende nuk është në dukje.

Nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor që nga fillimi i krizës ukrainase është fronti i dytë i cili mund të aktivizohet në çdo kohë dhe në këtë kuptim duhet të monitorohen nga afër të gjitha lëvizjet e Moskës dhe qëndrimi i saj ndaj Ballkanit, para së gjithash ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, pastaj Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Është një hapësirë ​​ku Rusia ka disa vite që operon në forma të ndryshme sigurie, mbi të gjitha. Mund të pritet, që është një nga mundësitë, të aktivizohet një kaos edhe në Ballkan.

Duke qenë se radikalizimi përmes Milorad Dodikut tashmë ka arritur kulmin kur SHBA-të reaguan dhe nisën një ofensivë diplomatike, por deri më tani nuk ka rezultate të dukshme, kështu që e gjithë kjo tregon se Perëndimi ka kohë që priste që Putini të pranojë negociatat.

Tani, megjithatë, pritet një reagim më i fortë dhe në këtë kuptim, pres një angazhim më të madh në Ballkanin Perëndimor. Do të ishte mirë të paralajmërohej për çdo veprim që mund të ndërmarrë Rusia në Bosnje dhe Hercegovinë.

– Pra, pas sulmit ndaj Ukrainës, a mund të pritet që Rusia të fillojë të prodhojë kaos në Ballkanin Perëndimor?

– Po. Mund të ndodhë kjo. Kjo është latente gjatë gjithë kohës, sepse Rusia ka vite që ng aspekti i sigurisë po e mbështet Dodikun. Ai vetë nuk mund të luante një rol të tillë pa mbështetjen e Beogradit dhe mbi të gjitha të Moskës.

– Si mund të ndikojë kriza e Ukrainës në vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të  Zi dhe Kosovë?

– Që nga fillimi i përshkallëzimit të krizës në Ukrainë, kemi në të njëjtën kohë përshkallëzimin e krizës në Ballkanin Perëndimor. Sidomos sjellja e Milorad Dodikut, e cila në fakt çoi thuajse deri në pikën e shpërbërjes së Bosnjë e Hercegovinës ku u paraqit në skenë diplomacia amerikane dhe ajo evropiane dhe aktualisht kemi një ofensivë për të cilën nuk e dimë se çfarë epilogu do të ketë. Kemi dy fronte të hapura në të njëjtën kohë, sepse ajo që ndodhi në Republika Srpska, pra sjellja e Milorad Dodikut, sigurisht që nuk është pa mbështetjen e Beogradit dhe mbi të gjitha të Moskës. Në këtë mënyrë, Moska i ka hapur dy fronte komunitetit perëndimor – në Ukrainë dhe në Ballkanin Perëndimor, me përshkallëzim dhe fokus më të madh në Ukrainë; po e shohim se si po zhvillohet kjo. Situata në Ballkanin Perëndimor është shqetësuese, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak se dështoi përpjekja për të arritur një marrëveshje për kodin zgjedhor, por edhe gjithçka tjetër është vënë në pikëpyetje dhe Milorad Dodik vazhdon me radikalizimin e tij. Ndërkohë, edhe Kroacia insiston në pozitën e kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë, kështu që situata është larg marrëveshjes.

Në Mal të Zi kemi një situatë ku “bota serbe”  deri diku është frenuar, por as formimi i qeverisë së re nuk garanton zhvillimin dhe kthimin e Malit të Zi në normalitet. Në skenë u kthye DPS-ja si parti që do të mbështesë qeverinë e re të pakicës, por nuk duhet harruar se Moska mund ta përshkallëzojë situatën në çdo moment përmes shërbimeve të sigurisë të Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe. Ardhja e sigurimsit nga Moska më 28 shkurt sjell risi. Edhe pse vizita e tij ishte paralajmëruar për shkak të luftëtarëve të luftës nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria në Ukrainë. Nuk e di sa e besueshme është, por kjo nuk është arsyeja e vetme, disa procese në Ballkanin Perëndimor lehtë mund të intensifikohen.

– Si paraqitet kriza në Ukrainë në Serbi dhe a ka publiku i atjeshëm një pasqyrë të vërtetë për atë që po ndodh?

– Ajo që është shqetësuese kur është fjala për vetë Serbinë, të paktën kur bëhet fjalë për mediat tabloidike, ato janë në anën ruse. Kur është fjala për Ukrainën, ju keni tituj si “Ukraina pushtoi Rusinë”. Ata identifikohen vetëm me palën ruse. Ekziston vetëdija në udhëheqjen serbe, sidomos tek presidenti Aleksandar Vuçiq i cili flet haptas për këtë, se presioni ndaj Serbisë do të rritet dhe se ofensiva amerikane në Ballkan mund të çojë përfundimisht, siç thonë ata, në anëtarësimin e Kosovës në NATO. Dhe, vazhdimisht flitet se Serbia do të ketë presion të madh gjatë periudhës që pason dhe Serbia po përgatitet për këtë, por se ajo do të qëndrojë në neutralitetin dhe pavarësinë e saj.

Keni një deklaratë të ambasadorit ukrainas i cili tha se pret që Serbia të dënojë agresionin e Rusisë, por presidenti Vuçiq thotë se kur ata [ukrainasit] të dënojnë ndërhyrjen e NATO-s, atëherë edhe ata do të dënojnë ndërhyrjen ruse. Serbia po i bashkohet dalëngadalë njërës palë, edhe pse zyrtarisht është në rrugën e anëtarësimit në BE, por sjellja dhe sentimenti dhe  paaftësia për reforma serioze flasin për të kundërtën.

Kjo situatë, ky kontekst ndërkombëtar, ngushton hapësirën e manovrimit të Serbisë, sepse do të ketë presione për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, duke pasur parasysh se komuniteti perendimor po përgatit një paketë sanksionesh kundër Rusisë, ndërsa Serbia tashmë paralajmëron se në këtë nuk do të marrë pjesë.

– Nga cila anë do të anojë eventualisht Serbia  – nga vendet perëndimore apo Rusia?

– Ajo dalëngadalë, në këtë situatë ku këto marrëdhënie Rusi-Amerikë do të kristalizohen, dhe në të njëjtën kohë Evropë-Rusi, padyshim nuk është e gatshme të marrë një qëndrim të qartë. Hapësira për manovrim do të reduktohet dhe do të ketë gjithnjë e më shumë presion për të vendosur. Fatkeqësisht, nuk mendoj se Serbia do të zgjedhë variantin perëndimor, sepse historikisht nuk e ka bërë kurrë, por gjithmonë ekziston mundësia e befasisë.

Por si qëndrojnë punët dhe çfarë janë reagimet e atyre që marrin pjesë në debate televizive, sidomos kur bëhet fjalë për persona të afërt me presidentin, situata nuk garanton se Serbia do të marrë vendim për t’u përcaktuar për rrugën evropiane. Në të gjitha debatet përmendet edhe ajo se BE-ja nuk është partnere, se Serbia nuk e sheh Bashkimin Evropian si faktor që aktualisht është vendimtar për zgjidhjen e kontekstit ndërkombëtar.

Serbia po noton në këtë kontekst ndërkombëtar, duke u përpjekur herë të mbështetet te Kina apo Rusia, pastaj tek BE-ja dhe Amerika, por ndërsa marrëdhëniet janë ashpërsuar, pozicioni i saj do të ndryshojë në mënyrë drastike dhe aftësia e saj për të simuluar një politikë neutraliteti nuk është më e mundur sepse është e lidhur gjithnjë e më shumë ushtarakisht me Rusinë.

 A do të kërkojë Rusia, në këmbim të mbështetjes së saj për Serbinë, kryesisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të njohë pavarësinë e republikave të vetëshpallura në lindje të Ukrainës?

Serbia deri më tani ka mbështetur vazhdimisht integritetin dhe sovranitetin e Ukrainës dhe kjo do të ishte një ndryshim i madh në sjelljen e saj. Sigurisht, ka edhe një pikë tjetër të rëndësishme në gjithë këtë që po ndodh. Për pushtimin rus të këtyre dy republikave, Putin përdor të njëjtin argument të përdorur gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, dmth për të vepruar për të parandaluar gjenocidin, dhe se kjo është në fakt një paralele që tani, si të them, e ka justifikuar atë që Perëndimi bëri në Serbi. Prandaj, në njëfarë mënyre e vë Serbinë në një situatë ku nuk mund të presë shumë nga Rusia kur është fjala për Kosovën, sepse Rusia i identifikon këto dy situata. Nëse ndërhyrja e saj në lindje të Ukrainës është si në Kosovë, do të thotë se Kosova ka ‘ikur’, si këto dy republika në Ukrainë. Kjo është një situatë që ndryshon qëndrimin që deri tani  ka qenë i vlefshëm ndaj Rusisë, e cila gjoja mbron interesat kombëtare serbe në Këshillin e Sigurimit të KB-së për integritetin e saj dhe lidhur me këtë se Kosova është ende pjesë integrale e shtetit të Serbisë.

– Në “lojën” e rivalitetit të ndërsjellë me Perëndimin, a mundet Rusia të njohë në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Republika Srpskës si përgjigje ndaj sanksioneve dhe me dëshirën për të krijuar një front të ri për veprimet e saj gjeostrategjike?

– Ky është rreziku më i madh, të paktën kështu më duket mua. Mund ta kem gabim, por këtu ka  më shumë mundësi që diçka të mjegullohet ose Dodik të radikalizohet deri në fund dhe të shpallë pavarësinë, por nuk mendoj se ai do të jetë në gjendje ta bëjë këtë me lehtësi. E vetmja gjë që mund të ndodhë është që rusët të cilët do të imponohen atje si pjesë e zgjidhjes së këtij problemi, të kërkojnë nga komuniteti perëndimor në këmbim të diçkaje në lidhje me Ukrainën.

Tani gjithçka është në sferën e mundësive, të cilat mund të jenë relevante në një moment, por nuk është e sigurt se si do të duket, por do të shohim se si do të kalojë vizita e këtij sigurimsit Nikolai Patrushev, i cili do të vijë në Beograd më 28 shkurt dhe cili do të jetë mesazhi i tij. Është një vizitë e rëndësishme. Ata lajmërojnë papritur një vizitë që shkoi menjëherë në media. Këto vizita të sigurimsave zakonisht bëhen në “hije” dhe janë sekrete kurse kjo u paralajmërua goxha publikisht.

–  Vuçiq flet shumë për Ushtrinë e fortë të Serbisë, e cila është larg nga APJ-ja e plogësht, e ngadaltë, e papërgatitur dhe e çorganizuar. Çfarë mesazhi është ky për vendet e rajonit?

– Këto mesazhe po zgjasin disa vite që kur ka filluar armatimi dhe fuqizimi i ushtrisë serbe. Në të njëjtën kohë, ky është një lloj kërcënimi për rajonin sepse të gjithë fqinjët janë më të dobët dhe kanë ushtri shumë më të vogla se Serbia. Ata thonë se ushtria serbe është më e fortë se ajo kroate, e cila është anëtare e NATO-s. Duhet të kihet parasysh se Jens Stoltenberg  njoftoi dy ditë më parë se çdo anëtar i NATO-s do të gëzonte mbështetje nëse sulmohej, kështu që neni pesë u vu sërish në plan të parë si prioritet. Kjo vlen për Malin e Zi. Sigurisht, ka forca ndërkombëtare të EUFOR-it edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, por ato në këtë moment janë shumë të vogla për të parandaluar çfarëdo konflikti. Rusia po e pengon Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë që të veprojë sepse nuk është konfirmuar në Këshillin e Sigurimit dhe ka mundësi të parandalojë çdo vendim që shkon në drejtim të funksionimit të BeH. Ata mbështesin Dragan Çoviqin dhe çështja kroate është ndryshe nga ajo që thotë Çoviq, sepse ai angazhohet për një entitet të tretë. Kjo është e njëjta politikë që u ndoq në luftë dhe tani po vazhdon me mjete të tjera – si nga Serbia ashtu edhe nga Kroacia.

Rusia ka mbajtur anën e të dyja palëve dhe po përdor çdo mundësi për të ruajtur paqëndrueshmërinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe për ta mbajtur atë të hapur derisa të mos i kënaqë kërkesat dhe ambiciet e veta në lindje të Ukrainës dhe vendet fqinje.

 

Të fundit