E mërkurë, 17 Gusht, 2022

RRITJA E ÇMIMEVE: SA MUND TA PËRBALLOJNË QYTETARËT?

Shkruan: Gentuar Ismaili

 

Pandemia e shkaktuar nga Covid-19, e shoqëruar edhe me krizën ekonomike, ishte periudha më e vështirë që e jetuan qytetarët që prej periudhës së luftës.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve është një shok që po e përjetojnë qytetarët. Nga pushteti po arsyetohen me rritjen e pagës minimale, por pasojat reale të çmimeve drastike te larta, po i ndjejnë vetë qytetarët.

Sipas gazetarit Enis Murtezi, rritja e çmimit të naftës në tregjet botërore, ka sjellë edhe rritjen e çmimeve të produkteve tjera. Ai përmendi masat qe ndërmerr Qeveria për siç thonë ata zbutjen e krizës, por sipas Murtezit, janë të pamjaftueshme.

“Është fakt i pamohueshëm se çmimet e shumë produkteve janë rritur, krahasuar me periudhën  para pandemisë. Rritja e çmimit të naftës në tregjet botërore, për pasojë sjellë si zinxhir edhe rritjen e çmimit të shumë prodhimeve tjera, përfshirë këtu edhe produktet elementare. Mbi të gjitha, rritja e çmimeve ka goditur xhepin e qytetarëve, të cilët edhe para pandemisë, nuk është se ka qenë në nivel shumë të lartë. Qeveria në disa raste ka ndërhyrë me ngrirje të çmimit të prodhimeve bazë, ndërsa tani është rritur edhe paga minimale. Por se a është e mjaftueshme kjo? Ne po shohim se megjithatë nuk është aq sa duhet për të përballur me rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionit të shkaktuar”, tha Murtezi.

Qytetari Gëzim Ademi, poashtu konfirmon se rritja e çmimeve ka reaguar në buxhetin familjarë, ndërsa shton se përballja me krizën më e vështirë bëhet tek familjet me më shumë antarë ose ato që kanë vetëm një pagë minimale.

“Rritja e çmimeve te produkteve elementare, energjisë elektrike, sigurisht që ka ndikuar në buxhetin familjar të çdo qytetari. Në të shumtën e rasteve është i papërballueshëm tejkalimi mujor sidomos i familjeve shumë antarëshe që nuk kanë asnjë të ardhur ose i atyre me një pagë minimale”, thotë Ademi.

Situatën me krizën ekonomike më mirqë e sqaron Rilind Ademi, profesor në Fakultetin e Shkencave dhe njohës i rrethanave ekonomike. Sipas tij, pritjet janë që deri në fund të vitit 2022 presionet inflacioniste të sheshohen dhe fillimi i vitit 2023 të shënojë një inflacion prej 2%. Mirëpo, nga ana tjetër ndërprerjet në zinxhirin furnizues si duket po zgjasin më shumë se sa mendohej më parë, e kështu besohet se inflacioni do të jetë i pranishëm edhe në pjesën më të madhe të vitit 2022.

“Kjo duket të jetë edhe në top 5 shqetësimet kryesore në shumë vende të botës, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, ku sipas një ankete nga McKinsey Global Survey pothuajse çdo rajon i botës qoftë në zhvillim apo i zhvilluar, është përgjigjur se ndër shqetësimet kryesore për të shënuar një rritje ekonomike do të mbetet prap pandemia Covid-19 dhe variantet e reja që mund të shpërthejnë, por pas këtij shqetësimi renditet edhe inflacioni dhe ndërprerjet në zinxhirin furnizues”, thekson profesori Ademi.

Më tej ai sqaron se kjo krizë është shkaktuar nga pandemia e Covid-19 dhe jo si pasoj e tronditjeve të fundamenteve ekonomike.

“Mbetemi me konkluzionin se kriza ekonomike që po e përjetojmë nuk erdhi si pasojë e tronditjeve të fundamenteve ekonomike por si rezultat i një problemi shëndetësor, një pandemi globale, ku u vu si prioritet interesi i ruajtjes së shëndetit publik para se gjithash. Atëherë nuancat pozitive ose negative të pritjeve ekonomike qartësohen apo mjegullohen si rezultat i përmirësimeve ose përkeqësimeve të situatës me pandeminë”, shtoi ai më tej.

Përndryshe, Qeveria rriti pagën minimale nga 15 000 në 18 000 denarë, ndërsa pagat e tjera mbetën të pa ndryshuara. Këtë e lanë në “mëshirë” të Marrëveshjes Kolektive.

Poashtu kur rritja e çmimeve të produkteve bazë pësoi rritje të menjëhershme, Qeveria mori vendim për ngrirjen e çmimeve të tyre, vendim i cili është në fuqi deri më 1 Mars. Nga 1 Marsi sipas vendimit qeveritarë do të ketë kufizim të marzhës së të njejtave produkte, qe do të jetë aktiv deri në fund të prillit. Poashtu edhe derivatet e naftës nga java më javë po pësojnë rritje.

Të fundit