E mërkurë, 17 Gusht, 2022

KOHA PËR STANDARDIZIM TË KRITEREVE PËR FINANCIMIN E KULTURËS

Edhe njëherë janë shfaqur pakënaqësi nga rezultatet e konkursit të fundit të Ministrisë së Kulturës. Përtej reagimeve standarde njohësit e jetës kulturore vënë theksin edhe te shumë dobësi tjera, të cilat ripërsëriten me vite. Sipas tyre, Ministria e Kulturës përfundimisht duhet  të bëjë një standardizim dhe diferencim të qartë të kritereve, duke stimuluar vetëm vlera. Ata theksojnë se duhet ndryshim, frymë e re me oferta përmbajtësore dhe jo projekte klishe.

Shkruan: Puhiza Osmani

Rezultatet nga konkursi vjetor i Ministrisë së Kulturës kanë ngjallur reagime të shumta në opinion. Si zakonisht, pas shpalljes së rezultateve manifestohen pakënaqësi nga shtëpitë botuese, shoqatat, por edhe individë që kanë konkurruar. Por, jo gjithçka mund të shihet njëtrajtshmërisht në këto raegime. Njohës të kësaj problematike kanë zgjeruar kufijtë e perceptimit dhe të kuptimit të vetë konkursit, duke e çuar interpretimin përtej skemës bardhë e zi.

Publicisti Emin Azemi thotë se, zakonisht pakënaqësitë pas shpalljes së rezultateve janë subjektive dhe objektive. Sipas tij, pritshmëritë e individëve dhe shtëpive botuse janë të mëdha, por pastaj zhgënjimi i tyre është akoma më i madh dhe kjo ndodh në saje të mungesës së vetëkritikës, varësisë së këtyre individëve dhe shtëpive botuese ndaj financimit dhe varësisë së ekzistencës së tyre vetëm në saje të konkurseve të Ministrisë së Kulturës, dhe nuk shohim që ata zhvillojnë ndonjë veprimtari jashtë këtyre konkurseve.

“Fjalën e kam për një mendësi të çoroditur që rrënjët i ka te bindja që shtetin e bën faktor për gjithçka, se kreativiteti letrar sikur është i varur vetëm nga fondet e Ministrisë së Kulturës e gjepura të ngjashme. Pa dashur ta amnistojë rolin dhe kontributin e Ministrisë së Kulturës në zhvillimin e jetës letrare e artististike te ne, megjithatë fitohet përshtypja se një pjesë e njerëzve që merren me kulturë të gjitha shpresat i kanë të varura te kjo ministri, pa e vrarë mendjen për rrugë alternative të zhvillimit të objektivave të tyre”, thekson Azemi.

Ndërsa sa u përket pakënaqësive objektive Azemi thotë se ato vijnë si pasojë e mungesës së standarteve të përhershme të vlerësimit nga ana e ministrisë. Sipas tij, komisioni duhet të bazohet mbi analiza shteruese para se të dalë me rezultate konkrete, sepse nga ajo që mund të shihet këto analiza mungojnë, ose bëhen në mënyrë shumë sipërfaqësore.

“Ende ekzistojnë dukuri të njëanshmërive mbi bazat e lobimeve e animeve në grupacione e klane dhe kjo e rrënon imazhin e atyre që janë të angazhuar nëpër këto komisione. Këta të fundit madje jo rrallë herë bartin thashetheme jashtë dhe në këtë mënyrë shkaktojnë njëfarë konfuziteti dhe pakënaqësie të panevojshme”, thekson Azemi. Ai gjithashtu thotë se Ministria e Kulturës përfundimisht duhet të bëjë një standardizim dhe diferencim të qartë të kritereve, duke stimuluar vetëm vlera, e jo individë e grupe që këtë ministri e shohin si njëfarë “grazhdi”.

Sa i përket pakënaqësive objektive, Azemi thekson disa probleme që vijnë si pasojë e “fluiditetit” të kritereve të vetë Ministrisë së Kulturës, e cila nuk ka arritur që të vendos standarde të përhershme vlerësimi të produksionit letrar e artistik te ne. “Kjo mund të shihet edhe në rezultatet e fundit të Ministrisë së Kulturës ku vërehet një ‘bredhje’ kriteresh nga vepra në vepër, nga projekti në projekt dhe për pasojë rezulton që vepra më e dobët të vlerësohet më shumë financiarisht, se vepra më e mirë. Kjo ministri pastaj duhet të bëjë njëfarë hulumtimi mbi punën e shtëpive botuese, mbi projektet paraprake dhe mbi profilin e atyre që i udhëheqin ato shtëpi botuese. Pa këto hulutime, Ministria e Kulturës do të vazhdojë të luaj rolin e një sporteli para të cilit çdo lloj personi maskohet si shkrimtar, si muzikant, si botues, si artist figurativ etj ”, thotë Azemi.

Ish antari i komisionit Lululzim Haziri në lidhje me pakënaqësitë për përqindjen e financimit të projekteve shqipatre dhe atyre maqedonase, thotë se për momentin dallimi nuk është shumë i madh, por nëse vazhdojmë kështu kjo përqindje mund të rritet duke përkrahur jovlerën, e cila pastaj ndikon në shijen e keqe të lexuesve dhe në stajnimin e letërsisë shqipe.

“ Unë pasi që kam dhënë dorëheqje nuk kam të dhëna se cila është përqindja e projekteve saktësisht, por nga lista e shpallur e botimeve nuk qëndrojnë keq botuesit dhe autorët shqiptarë. Këtë vit ka ngecje në drejtim të numrit të vlerës së mjeteve për manifestime tek shqiptarët që është shumë i vogël dhe i cili nuk kënaq, për dallim nga viti i kalur kur kjo përqindje ishte 25-26 përqind ”, thekson Haziri

Ndërsa sa i përket frytshmërisë dhe kreativitetit të projekteve kulturore në konkurset vjetore, ai shprehet se ka ardhur koha për ndryshim, që të shohim një frymë të re, e jo projekte klishe. “Është koha që të shohim se çka ofrojnë këto konkurse, cilët janë autorët që dalin nga këto konkurse, nuk duhet parë sasisa e librave që dalin, por cilësia e tyre”, thotë Haziri.

Sipas tij, është koha të dalin projekte të reja, aktorë të rinj, shoqata të reja të cilat do të ofrojnë një ofertë më përmbajtësore dhe më cilësore lidhur me manifestimet kulturore. “Siç janë tani, janë manifestime të stërvjetra, pra duhet të shohim një cilësi të re tek manifestimet ”, thekson Haziri.

 

Të fundit