E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Afat prej 36-orësh që Vuçiq të vendosë për qëndrimin ndaj Rusisë

Pavarësisht takimeve të Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Qeverisë së Serbisë, Beogradi zyrtar ende nuk e ka bërë të ditur qëndrimin e tij lidhur me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Beogradi ka edhe 36 orë kohë për këtë vendim, siç ka paralajmëruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që Serbia t’i përgjigjet kërkesave për harmonizim me vendimin e Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Më 22 shkurt, BE-ja vendosi një pako sanksionesh kundër Rusisë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, njohu rajonet separatiste në Ukrainën lindore – Donjeck dhe Luhansk. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, një paketë e re “më e rëndë” e sanksioneve u paralajmëruar nga Brukseli.

Sipas informacioneve jozyrtare, siç raportojnë disa media të Beogradit, takimi i ri i Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet të premten, më 25 shkurt. Sipas këtyre raportimeve, Vuçiq më pas do t’u drejtohet qytetarëve në orën 18:00.

Nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila tashmë është mbajtur, bëhet e ditur vetëm se Vuçiq ka shkëmbyer informacione për situatën në rajon dhe Ukrainë. Kështu thuhet në llogarinë në Instagram të presidentit të Serbisë.

Vuçiq ka marrë pjesë edhe në seancën e rregullt të Qeverisë së Serbisë, e cila zakonisht mbahet të enjten. Edhe pse fjalimi i tij ishte paralajmëruar në seancën e Qeverisë në të cilën u diskutua për situatën në Ukrainë dhe rajon, ky fjalim nuk u transmetua publikisht.

Analisti Darko Obradoviq nga Qendra për Analiza Strategjike me qendër në Beograd, tha për Radion Evropa e Lirë se është shumë e vështirë për çdo politikë në Serbi të shkojë kundër narrativit të krijuar ndaj Rusisë.

Duke marrë parasysh se Serbia është në fushatë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të prillit, Obradoviq vlerëson se pushtimi rus në Ukrainë është një nga skenarët më të këqij për skenën e brendshme politike në Serbi.

Përveç kësaj, Serbia llogariste në mbështetjen e Rusisë për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

“Në këtë moment, ne e kemi Rusinë si një ‘avokate’ shumë të shtrenjtë dhe të kompromentuar të interesave serbe për çështjen e Kosovës, sepse tashmë është absolutisht e qartë se një pozicion i tillë i Rusisë në avokimin e interesave serbe është thjesht i paqëndrueshëm dhe mund të jetë vetëm kundërproduktiv”, tha Obradoviq.

Ai kujton gjithashtu se Serbia është 100 për qind e varur nga burimet ruse të energjisë, kryesisht nga gazi. Po ashtu, nuk është rinovuar kontrata dhjetëvjeçare për furnizimin me gaz, ndaj nuk dihet se cili do të jetë çmimi i gazit.

Çfarë pret BE-ja nga Serbia?

Bashkimi Evropian pret që Serbia, si vend kandidat, të respektojë vendimet e Brukselit në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, përkatësisht t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Spanjë më 23 shkurt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se qëndrimi i Beogradit do të jetë parimor, i bazuar në respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe se nuk do të ndryshojë nga ai që ishte 20 vjet më parë, raporton RTS.

Darko Obradoviq nga Qendra për Analiza Strategjike beson se nëse Serbia nuk bashkohet, të dënojë agresionin ushtarak Rusisë, ajo mund të rrezikojë izolimin, në radhë të parë ekonomik.

“Ne jemi 80 për qind të drejtuar drejt partnerëve evropianë, perëndimorë. Për ne, Kina dhe Rusia nuk mund të jenë një alternativë valide, në kuptimin ekonomik. Pra, bashkimi me Rusinë do të ishte i barabartë me vetëvrasje ekonomike”, tha Obradoviq.

Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve të mëparshme ekonomike të BE-së të vendosura ndaj Rusisë pas aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Në vitin 2014, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështeti separatistët pro-rusë që po luftojnë kundër forcave qeveritare në Ukrainën lindore.

Deri më tani, Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës dhe nuk e ka njohur Krimenë si pjesë të Rusisë, sepse vetë po lufton kundër pavarësisë së Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Brukseli tashmë disa herë i ka bërë thirrje Serbisë që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë evropiane dhe autoritetet në Beograd bënë një hap përpara në korrik 2021, kur u harmonizuan pjesërisht me sanksionet ndaj Bjellorusisë.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, vlerësoi se Serbia nuk duhet t’i bashkohet dënimeve dhe sanksioneve të ndryshme kundër Rusisë, sepse vendet që kërkuan nga Beogradi një gjë të tillë nuk ndihmuan në vitin 1999, kur Serbia u bombardua nga NATO.

Më 24 shkurt, Daçiq i tha Radio Televizionit Serb se Beogradi zyrtar duhet të ruajë marrëdhëniet me BE-në, por të ruajë raportet edhe me Rusinë dhe Kinën, “sepse askush nuk do të na mbrojë nëse ata [Rusia dhe Kina] ndalojnë së na mbrojturi”.

Serbia dhe Rusia zyrtarisht mbajnë marrëdhënie të ngushta në nivelin më të lartë.

Takimi i fundit mes dy presidentëve u zhvillua në nëntor 2021 në Soçi, ku u dakorduan në mes të krizës botërore energjetike, që çmimi i gazit rus për Serbinë të mos ndryshojë në gjashtë muajt e ardhshëm.

Serbia është plotësisht e varur nga gazi rus. Kontrata dhjetëvjeçare me gjigantin rus të gazit, “Gazprom” skadoi në fund të vitit 2021.

Sipas hulumtimit të organizatës joqeveritare Instituti për Çështje Evropiane në Beograd, që u publikua në vitin 2021, marrëdhënia ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është vlerësuar më e larta nga rreth 36 për qind e të anketuarve.

Numri më i madh i qytetarëve të anketuar të Serbisë, 83 për qind, besojnë se Rusia është mike e Serbisë. Sipas hulumtimit, të rinjtë nën moshën 30 vjeç dhe ata mbi 60 vjeç besojnë në miqësinë me Rusinë.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Ukrainën, në planin dypalësh, nuk është në nivelin më të lartë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi dhe Vuçiçq nuk janë takuar kurrë.

Takimi i fundit mes dy presidentëve u zhvillua në vitin 2018, gjatë mandatit të Petro Poroshenkos, i cili vizitoi Beogradin. Në një konferencë të përbashkët për media, presidenti i Serbisë përsëriti se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës.

Të fundit