E mërkurë, 17 Gusht, 2022

SONDAZHI I AP-NORC: SHUMICA E AMERIKANËVE KUNDËRSHTOJNË NJË ROL KRYESOR TË SHBA-VE NË KONFLIKTIN RUSI-UKRAINË

Një sondazh i ri gjen pak mbështetje mes amerikanëve për një rol të madh të Shteteve të Bashkuara në konfliktin Rusi-Ukrainë. Sipas një sondazhi të ri nga Qendra për Kërkime të Çështjeve Publike (NORC) dhe agjencia e lajmeve Associated Press, vetëm 26% e amerikanëve thonë se SHBA duhet të ketë një rol të madh në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Sondazhi zbulon se 52% e amerikanëve mendojnë se SHBA duhet të ketë një rol të vogël në konflikt; 20% thonë se SHBA-ja nuk duhet të përfshihet fare.

Sipas sondazhit mbështetja mes amerikanëve është e pakët, edhe pse Presidenti Joe Biden vendosi sanksione të reja dhe kërcënon një përgjigje më të fortë që mund të provokojë hakmarrje nga Moska.

Presidenti Biden ka pranuar se ka gjasa në rritje që lufta në Evropën Lindore do të prekte edhe amerikanët, megjithëse ai ka përjashtuar dërgimin e trupave në Ukrainë. Çmimet e karburantit në SHBA mund të rriten në një periudhë afat-shkurtër. Edhe presidenti rus Vladimir Putin ka një sërë mjetesh që mund të përdorë kundër SHBA-ve, duke përfshirë sulmet kibernetike që godasin infrastrukturën dhe industritë kritike.

“Mbrojtja e lirisë do të ketë kosto edhe për ne, këtu në vend”, tha presidenti Biden të martën. “Ne duhet të jemi të sinqertë për këtë.”

Gjetjet e sondazhit janë një kujtesë për presidentin Biden dhe kolegët demokratë se ndërsa kriza mund të konsumojë Uashingtonin në muajt e ardhshëm, çështjet ekonomike të amerikanëve ka të ngjarë të jenë një përparësi më e madhe për votuesit që shkojnë në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin. Një sondazh i dhjetorit nga AP-NORC tregoi se amerikanët janë veçanërisht të përqëndruar në çështjet ekonomike, duke përfshirë rritjen e inflacionit.

Administrata Biden ka argumentuar se mbështetja e Ukrainës është një mbrojtje e vlerave themelore amerikane dhe ka bërë një përpjekje të përbashkët për të publikuar gjetjet e inteligjencës duke nënvizuar rreziqet që ajo sheh për Ukrainën dhe rajonin evropian më gjerë. Por sondazhi tregon skepticizëm të gjerë publik ndaj komunitetit të inteligjencës amerikane.

Demokratët kanë më shumë gjasa se republikanët të mendojnë se SHBA duhet të ketë një rol të madh në konflikt, 32% ndaj 22%. Në përgjithësi, sondazhi tregon se 43% e amerikanëve tani miratojnë trajtimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Rusinë nga presidenti Biden, një rënie nga 49% në qershor të vitit të kaluar.

Pavarësisht ngurrimit të qartë për përfshirjen e madhe në konflikt, amerikanët vështirë se po e shohin Rusinë me më pak seriozitet. Sondazhi zbulon se 53% thonë se janë shumë ose jashtëzakonisht të shqetësuar se ndikimi i Rusisë në mbarë botën përbën një kërcënim për SHBA-në, një rritje nga 45% në gusht 2021.

Të fundit