E mërkurë, 17 Gusht, 2022

SITUATA NË UKRAINË, KËRKOHET ZGJIDHJE DIPLOMATIKE

Maqedonia e Veriut i bashkohet thirrjes për zgjidhje paqësore të situatës në Ukraninë. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe kryeministri, Dimitar Kovaçeski vendimin e fundit të Rusisë zyrtare e kanë quajtur si sulm të drejpërdrejtë mbi sovranitetin dhe integritetin e Ukraninës. Ka reaguar edhe BDI. Nëpërmjet një komunikate kjo parti ka theksuar se mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Enis Shaqiri

Maqedonia e Veriut si antare e 30-të e NATO-s, i bashkohet thirjes që Rusia t`i kthehet zgjidhjes së konfliktit në rrugë diplomatike dhe paqësore.

Poashtu dënohet fuqishëm njohja nga Rusia e rajoneve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut si të pavarura.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, përmes profilit të tij në Twitter e ka dënuar vendimin e Rusisë. Ministri Osmani ka shkruar se “Maqedonia e Veriut përsërit edhe njëherë mbështetjen e saj të qartë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Osmani gjithashtu na informoi përmes faqes zyrtare në facebook se ka pasur një bisedë telefonike me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së, Helega Maria Schmid, Sipas tij, si pjesë e treshes kryesuese të OSBE-së, Maqedonia e Veriut është e gatshme të kontribuojë në deeskalimin e situatës nëpërmjet përpjekeve diplomatike për zgjidhje paqësore.
Për situatën në Ukrainë ka reaguar edhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski. “Ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkelje e marrëveshjeve të Minskut dhe rezolutave të Këshillit të OKB-së të vitit 2015. Së bashku me aleatët e NATO-s, ne bëjmë thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit”, ka shkruar kryeministri Kovaçevski në Twitter.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikate ka deklaruar përkrahjen për Ukrainën. “Dënojmë thirrjet për përkrahje të agresionit rus nga elemente margjinale në vend”, theksojnë nga BDI.

“Bashkimi Demokratik për Integrim po ndjek nga afër situatën në dhe rreth Ukrainës dhe dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina dhe vënien e tyre nën qeverisjen ruse. Me këtë shkelet Marrëveshja e Minskut, minohen bisedimet e formatit të Normandisë dhe rrezikohen përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

BDI ka theksuar se mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

“E vetmja gjë që do ta konsiderojmë si sukses është ç’tensionimi i situatës, që mund të arrihet vetëm me tërheqjen e forcave ushtarake të Federatës Ruse rreth Ukrainës. Duam të potencojmë se këto pikëpamje politike përfaqësojnë pjesë të kursit të përgjithshëm të vendit dhe interesave strategjike si anëtare e Aleancës Veri-Atlantike. Prandaj, dënojmë të gjitha thirrjet e grupeve politike në vend, partnerëve të tyre të koalicionit dhe bashkëpunëtorëve strategjik, si dhe individëve që i përfaqësojnë ato, me të cilat aprovohet sjellja agresive dhe armiqësore e Rusisë dhe inkurajohen veprimet e saj”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Të fundit