E premte, 19 Gusht, 2022

PERIUDHA E PANDEMISË “ RRËNON” STANDARDIN E STUDENTËVE

Pandemia e ka rënduar jetën studentore. Duket se asgjë më nuk është si më parë, thonë studentët, të cilët kërkojnë që shteti të përkujdeset më tepër për standardin e tyre. Studentët kërkojnë transport pa pagesë, ndërkohë që thonë se me mësimin online është humbur raporti profesor-student. Ata kërkojnë pjesëmarrje më të madhe në krijimin e politikave studentore.    

Shkruan: Gentuar Ismaili

Të studiosh është sfidë në vete, që ngërthen një rrugëtim të gjatë e të vështirë, që jo gjithsecili e çon deri në fund. Zakonisht kemi qëndrime e këndvështrime të ndryshme në lidhje me standardin studentor. Shteti këmbëngul se ka standarde për të studiuar, ndërsa studentët pohojnë të kundërtën. Periudha post pandemike dhe vazhdimi i krizave ekonomike në vendin tonë, jo vetëm që e çrregulloi funksionimin e procesit edukativo- arsimor, por po ashtu e rëndoi edhe buxhetin e një studenti.

Kërkesat kryesore të të gjithë studentëve janë që të ketë arsim cilësor, të kenë më shumë mundësi për të zgjeruar njohuritë e tyre, dhe të ardhme më të sigurt. Fatime Zenuni studente në departamentin e psikologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, thotë se pandemia ishte shkaktarja kryesore për krijimin e deficitit intelektual të studentëve.

“Pandemia te unë fatkeqësisht ka ndikuar në mënyrë negative për shkak se për mendimin tim nuk është metodë efikase mësimi e sidomos në studime të larta universitare. Kam pasur fatin që vetëm një semestër të ndjek ligjëratat me prani fizike dhe e vërej dallimin e madh ndërmjet ligjëratave online të dertanishme. Ana negative ishte vetëfurnizimi me mjete teknologjike, të cilat u bënë pjesë e patjetërsueshme. Si studente e katedrës së psikologjisë, unë kisha kërkuar futje në sistem të pjesës praktike dhe vizitave nëpër institucione përkatëse”, thotë studentja Zenuni.

Ndërsa për Shpresa Qerimin, studente në departamentin “Gjuhë dhe letërsi angleze” në kuadër të Fakultetit Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, gjithçka që iu duhet është lehtësimi i pagesës së transport nga vendbanimi  deri në fakultet.

“Personalisht pandemia ka ndikuar shumë tek ne si student si në aspektin ekonomik por edhe në atë arsimor . Të gjithë e kemi kuptuar se mësimi online nuk është një mënyrë efikase. Mungesa e pajisjeve e bëri edhe më të vështirë ndjekjen e mësimit nga shtëpia për të gjithë studentët e drejtimeve të ndryshme. Iu bëj thirrje institucioneve që një ditë të na mundësojnë të udhëtojmë pa pagesë, sepse çmimi për biletat është shumë i lartë duke u bazuar në buxhetin e një student”, thotë Shpresa Qerimi.

Kryetari i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe njëkohësisht anëtar i Kuvendit studentor universitarë Omer Hebib pranë Universitetit “Nënë Tereza”, mendon se mësimi online ka lënë një boshllëk sa i përket raportit profesor-student.

“Na shqetëson fakti se vitet që kaluan na mbetën të mangëta në aspektin edukativo – arsimor në shumë drejtime. Sikur është krijuar student tjetër nga ajo që e dimë se çfarë kuptojmë me fjalën student. Nga aspekti i raportit student – profesor, shohim një boshllëk të thellë. Pandemia sigurisht se ka krijuar dobësi dhe vështirësi edhe më të mëdha. Jeta studentore nuk është ajo që ishte, shkëmbimi i mendimeve dhe ideve është zbehur shumë”.

Por, ka student që mendojnë ndryshe. Jahja Abazi student i gazetarisë në kuadër të Fakultetit të Shkencave Sociale pranë Universitetit “Nënë Tereza”, thotë se studentëve iu duhet më shumë përzgjedhje të degëve deficitare.

“Është e vërtetë se ka ndikuar sepse ishte diçka e papritur dhe na zuri të pa përgatitur dhe na befasoi kur filloi me mbylljen e shkollave dhe pastaj vazhdimi i mësimit në mënyrë online, kurse tani që pandemia është bërë pjesë e jetës sonë dhe u mësuam me të nuk na befason me asgjë. Çdoherë studentët kërkojnë standarde më të mira dhe unë mendoj që standardi është i kënaqshëm për mua si student edhe pse mund të jetë edhe më mirë”.

Adem Sopaj, nënkryetar i Parlamentit studentor dhe të asiciacionit studentor të UEJL-së thotë se mësimi online ka dështuar, kurse kyçja e studentëve në vendimmarrjen e politikave studentore është gjithçka që duhet.

Të fundit