E mërkurë, 17 Gusht, 2022

BORRELL: SANKSIONET ‘DO T’I DHEMBIN SHUMË RUSISË’

Më shumë vende perëndimore kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë, në përpjekje për të ndëshkuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë. Atyre po iu bashkohen edhe vendet ballkanike,-transmeton KDP njoftimet e agjencive të lajmeve.

BE ra dakord, që 27 persona dhe institucione ruse, që kërcënojnë njësinë territoriale të Ukrainës, të përballen me sanksione, deklaroi i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Edhe bankat, që financojnë misionet në territoret e separatistëve janë të prekura nga këto masa. Qëllimi është që të kufizohet aksesi i shtetit rus në tregun e financave të BE-së. Sanksionet do të hyjnë në fuqi këtë javë. Borrell theksoi, se sanksionet do „t’i dhembin shumë Rusisë”.

Edhe vendet e industrializuara të grupit G7 kanë rënë dakord për një paketë sanksionesh të ashpra. „Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 dënuan ashpër shkeljen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga Rusia”, shkruan në Twitter ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss. Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve është rënë dakord për masa të koordinuara ndëshkuese me ashpërsim në rritje. Kryeminisri Boris Johnson deklaroi në dhomën e ulët të parlamentit se pesë banka ruse dhe tre oligarkë rusë do të ngarkohen me sanksione si: ngrirja e pasurive të tyre si ndalimi i udhëtimit të tyre në Britaninë e Madhe.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, deklaroi, se vendet e G7 dhe BE-ja janë në unanimitet lidhur me qëndrimin e mëtejshëm ndaj Rusisë. Baerbock tha, se ka parë „një vendosmëri të madhe” gjatë konsultimeve në Paris të shteteve të G7 dhe të BE-së. „Ne deshëm ta parandalonim këtë situatë”, por Rusia tani vendosi për të kundërtën. Komentet e Baerbock u bënë ndërkohë që

kancelari gjerman Olaf Scholz bëri të ditur se vendi i tij po pezullonte procesin e certifikimit të gazsjellësit ‘Nord Stream 2’ nga Rusia në reagim ndaj veprimeve të Moskës në Ukrainë. Scholz u tha gazetarëve se kishte kërkuar të pezullonte procesin e rishikimit nga rregullatori gjerman për tubacionin prej 11 miliardë dollarësh që është projektuar për të ofruar gaz natyror në Gjermani nga Rusia nëpërmjet Detit Baltik.

Tubacioni është kundërshtuar prej kohësh nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, të cilët thonë se do të rriste varësinë e Evropës nga furnizimet ruse të energjisë. Australia më 23 shkurt tha se do të bashkohej me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë duke shënjestruar dy banka ruse dhe duke vendosur ndalime udhëtimi për tetë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Putinit. Kryeministri Scott Morrison – si udhëheqësit në Shtetet e Bashkuara dhe Britani – tha se sanksionet ishin grupi i parë në një arsenal sanksionesh të mundshme që Australia mund të përdorë kundër Rusisë.

Ndërkohë, kryeministri japonez, Fumio Kishida, më 23 shkurt përshkroi gjithashtu masat kundër Rusisë, duke thënë se qeveria e tij do të ndalojë shpërndarjen e re të letrave me vlerë të qeverisë ruse në Japoni. Ky vend do të  ndalojë gjithashtu udhëtimin e njerëzve të lidhur me dy rajonet separatiste ukrainase dhe do të ngrijë asetet e tyre në Japoni, tha Kishida.

Lëvizjet vijnë pas vendimit të Putinit për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainën lindore si shtete të pavarura dhe për të dërguar trupa atje, veprime që u dënuan nga Perëndimi, Kombet e Bashkuara dhe vende e organizata të tjera. Masat e Uashingtonit përfshijnë sanksione ndaj dy bankave ruse dhe sanksionet për të bllokuar qasjen e Moskës në institucionet financiare perëndimore./Agjencitë/

 

Të fundit