E premte, 19 Gusht, 2022

Ushtria ruse futet në rajonet që kontrollohen nga separatistët në lindje të Ukrainës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar para pak çastesh ministrin rus të Mbrojtjes, që të sigurojë paqe në Donetsk dhe Luhansk.

Madje raportohet se ka filluar futja e trupave ruse në dy rajonet, që disa orë më parë edhe zyrtarisht Kremlini i njohu si shtete të pavarura.

Në momentet që Putin po shpjegonte arsyet se pse ka vendosur të nënshkruaj dekretin për njohjen e këtyre dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, një konvoj ushtarak – pra me autobusë dhe tanke janë shfaqur.

Kujtojmë që tashmë gjenden 200 mijë ushtarë rusë përgjatë vijës kufitare me Ukrainën, që prej muajsh janë në gjendje gatishmërie dhe sipas agjencive amerikane të inteligjencës, Putin mundet çdo çast të urdhërojë pushtimin e Ukrainës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka reaguar pasi Rusia vendosi të dërgojë trupa në Ukrainë.

Me anë të një postimi në Twitter, Borrell ka dënuar këtë veprim nga Ukraina.

Ai madje ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

“Dekretet e Presidentit Putin që urdhërojnë të ashtuquajturin mision paqeruajtës në të ashtuquajturit republikat popullore të Donetskut dhe Luhanskut janë një veprim i radhës agresiv ndaj Ukrainës, një shkelje e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të mblidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka shkruar Borrell.

 

Të fundit