E mërkurë, 17 Gusht, 2022

SHBA shpall sanksione kundër Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli një varg sanksionesh kundër Rusisë, një ditë pasi presidenti i këtij vendi, Vladimir Putin, mori vendim për t’i njohur rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura dhe urdhëroi dërgimin e trupave atje.

”SHBA-ja beson se Rusia është agresor i qartë në tensionet me Ukrainën”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas tij, vendimi i Putinit paraqet shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Dy institucione financiare, VEB dhe Banka Ushtarake e Rusisë, tani përballen me sanksione. Sanksione të mëtejshme priten edhe kundër elitave ruse dhe familjeve të tyre”, tha Biden.

Ai po ashtu tha se disa pjesë të ekonomisë ruse do të shkëputen nga sistemet financiare ndërkombëtare.

Më herët, edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan vendosjen e sanksioneve ndaj disa zyrtarëve rusë, për shkak të ndërhyrjeve në Ukrainë.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se pakoja e sanksioneve “do ta dëmtojë Rusinë dhe do ta dëmtojë shumë”.

Sipas tij, sanksionet do të prekin anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus dhe individë të përfshirë në miratimin e dislokimit të trupave ruse në rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Borrell tha se sanksionet, po ashtu, do t’i prekin politikat financiare të Rusisë, të lidhura me Ukrainën.

Paraprakisht, edhe Mbretëria e Bashkuar shpalli disa sanksione kundër Rusisë, ndërsa Gjermania njoftoi se ka pezulluar procesin e certifikimit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”. Tubacioni ishte paraparë ta dërgonte gazin rus direkt në Gjermani.

Rusia është nën sanksionet e Perëndimit qëkur ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014. Në atë kohë, ajo ka nisur edhe mbështetjen për një lëvizje separatiste në lindje të Ukrainës.

Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.

Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.

Putin i urdhëroi trupat ruse që të kryejnë, siç tha ai, “funksione paqeruajtëse” në të dyja rajonet.

Para se të nënshkruante dekretin, Putin iu drejtua kombit të tij me një fjalim, gjatë të cilit, Ukrainën e cilësoi si “koloni të SHBA-së, me një regjim kukull”.

Ai tha se “Ukraina nuk ka pasur kurrë traditë të shtetësisë së vërtetë” dhe se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Biden tha se me fjalimin e tij, Putin sulmoi “të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar”.

Ai tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me liderët evropianë, përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi.

“Ne jemi të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën. Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj agresionit rus. Ne jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mbrojtur aleancën e NATO-s”, tha Biden.

Ai tha se nuk e ka ndërmend të luftojë me Rusinë, por u zotua se do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

Kriza aktuale ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka filluar të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.

Rusia, prej kohësh, ka kundërshtuar lëvizjen e Ukrainës drejt institucioneve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Ajo ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesën ruse, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka qenë “vend partner” i saj qysh më 2008 – vitin kur ka aplikuar për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Kjo do të thotë se asaj mund t’i lejohet anëtarësimi në aleancë në të ardhmen.

Putin tha më 21 shkurt se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të paraqiste rrezik për sigurinë ruse./REL

Të fundit