E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Putin kërkon njohjen e Krimesë si Rusi, e krahason me Kosovën

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për njohjen ndërkombëtare të Krimesë si pjesë të Rusisë dhe e ka krahasuar atë me Kosovën.

Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe që nga ajo kohë ka nisur mbështetjen për një lëvizje separatiste në lindje të Ukrainës.

Gjatë një fjalimi më 22 shkurt, Putin ka thënë se aneksimi i Krimesë duhet të njihet si reflektim legjitim i zgjedhjes së banorëve lokalë.

Aneksimi i Krimesë, pas organizimit të një referendumi që është cilësuar si i kurdisur nga komuniteti ndërkombëtar, është dënuar gjerësisht nga fuqitë perëndimore dhe është cilësuar si shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008.

Kjo ka ndodhur gati nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe i ka dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Mbi 10 mijë njerëz janë vrarë në luftë dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Shtetësinë e Kosovës e kanë njohur mbi 100 vende.

Më 21 shkurt, Putin i ka njohur edhe rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si entitete të pavarura dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse atje.

Të fundit