E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Pse Rusia e Putinit është kaq e fokusuar në Ukrainë?

*Ky artikull është përditësuar më 22 shkurt, 2022.

Reuters

Ukraina është bërë pika e nxehtë në raportet e Rusisë me Perëndimin,pas grumbullimit të dhjetëra-mijëra trupave ruse në kufirin ukrainas dhe vendimit të 21 shkurtit të presidentit rus, Vladimir Putin që të njohë si entitete të pavarura dy rajonet lindore ukrainse, Donjeck dhe Luhansk.

Këto dy rajone kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Më herët, Putinka shpalosur ato që i ka cilësuar si “vija të kuqe”.

Më poshtë mund të mësoni disa prej arsyeve pse për Putinin ka kaq shumë rëndësi Ukraina dhe pse ai ka zgjedhur që ta nxisë këtë krizë.

Historia

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 1991, Rusia humbi kontrollin e 14 ish-republikave që më herët dominonte, por humbja e Ukrainës ishte humbja më e hidhur. Këto dy shtete kanë qenë të lidhura që prej shekullit të 9-të, kur Kievi u bë kryeqytet i shtetit të lashtë rus. Më 998, sundimtari i Rusisë së atëhershme, Princi i Madh Vladimir e solli krishterimin ortodoks në Rusi.

Nga viti 1654, Rusia dhe Ukraina u bashkuan përmes një traktati nën sundimin e carit rus. Dy shtetet flasin gjuhë të ngjashme dhe më vonë, së bashku me Bjellorusinë, krijuan bërthamën sllave të Bashkimit Sovjetik.

Çka qëndron pas tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës?

Shumë rusë janë më të lidhur me Ukrainën sesa me ish-shtetet e tjera sovjetike që gjenden në Baltik, Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.

Për këtë lidhje mes Rusisë dhe Ukrainës, Putini aludoi në një artikull të publikuar në qershor, ku tha se rusët dhe ukrainasit ishin një popull që ndanin “një hapësirë të vetme historike dhe shpirtërore” dhe se shfaqja e një “muri” mes tyre në vitet e fundit, ishte tragjike.

Kievi e hodhi poshtë këtë tezë, të cilën e cilësoi si të motivuar politikisht dhe si një thjeshtësim të historisë.

Gjeopolitika

Që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, Aleanca Veri-Atlantike (NATO) u zgjerua drejt lindjes, duke anëtarësuar 14 shtete të reja, përfshirë edhe shtetet e ish-Traktatit të Varshavës dhe tre shtete baltike, që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Rusia e pa këtë si kërcënim ndaj kufijve të saj.

Raportet e paqëndrueshme midis Rusisë dhe NATO-s

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por Aleanca ushtarake që prej vitit 2008 i ka premtuar Kievit se një ditë do të anëtarësohet.

Që prej se Ukraina më 2014 rrëzoi nga pushteti një president pro-rus, ky shtet është afruar me Perëndimin dhe merr pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake me NATO-n. Po ashtu, Ukraina ka pranuar armë, përfshirë edhe rastet anti-tank Javelin të Shteteve të Bashkuara dhe dronë nga Turqia.

Kievi dhe Uashingtoni i shohin këto si lëvizje legjitime për të forcuar mbrojtjen ukrainase pasi Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe u ofron mbështetje separatistëve që ende luftojnë me forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.

Presidenti rus, Putin ka thënë se thellimi i raporteve të Kievit me NATO-n, mund ta bëjë Ukrainën si një vend prej ku raketat e NATO-s mund ta godasin Rusinë.

Rusia po ashtu mohon dyshimet e Ukrainës dhe SHBA-së se Moska po përgatitet për ta pushtuar Ukrainën. Moska argumenton se vetëm po përgjigjet ndaj kërcënimeve dhe provokimeve. Rusia dëshiron garanci të sigurisë nga Perëndimi, përfshirë edhe heqjen dorë nga premtimi i NATO-s që një ditë Ukraina do të bëhet pjesë e Aleancës.

Biden paralajmëron Putinin që të mos pushtojë Ukrainën

Mendësia e Putinit dhe motivet e tij

Si një lider që nuk toleron pothuajse asnjë opozitë brenda Rusisë, Putini ka një mospëlqim të madh ndaj revolucioneve në shtetet fqinje, që do të mund të inkurajonin protesta në Rusi.

Në Bjellorusi, ai mbështeti liderin autoritar, Alyaksandr Lukashenka pas protestave masive gjatë vitit të kaluar. Në rastin e Ukrainës, nocioni i një shteti fqinj demokratik dhe prosperues, e që është në rrugë për anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian dhe NATO, është diçka e papëlqyeshme dhe potencialisht kërcënuese për Putinin, nëse një gjë e tillë i inspiron rusët me një vizion pro-perëndimor.

Në rrezik të vazhdueshëm: Jeta e ukrainasve pranë frontit të luftës

Por, mbajtja e tensioneve mbi Ukrainën e ndihmon Putinin për të përforcuar mesazhin politik në Rusi: se ai është një mbrojtës i vendosur i interesave të Rusisë në botë, ku është i rrethuar nga armiq dhe kërcënime.

Duke e lënë Perëndimin që të hamendësojë lidhur me një pushtim të mundshëm të Ukrainës, e ka vendosur Rusinë në krye të agjendës ndërkombëtare.

Deklaratat publike të Putinit sugjerojnë se veprimet e tij nxiten nga bindjet e tij personale si dhe nga taktikat politike. Ai po ashtu mund të jetë duke menduar për trashëgimin e tij – Putini mund të kandidojë edhe për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare, pasi t’i skadojë mandati aktual presidencial më 2024.

Në një intervistë, që u transmetua më 12 dhjetor, ai foli për rënien e Bashkimit Sovjetik që e cilësoi si shkatërrim të “Rusisë historike”, në të cilën “ajo që ishte ndërtuar për 1,000 vjet, kryesisht ishte humbur”. Deklaratat e tilla mbështesin mendimet e disa analistëve që thonë se Putini e sheh Ukrainën si “çështje të papërfunduar” dhe dëshiron që të përsërisë skenarin e aneksimit të Krimesë –që ia rriti popullaritetin në Rusi – duke ndërmarrë veprime të mëtejme për të rikthyer një pjesë apo të gjithë Ukrainën nën kontrollin e Moskës./ REL

Të fundit