E mërkurë, 17 Gusht, 2022

KËTO INSTITUCIONE (S’)E RESPEKTOJNË LIGJIN PËR GJUHËN SHQIPE

Shkruan: Eljesa Dervishi

 

Tre vite prej kur Kryeparlamentari Talat Xhaferi hapi seancën në gjuhën shqipe, Ligji për përdorimin e gjuhëve akoma nuk zbatohet nga institucione të rëndësishme shtetërore.

Një pjesë e institucioneve në vendin tonë zbatojnë Ligjin për respektimin e gjuhëve duke vendosur tabelat edhe në gjuhën shqipe, por një pjesë e mirë e institucioneve nuk e zbatojnë atë.

Drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, tha se institucioni që ai e drejton ka për detyrë të mbështesë institucionet në zbatimin e ligjit. Ai paralajmëroi se në muajin mars do të dalin me raport të detajuar se cilat institucione e kanë zbatuar, e cilat jo, Ligjin e gjuhëve.

“Agjensia për Zbatimin e Gjuhëve ka për detyrë të mbështet institucionet dhe jo t’u kërkojë të zbatojë ligjin. Në muajin mars do të dalim me raport vjetor, ku do të informojmë se cilat institucione e kanë përdorë ligjin”, tha për KDP drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela

Është pikërisht institucioni Inspektorati për Zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve ai që duhet të imponojë një respektim më të drejtë të ligjit në institucionet shtetërore dhe publike. Drejtori i këtij Inspektorati, Fatmir Iseni, tha për KDP se për momentin janë bërë 26 mbikqyrje inspektuese të institucioneve nga të cilat 16 janë të rregullta dhe 7 janë të jashtëzakonshme. Ai tha se ka institucione të cilat janë akoma në mbikqyrjen inspektuese.

Sipas tij, Ligji i gjuhëve nuk zbatohet madje as tek disa ministri me të cilat drejtojnë ministra shqiptarë.

“Për momentin janë bërë 26 mbikqyrje inspektuese të institucioneve nga të cilat 16 janë të rregullta dhe 7 të jashtëzakonshme. Për momentin kemi aktvendime të miratuara me vërejte, ku në bazë të ligjit përpara duhet tu japësh vërejte, pastaj denimet. Ato institucione janë: Ministira e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Bujqësis Pylltarisë dhe të Ujrave, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Qeverisjes Lokale, Fondi për Sigurim dhe Invalidor, Ujësjellsi i Kanalizimi  Shkup, Agjensia për Rini dhe Sport dhe Zyra e udhëheqjeve të Librave Amë”, tha Iseni.

Ai tha se ka edhe institucione që e respektojnë tërësisht Ligjin për përdorimin e gjuhëve. “Të tilla janë Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive, Komisioni i Letrave me Vlerë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit…”, tha Iseni.

 “Dhe në procedurë ku ende vazhdon mbikqyrja inspektuese janë, Ministria e mbrojtjes, Ministria e ekonomisë, Regjistri qendror, Dogana dhe Agjensi e ushqimeve”, shtoi ai.

Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në çdo institucion qytetarët kanë të drejtë që dokumentet t’i kërkojnë edhe në gjuhën shqipe. Në rast se kjo nuk respektohet rastin mund ta paraqesin në zyrat e Inspektoriatit për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Të fundit