E martë, 16 Gusht, 2022

APASIEV PËRKRAH PUTININ: DESHËT NJË KOSOVË, JA EDHE DY TË TJERA

Ndërsa shumica e faktorëve politikë në Maqedoninë e Veriut kanë dënuar vendimin e Moskës për të njohur rajonet etnike ukrainase me shumicë ukrainase si shtete të pavarura, vetëm një parti ka mbështetur Rusinë e Vladimir Putinit, përcjell KDP.

“Putini ua bëri sonte: “Ju e deshit Kosovën, ja edhe dy të tjera”, ka shkruar në Facebook kreu i Partisë Levica, Dimitar Apasiev, pas lajmit për njohjen e Donetskut dhe Luhanskut nga Rusia.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërkohë, dënoi masën e Moskës. “Unë dënoj vendimin e Rusisë për të njohur Donetsk dhe Luhansk si “Republika Popullore” të vetëshpallura. Ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkelje e marrëveshjeve të Minskut dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 2015. Së bashku me aleatët e NATO-s, ne bëjmë thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit”, shkroi ai në Twitter.

Tema për dhe rreth Ukrainës ishte një nga pikat kryesore të Qeverisë së RMV. Anëtarët e qeverisë diskutuan për situatën e sigurisë por edhe masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e anëtarëve të RMV në kuadër të Misionit Monitorues të OSBE-së, të cilët ndodhen në Ukrainë.

Nga kabineti i shefit të shtetit, Stevo Pendarovski, për Telma informojnë se për momentin nuk është planifikuar seancë e Këshillit të Sigurimit për efektet dhe pasojat e mundshme të krizës ukrainase, duke thënë se vendi është në vazhdimësi aktive në kuadër të NATO-s.

Ndërkaq, ministri i Financave Fatmir Besimi ishte i pari që ngriti shqetësimet për pasojat e përshkallëzimit të situatës mes Rusisë dhe Ukrainës. Në një intervistë për MIA-n, ai tha se kjo potencialisht mund të sjellë përkeqësim në tregjet evropiane. “Kjo varet nga ndikimi në tregjet në Evropë në fushën e energjisë, i cili tashmë është ndjerë. Mund të jetë më keq nëse ndodh diçka, nëse situata përshkallëzohet dhe çmimet rriten, ne i kemi të dyja. Përshkallëzimet tjera, varësisht nga drejtimi i implikimeve, mund të jenë mungesë energjie, por ky mbetet një skenar spekulativ për momentin”, tha Besimi.

Të fundit