E martë, 16 Gusht, 2022

A E RAVIJËZON DOT NJË NORMË, FEMINIZMIN SI KONCEPT?

Përndryshe, uniformat në sistemin arsimor, mendohet se i përkasin një tradite që nga shekulli XVI (në mos më herët) dhe i atribuohen shoqërisë angleze. Ndërsa në ditët e sotme, parashihet që të zbatohet rregulli i mbajtjes së uniformës si një formë kulture dhe detyrimi i cili sheshon divergjencat qoftë ekonomike, sociale dhe pse jo, gjinore. Por, dhënia e një kahjeje të caktuar mbajtjes apo mosmbajtjes së uniformës si pjesë e kodit të veshjes në ambiente edukative dhe arsimore, duket si një tendencë diskriminuese në thelb.

Shkruan: Fatjona Abdullahi

 

Që nga antikiteti, është diskutuar diversiteti si koncept biologjik apo sociologjik mes dy gjinive dhe ndërsa për Platonin, apo më vonë për François Poullain de la Barre, mendja nuk kishte gjini dhe pikëpamja konstruktiviste i shihte dallimet vetëm si koncepte të ndërtuara nga mekanizma socialë, për esencialistët këto dallime ishin shumë thelbësore dhe madje të patejkalueshme. Përfaqësuesit e kësaj pikëpamjeje gjinisë femërore shpesh i referoheshin me terma pozitivistë duke bërë analogjizma me gjininë e kundërt dhe kjo në thelb mund të jetë aludim për një utopianizëm shoqëror. Ndërkaq, në një sistem të përcaktuar sipas gjinisë, roli i përfaqësimit të anës trupore të jetës në pafuqinë dhe nënshtrimin ndaj kufizimeve, u caktohet kryesisht grave.

Por, sa duhet të bëhet diferencimi gjinor në sistemin arsimor sidomos në kontekstin formal të paraqitjes, respektivisht në kodin e veshjes që duhet ta ndjekin pjesëtarët e dy gjinive? A e kryen rolin e vet njëtrajtësimi vizual i paraqitjes mes pjesëtarësh të grupeve të caktuara sociale, apo jep efektin e kundërt të asaj që synon të arrijë? A e ndrydh individualitetin e nxënësve, detyrimi për një dukje të njëjtë, të përafërt apo të ngjashme me bashkëmoshatarët e vet dhe a janë pritshmëritë e njëjta për dy gjinitë e një moshe?

Në radhë të parë, duhet ditur se çdo mjedis qoftë i punës, edukimit apo edhe rekreacionit i përmbahet një sërë rregullash të shkruara a të pashkruara, të cilat implementohen madje edhe në mënyrë të pandërgjegjshme kur veç më janë kthyer në normë morale e shoqërore. Së dyti, një përpjekje për të barazuar pjesëtarët e një grupi, detyrimisht mund të derivojë në receptim kundërshtues, sepse individualiteti përkon me të ndryshmen dhe dëshirat nuk janë kurrë të njëjta; apo edhe në rrafshim të dallimeve jopërmbajtësore të cilat shpeshherë janë edhe pikë qitjeje e bullizmit dhe diskriminimit shoqëror.

Përndryshe, uniformat në sistemin arsimor, mendohet se i përkasin një tradite që nga shekulli XVI (në mos më herët) dhe i atribuohen shoqërisë angleze. Ndërsa në ditët e sotme, parashihet që të zbatohet rregulli i mbajtjes së uniformës si një formë kulture dhe detyrimi i cili sheshon divergjencat qoftë ekonomike, sociale dhe pse jo, gjinore. Por, dhënia e një kahjeje të caktuar mbajtjes apo mosmbajtjes së uniformës si pjesë e kodit të veshjes në ambiente edukative dhe arsimore, duket si një tendencë diskriminuese në thelb. Nga ana tjetër, tentativa për të neutralizuar gjuhën fallocentrike e cila sipas kritikut psikanalitik Zhak Lakan, është gjuha e cila nuk lejon që gratë ta pozicionojnë veten si subjekte,  është po aq invazive sa ç’mund të jetë pikëpamja e parë…

Përqasja mes dy ekstremeve, pa dyshim se çon në silogjizma të ndryshme dhe një pasqyre reale e së vërtetës absolute është thuajse e pamundur. Megjithatë, në rrethana kur përplasjet janë të forta dhe botëkuptimet janë aq kategorike sa nuk duket që mund të ketë pikëtakime qoftë edhe sipërfaqësore, funksioni metagjuhësor dhe funksioni referues i gjuhës na shërbejnë që të jemi politikisht korrektë dhe të shmangim amullinë e cila shoqëron gjithmonë çështjet e ndjeshme siç është, diskriminimi, racizmi, mizogjinia dhe dukuri të tjera shoqërore të cilat interpretohen në forma të ndryshme dhe variojnë në kontekste sociale e kulturore.

Një gjë është e sigurt, madje deri në përmasa të së vërtetës së pamohueshme; nuk ekziston një normë e cila përfshin një segment dhe nuk përjashton një tjetër segment dhe nuk mund të ekzistojë një normë e cila ravijëzon një dukuri të tërë qoftë duke e kundërshtuar, qoftë duke e përqafuar të njëjtën. Si rrjedhojë, opinionet janë të ndryshme, botëkuptimet janë individuale dhe divergjencat nuk e kanë zanafillën në shekullin që frymojmë ne, por megjithatë kanë lëvizur rrotën e historisë dhe në binarë paralelë i kanë mbijetuar kohës, qoftë për të ndarë shoqërinë në taborë të ndryshëm bindjesh dhe formimesh, qoftë për të vënë përballë sfidat me të cilat duhet të njihemi, për të ditur se çka në të vërtetë duam të shmangim…

 

Të fundit