E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Kremlini thotë se s’ka plane specifike për takimin Biden-Putin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është pajtuar në parim për një samit me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë ditëve të ardhshme, derisa lideri amerikan po kërkon që ta pengojë udhëheqësin e Kremlinit që ta pushtojë Ukrainën.

Biden do të takohej me Putinin pas bisedimeve të 24 shkurtit midis sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, “nëse nuk ka ndodhur një pushtim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki përmes një deklarate të lëshuar më 20 shkurt.

Ideja e një takimi dypalësh është propozuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka zhvilluar bisedime të ndara me dy liderët më 20 shkurt.

Nuk është bërë e ditur se në cilën datë apo në cilin lokacion do të mbahej ky samit. Biden dhe Putin u takuan për herë të parë në Gjenevë në muajin qershor. Ai samit u nxit pas një grumbullimi më të vogël të ushtrisë ruse pranë Ukrainës, që ndodhi gjatë pranverës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se dy liderët mund të takohen, nëse vendosin për një gjë të tillë, por shtoi se “është e parakohshme të flasim për plane specifike për një samit”.

“Takimi është i mundshëm nëse liderët konsiderojnë se është i nevojshëm”, tha ai dhe shtoi se nuk “ka plane konkrete” për vendin dhe kohën e mbajtjes së një takimi të tillë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha më 21 shkurt se mirëpret nismën e Macronit dhe shpreson që kjo do të çojë në tërheqjen e trupave ruse që po kërcënojnë shtetin e tij.

“Ne mirëpresim këtë nismë. Ne besojmë se çdo përpjekje që ka për qëllim zgjidhjen diplomatike, ja vlen të provohet”, tha Kuleba.

“Ne shpresojmë që dy presidentët do të dalin nga takimi me një marrëveshje që Rusia të tërheqë trupat e saja nga Ukraina”.

Para samitit, Biden do të marrë pjesë në takimin virtual me liderët e Grupit të Shtatëve (G7), që do të mbahet më 24 shkurt. Në këtë takim do të bisedohet për krizën e shkaktuar nga grumbullimi ushtarak i Rusisë.

Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia.

Në deklaratën e lëshuar më 21 shkurt, Kremlini tha se Putin dhe Macron, gjatë bisedës së zhvilluar në fundjavë, u pajtuan se ka nevojë për vazhdim të dialogut për Ukrainën, raportoi Interfax.

Më 18 shkurt, presidenti Biden tha se ishte “i bindur” se Putini kishte marrë vendimin për pushtimin e Ukrainës dhe se kjo mund të ndodhte në ditët në vijim. Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë do të vendosnin sanksione të ashpra ndaj Rusisë, nëse Putini vendos që ta sulmojë Ukrainën.

Blinken: Duket se Rusia është në prag të pushtimit të Ukrainës

Rusia aktualisht ka pozicionuar mbi 150,000 trupa luftarake përreth Ukrainën.

Moska ka zemëruar më shumë Ukrainën dhe Perëndimin pasi shkeli premtimin se do të tërheqë trupat kur stërvitjet ushtarake të përfundonin në Bjellorusi. Në vend të kësaj, Rusia dhe Bjellorusia njoftuan se do të zgjasin stërvitjet ushtarake, që fillimisht kishin planifikuar se do të mbaronin më 20 shkurt.

Bjellorusia tha se trupat do të ktheheshin në bazat e tyre “kur të ketë një nevojë objektive për ta bërë një gjë të tillë” dhe kjo do të varej nga tërheqja e forcave të NATO-s nga afërsia e kufijve të Bjellorusisë dhe Rusisë.

Kremlini po kërkon që t’ia ndalojë Ukrainës anëtarësimin e NATO-s dhe ta tërheqë këtë shtet sërish brenda sferës së ndikimit të tij.

Pse Putin shqetësohet kur Ukraina nuk është afër anëtarësimit në NATO?

Rusia vazhdimisht ka mohuar se po planifikon që ta pushtojë Ukrainën dhe ka pretenduar se ka nisur tërheqjen e disa forcave. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë thënë se nuk ka sinjale se po ndodh tërheqja e trupave.

Në deklaratën e lëshuar nga Psaki u përsërit qëndrimi se “Rusia duket se po vazhdon përgatitjet për të kryer shumë shpejt një sulm të shkallës së gjerë ndaj Ukrainës”.

Gjermania ishte e ashpër me Rusinë, teksa ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock më 21 shkurt e akuzoi Moskën se po luante një lojë “të papërgjegjshme” me popullatën civile në lindje të Ukrainës, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve.

“Urgjentisht i bëj thirrje Qeverisë ruse dhe presidentit rus: Mos luani me jetën e njerëzve”, tha ajo.

Kryediplomatja gjermane tha se Moska e ka nisur krizën aktuale dhe i takon Moskës që ta zgjidhë atë.

SHBA-ja po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë ndonjë operacion në lindje të Ukrainës, si pretekst për ta justifikuar pushtimin e vendit.

Separatistët – një gjemb në këmbë për Ukrainën

Edhe pse të dyja palët janë pajtuar për një sërë armëpushimesh, monituesuest evropianë kanë thënë se kanë regjistruar një rritje të bombardimeve gjatë ditëve të fundit në lindje të Ukrainës. Për rritjen e dhunës, zyrtarët perëndimorë fajësojnë separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët që nga viti 2014 luftojnë në lindje të Ukrainës me forcat qeveritare.

Ndërkaq, Putin ka fajësuar Ukrainën për intensifikim të luftimeve, duke rritur shqetësimet se ai mund ta përdorë këtë gjë si shkas për ta pushtuar shtetin fqinj.

Të fundit