E mërkurë, 17 Gusht, 2022

QË LUGINA TË DËGJOHET NË BEOGRAD, E JO VUÇIQI NË LUGINË

Shkruan: Shaip Kamberi

 

Uniteti i Luginës për zgjedhjet në parlament të Serbisë është i rëndësishëm.

Edhe numri i deputetëve.

Por thelbësorja është Unitet për çka? Deputetë për kë?

Disa thonë se kur e kemi unitetin dhe numrat, emrat e deputetëve s’kanë rëndësi. Se pastaj qenka çështje egosh dhe interesash personale.

Si nuk paskan emrat rëndësi. Kjo është së paku shkurtëpamësi.

Emrat e deputetëve janë cilësi politike, bindje e përvojë, shërbim i dëshmuar. Historia së paku 50 vjeçare e pjesëmarrjes së deputetëve shqiptarë në Beograd është dëshmia më e mirë. Disa i kanë shërbyer qëllimeve politike të shqiptarëve. Disa interesave individuale ose biznismenëve të krimit të organizuar. Tjerë, edhe më keq, nevojave të pushtetit në Beograd.

Pra, uniteti dhe numrat mund të orientohen nëser gabimisht nga deputetët. Të shërbejnë për tjetër qëllim. Sepse emrat e deputetëve përfaqësojnë politika të caktuara. S’janë letërnjoftime.

Mund t’i kemi 5 deputetë të orientuar gabimisht dhe që ushtrojnë politika të këqija. Siç mund të kemi më pak deputetë, por të orientuar drejtë dhe me politika të mira. Kjo është dëshmuar në këtë legjislaturë që shkoi.

Unë jam për këtë. Që të marrim sa më shumë deputetë, por me kusht që të jenë të orientuar drejtë dhe të ushtrojnë politika të mira. Dhe këtë na e tregojnë emrat e përveçëm. Dhe historia politike e secilit emër.

Sepse vetëm cilësimi Deputet Shqiptar nuk flet për politika progresive dhe kombëtare, e aq më pak për cilësi.

Shqiptar ishte edhe Ali Shukriu. Edhe Rrahman Morina. Por ç’të mirë na sollën? Asgjë. Sepse ishin të udhëhequr nga politika të gabuara.

Sa për që kam emrin Shaip Kamberi dhe që jam shqiptar, kjo nuk do t’i kishte penguar domosdoshmërisht pushtetit në Beograd. Ai më luftoi dhe sulmoi vazhdimisht para së gjithash se nuk i përshtatej politika ime.

Pra, uniteti, numrat dhe emrat nuk janë çështje thjesht teknike dhe abstrakte. Janë politike.

Uniteti dhe numrat, vetë, pa politikën, apo me politikën e caktuar dominuese; mund të shkojnë bashkë nën sqetullat e pushtetit autoritar të Vuçiqit. Në mbrojtje të interesave të tij. Dhe atë në emër të shqiptarëve.

E shohim këtë sot me deputetë të tjerë joshumicë. Shihni boshnjakët. Disa prej tyre janë sot direkt partner me pushtetin në Beograd duke qenë edhe pjesë përbërëse e listës zgjedhore të SNS të Vuçiqit. Disa të tjerë janë indirekt partner duke aktruar hera-herës opozitën. Përzgjedhje e tyre. E drejtë e tyre.

Por për këtë model, unë s’jam.

Vazhdoni pa mua.

Kjo jo se nuk e kuptoj ‘pragmatizmin’ dhe realpolitikën. Porse ka një kontekst dhe një realitet përballë nesh.

Se Qeveria dhe modeli shtetëror nuk janë po ashtu çështje abstrakte.

Kemi një pushtet që dominohet nga Vuçiqi, Daçiqi dhe Vulini. Kemi shumicën e opozitës serbe që s’është hiq më e mirë.

Kemi një Serbi që nuk ka një Kushtetutë, ligje dhe rend administrativo-territorial, apo në përgjithësi edhe model shtetëror dhe klimë shoqërore, që mundëson e garanton ruajtjen, respektimin dhe avancimin e lirive, të drejtave dhe mirëqenies së joshumicës.

Prandaj, nuk jam i interesuar për unitet që do të mund të na bënte vegël ose partner të pushtetit në Beograd.

Për të kundërtën, ja ku jam.

Për politikën që e keni parë dhe dëgjuar deri para pak ditësh në parlament. Mbetem i bindur se kjo është rruga e duhur për Luginën e Preshevës. Për këtë angazhohem dhe marrë përgjegjësi.

Për këtë politikë, ju ftoj të bashkohemi. Për këtë politikë ju ftoj për unitet. E të bëhemi sa më shumë.

Vetëm kështu ka kuptim Lugina e Bashkuar.

Që të dëgjohet Lugina në Beograd; e jo Vuçiqi, Daçiqi dhe Vulini në Luginën e Preshevës.

Të fundit