E mërkurë, 17 Gusht, 2022

PETKOV E “PRET” KOVAÇEVSKIN, NUK POSTON ASNJË FOTO ME TË

Kryeministri bullgar Kiril Petkov ka prerë foton ku ka dalë bashkë me homologun e tij maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe Sekretarin e Shtetit Amerikan, Antony Blinken, raporton KDP.

Fotoja është bërë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, gjatë fjalimit të zv/presidentes Amerikane Kamala Harris.

Në foton e publikuar në profilin e Kovaçevskit thuhet se ka realizuar një takim të përzemërt me Blinken, pa përmendur edhe Petkovin që duket në foto.

“Një takim i përzemërt me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anthony Blinken, gjatë fjalimit të Zëvendës Presidentes së Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris. Ne ndajmë mendimin se së bashku jemi më të fortë si aleatë të NATO-s. Sekretari i Shtetit Blinken shprehu mbështetjen e tij të plotë për dialogun dhe miqësinë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe ndau dëshirën e tij të sinqertë për të na parë së bashku në BE. Shtetet e Bashkuara mbeten partneri ynë i përkushtuar në tejkalimin e sfidave.”

Nga ana tjetër, Petkov e ka publikuar foton me Blinken, por pa Kovaçevskin, në një kolazh fotografish nga takimet me autoritete të larta shtetërore që ishin pjesëmarrës në konferencë.

Petkov në postimin e tij nuk përmend emra, as Kovaçevskin, por thotë se në fokus të takimeve ka qenë tema e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit.

Ndaj “prerjes” së Kovaçevskit ka reaguar VMRO-DPMNE, duke thënë se me këtë nënçmohet vendi nga ana e Bullgarisë.

“Nisur nga karakteri i këtij takimi të rëndësishëm për të dyja vendet, si dhe duke pasur parasysh njoftimet e LSDM-së për erëra të reja në marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje, një veprim i tillë i kryeministrit Petkov në raport me kryeministrin maqedonas, nuk është vetëm një akt poshtërimi i Dimitar Kovaçevskit, që nuk është problemi ynë, por zhvlerësim i drejtpërdrejtë i vendit tonë për të cilin jemi të detyruar të reagojmë” thonë nga VMRO-DPMNE.

Të fundit