Këtë, në një intervistë për portalin Buletini Ekonomik  e ka thënë Muhamet Mustafa, njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike të vendit, themelues e këshilltar Senior në Institutin Riinvest, përcjell KDP.

Kosova ka dështuar me modelin e zhvillimit ekonomik, apo të rritjes ekonomike, e cila është bazuar në faktorët ekstern – asistencë financiare nga jashtë, remitanca e të tjera, për ta servisuar konsumin dhe jo në modelin që rritë ofertën vendore, vlerëson Muhamet Mustafa. Ai thotë se si vend kemi dështuar edhe në vendosjen e një sistemi të konkurrencës fer, ngase shpesh importet ka ndodhur të kenë një pozitë më të favorshme në tregun vendor se sa prodhuesit vendor.

“Funksionimi i gjyqësorit në fushën komerciale gjithashtu ka qenë shumë problemtik. Zgjidhja e konteksteve biznesore zgjatë shumë, me shumë se 4 e 5 vjet dhe kjo tremb investitorët. Edhe toleranca ndaj korrupsionit, sidomos e forcave politike, por edhe ev gjyqësorit e deri diku edhe e opinionit e sidomos komunitetit të biznesit, gjithashtu ka ndikuar negativisht në vëllimin e investimeve”, thotë në intervistën për Buletinin Ekonomik, Muhamet Mustafa, njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike të vendit dhe themelues e këshilltar Senior në Institutin Riinvest.

Ndërsa, shkaqet, sipas profesor Mustafës, duhet kërkuar në disa rrafshe. Së pari tek qeverisja ekonomike, më saktë ajo makroekonomike, që thotë se nuk ka pasur një filozofi të duhur zhvillimi, përpos një vizioni rreth infrastrukturës rrugore, kurse në sektorët e tjerë, ka qenë thuaja pa koncept e plan dhe e përcjellur me veprime add- hoc, e përqëndruar vetëm tek një stabilitet fiskal brenda kornizave të monitoruara rreptë nga FMN-ja.

“Thuaja të gjitha kabinetet qeveritare, deri kah viti 2015, çështjet e reformës dhe politikave ekonomike ua kishin lënë organizatave e institucioneve ndërkombëtare, që jo gjithëherë ishin të thelluara në matriksin ekonomik dhe social të Kosovës. Një problem ndoshta edhe më i madh ka qenë paaftësia e klasës politike për t’u ngritur mbi interesat grupore e partiake dhe për të krijuar një konsensus për interesat strategjike lidhur me zhvillimin ekonomik. Lufta primitive partiake e ka zhvendosur vëmendjen nga çështjet e zhvillimit ekonomik dhe ka servisuar një antagonizëm brutal midis forcave politike”, thotë Muhamet Mustafa në intervistën e gjatë për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, shkakun duhet kërkuar edhe tek munegsa e llogaridhënies në rend të parë të kabineteve qeveritare, e pastaj edhe bordeve dhe ekipeve menaxheriale në sektorët e ndryshëm ekonomik.

Sipas profesor Mustafës, pasojat më të mëdha nga e gjithë kjo, janë tek rënia e optimizmit sidomos tek të rinjtë dhe orientimin e tyre për të migruar jashtë vendit. Për shkak të këtyre trendeve, Kosova ka rrezik ta humb një nga përparësitë krysore krahasimore për zhvillim – popullsinë e re.

“Frigohem se me regjistrimin e ri të popullatës do të dalim të dëshpruar kur të shohim këto rrjedha demografike te sforcuara nga faktorët negativë që i diskutuam” ka thënë në vazhdim ai.

Por, a ka gjasa dhe mundësi për të përmirësuar trendet e zhvillimit?

“Po, sigurisht. Dobësitë për të cilat folëm nuk janë të paevitueshme. Gjithashtu ne duhet të shkojmë kah modelet e sprovuara që kanë dhënë rezultate në vende të ndryshme dhe t’u ikim eksperimenteve që mund të marrin shumë kohë dhe energji dhe të japin pak rezultate”, vë në dukje ai.

Mustafa thotë se Qeveria aktuale duhet të lehtsojë zhvillimin e biznesit duke vazhduar me luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e ligjit dhe duke promovuar konkurrencën e barabartë, me një përkrahje të biznesve vendore me masa indirekte që ta përballojnë konkurrencën e jashtme dhe të vazhdojë me rritjen e eksportit. Kësisoji, mund të rriten vendet e reja të punës dhe pagat, si dhe të zbutet tendenca për migrim.

“Do të jetë shumë me rëndësi që të mbahet rritja ekonomike 6-7% për disa vite të ardhshme dhe për këtë nevojiten që të nxiten investimet e sektorit privat dhe investimet e jashtme direkte, si dhe që investimet publike në fakt të jenë lehtësuese dhe komplementare me këtë. Po theksoj edhe njëherë që duhet qëndruar tek modelet e rritjes së ofertës konkurruese vendore, shtetit jo të shtrenjtë, inkuadrim me kohë në Agjendën e gjelbër, transformim digjital dhe shtet ligjor. Eshtë e nevojshme të avansohet edhe qeverisja makroekonomike ne bazë të analizave dhe evidencave të bazuara në ekspertizë”, tha në këtë intervistë themeluesi i Riinvest-it.

 

Intervistën e plotë të profesor Muhamet Mustafës, dhënë për Buletinin Ekonomik, mund ta lexoni KËTU!