E premte, 19 Gusht, 2022

Çfarë u ndodh të prekurve me BA.2 varianti i Omikron që po pushton botën

BA.2 një nënvariant i Omicron, i quajtur rëndom si “Omicron 2”, po përhapet me shpejtësi në botë. Ai raportohet në 43 vende dhe sipas një monitorimi të fundit nga OBSH ai përbën 21% të rasteve të Omicron.

10 vende raportuan mbizotërimin e BA.2, me mbi 50% të rasteve duke përfshirë Kinën, Filipinet, Indinë, Nepalin, apo dhe Danimarkën ku arriti në 66% të infektimeve. Në Itali ai përbën 3% të rasteve.

Sa i transmetueshëm është?

Studimet e fundit tregojnë se BA.2 është më i transmetueshëm se BA.1. Ekspertë në Danimarkë dhe Britaninë e Madhe tregojnë se Omicron 2 është midis 30% dhe 50% më i transmetueshëm se Omicron.

A është sëmundja më serioze?

Aktualisht ka prova të pakta mbi ndryshimet në ashpërsinë e sëmundjes të shkaktuar nga BA.1 dhe BA.2. Në Britaninë e Madhe ku BA.2 është rritur në mënyrë të vazhdueshme javët e fundit, ka pasur një rënie të shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Një analizë e kryer në Danimarkë nuk tregoi dallime në rrezikun e shtrimit në spital midis personave të infektuar me BA.1 ose BA.2, megjithëse që kur Omicron 2 u bë dominant, ka pasur një rritje të numrit të shtrimeve në spital dhe vdekjeve në vend. Megjithatë, varianti nuk duket se shkakton sëmundje më serioze, madje as tek fëmijët.

Në Nepal, ku Omicron 2 është i përhapur me përqindje shumë të larta, numri i shtrimeve në spital, edhe në terapi intensive, është në rënie. E njëjta gjë është e vërtetë për Afrikën e Jugut ku BA2 është 86% dhe pranimet në spital vazhdojnë të bien.

A janë vaksinat efektive?

Disa studime sugjerojnë se BA2 mund të kapërcejë lehtësisht imunitetin e shkaktuar nga vaksinimi ose një infeksion i mëparshëm me variante të tjera.

A mund të infektojë Omicron 2 ata që janë shëruar nga Omicron?

Është ende e paqartë nëse varianti BA.2 është i aftë për të shkaktuar riinfeksion te njerëzit që janë infektuar më parë me Omicron. Dimë se ata që janë shëruar nga Omicron mund të ndihen më rehat sepse infektimi me të njëjtin variant konsiderohet i pamundur pasi janë zhvilluar antitrupa specifikë. Por Omicron 2 nuk është i njëjti virus. Ai ndan 38 mutacione të njëjta me BA.1, por ka edhe 27 mutacione unike shtesë.

Cila është koha e shfaqjes së simptomave?

Nga një studim paraprak në Mbretërinë e Bashkuar, koha mesatare deri në fillimin e simptomave është rreth gjysmë dite më e shkurtër për BA.2 sesa për BA.1, me një periudhë mesatare përkatësisht 3.27 ditë krahasuar me 3.72 ditë. Me Delta, intervali midis infeksionit dhe fillimit të simptomave ishte afërsisht 4 ditë.

A e zbulojnë tamponët Omicron 2?

Omicron 2 është përcaktuar gjithashtu si “i padukshëm” sepse është i vështirë për t’u identifikuar. Ndaj është e nevojshme të kryeni analiza laboratorike. ©Marrë nga Corriere.it, përshtati në shqip LAPSI.al

Të fundit