E premte, 19 Gusht, 2022

INTERVISTË, BUJAR OSMANI: TOPI ËSHTË KËTU, JO NË PARIS – JEMI AFËR ZGJIDHJES SË KONTESTIT ME BULLGARINË

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, thotë se nuk i bëjnë përshtypje paragjykimet etnike me të cilat ballafaqohet si drejtues i diplomacisë së shtetit. Si shqiptar etnik që tenton të zgjidhë problemin me Bullgarinë, shpesh në opinion është kritikuar se ai nuk ka të drejtë të negociojë për identitetin maqedonas. Në një intervistë për KDP, Osmani thotë se këto dyshime janë normale për një shoqëri që kalon në një kornizë moderne të shtetit të Maqedonisë së Veriut, ku të gjithë janë të barabartë para ligjeve dhe obligimeve.

Si vend anëtar i NATO-s Osmani thotë se Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë dilemë në raport me Ukrainën: mbështet fuqishëm integritetin e saj territorial dhe të drejtën sovrane për të vendosur vetë orientimet strategjike në politikën e jashtme.

Për problemin me Bullgarinë, Osmani thotë se dy vendet janë më afër se kurrë në gjetjen e një zgjidhjeje.

Në intervistë flet edhe për dilemat e ditëve të fundit rreth emërimit të konsujve në SHBA, apo edhe për vendet e zbrazëta të ambasadave në disa shtete të rëndësishme.

 

Intervistoi: Seladin Xhezairi

KDP: Që nga viti 2020 Bullgaria bllokon hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE). Tani, kur në Sofje dhe në Shkup kemi qeveri të reja, a vazhdoni të jeni optimist që më në fund do të gjendet një zgjidhje?

Bujar Osmani: Jam ndër politikanët e rrallë nga të dyja palët që ka qenë i angazhuar në zgjidhjen e këtij problemi që nga fillimi. Pra, jam i involvuar nga 2 gushti, kur është nënshkruar Marrëveshja për  Fqinjësi të  Mirë, pastaj edhe në Marrëveshjen e Prespës, në ngritje-rëniet e marrëdhënieve…Kështu që duhet të jem më i kujdesshëm edhe kur bëhet fjalë për optimizmin pasi jam i vetëdijshëm se në çfarë konteksti veproj. Se cilat janë vështirësitë me të cilat do të ballafaqohemi, pavarësisht vullnetit të mirë dhe entuziazmit nga të dyja qeveritë, ne e kemi të qartë se nuk kemi rrugë tjetër përveç se të vazhdojmë përpjekjet për të gjetur zgjidhje. Natyrisht se jemi optimist pasi detyra jonë është të realizojmë aspiratat e qytetarëve që na kanë angazhuar të punojmë në interes të tyre. Mendoj se ka një dinamikë të re. Me formimin e qeverive të reja, pas gati dy vitesh, ne kemi parakushte më të mira për veprim. Këtë e them sepse, edhe qeveria e fundit politike në Bullgari, ishte nën një presion të madh. E keni parasysh se në atë kohë kishte protesta në rrugë, ishte periudhë parazgjedhore, pastaj kishte qeveri teknike, tre cikle zgjedhore të njëpasnjëshme…Kjo e vështirësonte hapësirën për të tejkaluar këto dallime. Tani për herë të parë kemi dy qeveri, që janë në fillim të mandatit si parakusht i rëndësishëm drejt zgjidhjes, dhe që kanë vullnet politik për ta mbyllur këtë çështje të hapur, që i mban peng edhe raportet midis dy vendeve, por edhe secilin vend veç e veç.

 

KDP: Si do të mbyllet kjo çështje kur pozicionet e të dyja palëve mbeten ashtu siç ishin?

Bujar Osmani: Prandaj ekzistojnë bisedimet. Këto bisedime nuk kanë filluar para një muaji, por ka më shumë se një vit që zhvillohen. Kemi kaluar në faza të ndryshme të atyre negociatave, me qasje të ndryshme, me perspektiva të ndryshme, me ç’rast ka pasur shumë punë por edhe mosbesim mes palëve. Mirëpo, ashtu siç janë zhvilluar bisedimet disa çështje janë qartësuar, disa pozicione janë përafruar, disa perspektiva janë ndryshuar dhe tani kemi një situatë ku gjithçka është e shkruar në letër. Thuhet se nëse mund ta shkruar një problem në letër, gjysmën e tij e ke të zgjidhur. Kjo do të thotë se nëse mund ta definosh problemin saktë, gjysmën e rrugës e ke kaluar. Mendoj se suksesi i deritashëm i bisedimeve ka qenë definimi i kontestit, definimi i qartë i pozicioneve të të dyja palëve. Ky është një parakush shumë i rëndësishëm sepse, kur nuk keni pozicione të definuara, ju as nuk mund të takoheni e as të bisedoni për dallimet. Mendoj se tash e kemi definuar problemin. Do të duhet vullnet i mirë, mençuri, më pak emocione dhe, natyrisht, kreativitet diplomatik që ky problem tashmë i definuar të mund të zgjidhet në interes të të dyja palëve.

 

KDP: Thatë se që nga fillimi jeni i përfshirë në zgjidhjen e kontesteve me fqinjët. Si i shihni kritikat që vijnë nga qarqe politike maqedonase, që thonë se kush është Bujar Osmani të na zgjidhë këtë çështje që është e lidhur me identitetin etno-kulturor të maqedonasve? Ka edhe zëra nga ish diplomatë, të cilët thonë se Maqedonia e Veriut duhet ta anulojë Traktatin e Fqinjësisë së Mirë me Sofjen zyrtare dhe i tërë procesi të nisë nga fillimi?

Bujar Osmani: Këto janë dy aspekte, dy vlerësime. Sa i përket aspektit të parë, unë mendoj se është paragjykim klasik. Nuk e marr shumë për zemër këtë paragjykim sepse do të duhet kohë që njerëzit ta kuptojnë një Maqedoni të Veriut, të re. Ky paragjykim ka qenë shumë më i madh para Marrëveshjes së Ohrit – fillimisht ka qenë pse janë shqiptarët këtu, pse janë në institucione, pastaj pse udhëheqin me ato institucione, kush janë shqiptarët të merren me çështjet e shtetit….Këto janë faza nëpër të cilat kalon një shoqëri që është rritur në një kornizë ndryshe dhe tash kalon në një kornizë tjetër. Nuk ndodh kjo vetëm këtu, por te çdo popull që kalon nga korniza e vjetër në kornizën e re të shtetit. Unë jam i bindur se fare në fund, kur krejt kjo të mbarojë, do të kuptohet roli i rëndësishëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, roli im dhe i yni si subjekt politik për të unifikuar qëndrimin e etniteteve të ndryshme në një pozicion shtetëror. Ky rezultat tani mund të nënvlerësohet pasi shpesh nga drunjtë nuk shihet mali, por në fund do të shihet se sa paska qenë e rëndësishme që shteti të flasë me një zë, pa çarje ndërmjet bashkësive etnike. Kur krejt kjo të përfundojë me sukses atëherë edhe një paragjykim i madh do të thyhet, siç janë thyer shumë paragjykime që nga vitit 2001, 2002 e deri më tani. Sa i takon aspektit të dytë, pra kërkesës për rishqyrtim të marrëveshjes, mendoj se këto janë nacionalizma ekstremë që ekzistojnë në çdo shoqëri. Ajo që është më e rëndësishme se ato nuk përfaqësojnë shumicën e popullit për shkak se shumica e secilit komunitet do një Maqedoni të Veriut që është stabile, në një trajtë zhvillimore, drejt integrimit në Bashkimin Evropian, që do standard të mirë jetësor…Ne po punojmë në këtë drejtim.

 

KDP: Do pranuar faktin se, megjithatë, është i rëndësishëm ai konsensus brenda kampit politik maqedonas, në një kohë kur kemi dy qëndrime diametralisht të kundërta ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.

Bujar Osmani: Konsensus po, por jo unifikim të qëndrimeve të të gjithë njerëzve. Ajo është e pamundshme, por edhe e panevojshme. Ju e dini se kur është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit, 80 për qind e opinionit publik te maqedonasit etnik kanë qenë kundër, kurse sot 70 për qind janë për. Për Marrëveshjen e Prespës ka qenë i njëjti raport – komuniteti maqedonas ka qenë kundër, kurse tani janë për. Kjo do të thotë se politikanët duhet të udhëheqin, jo të ndjekin. Edhe në këtë rast, kur ne jemi të bindur se këtë e bëjmë në interes të qytetarëve, ata do të na përkrahin.

KDP: Është folur për qasje të ndryshme të palës sonë dhe asaj bullgare. Për herë të parë u kërkua që bullgarët etnikë të Maqedonisë së Veriut të përfshihen në Kushtetutë. Kjo ka shkaktuar opinione të ndryshme në kampin politik maqedonas, por edhe ndërmjet partisë që Ju e përfaqësoni dhe partive maqedonase në qeveri?

Bujar Osmani: Ka disa pika që bisedohen në paktën e çështjeve të hapura me bullgarinë.

 

KDP: Mund t’i emërtoni?

Bujar Osmani: Ne kemi negociata që janë në zhvillim e sipër, edhe në nivel politik edhe në nivel ekspertësh. Nuk mund t’i elaboroj në detaje ato çështje përderisa bisedimet janë në zhvillim e sipër. Javën e kaluar kishim një takim në Sofje, javën e ardhshme në Shkup takohemi në nivelin politik për t’u dhënë kahe bisedimeve diplomatike. Gjithsesi se kemi biseduar edhe për nevojën e përfshirjes së komunitetit bullgar në Kushtetutën e vendit. Kjo nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me kontestin me Bullgarinë, por është një çështje e raportit të ri të shtetit ndaj komuniteteve dhe ndaj qytetarëve, që e ka hapur Marrëveshja e Ohrit. Nëse një komunitet shpreh dëshirë që të jetë pjesë e atyre mekanizmave që i mundëson Marrëveshja e Ohrit, atëherë ne mendojmë se ajo marrëveshje nuk duhet të jetë përjashtuese për asnjë komunitet. Prandaj, kërkesa për inkuadrimin e komunitetit bullgar në Kushtetutë është kërkesë e shtetasve tanë. Kjo temë është tash pjesë e bisedimeve me Sofjen, por si kërkesë vjen nga shtetas të Maqedonisë së Veriut. Andaj unë mendoj se në këtë  drejtim ne jemi të njohur për suksesin që kemi arritur me Marrëveshjen e Ohrit që solli demokracinë multietnike funksionale të pashoq në rajon dhe më gjerë. Absolutisht nuk duhet të frikësohemi nga diçka për të cilën jemi më të mirët.

 

KDP: Ka vlerësime sipas të cilave komuniteti ndërkombëtar – Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – thënë kushtimisht e ‘dogjën’ një kryeministër të një vendi, një kryeministër reformator, sikurse quhej ish-kryeministri Zoran Zaev. A prisni se Franca, si kryesuese e radhës e BE-së, deri në fund të mandatit do të imponojë lëvizje përpara në sensin e zhbllokimit të procesit apo…?

Bujar Osmani: Fillimisht, unë nuk pajtohem se komuniteti ndërkombëtar e dogji cilindo politikan këtu. Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA dhe Bashkimi Evropian janë partnerët tanë më të përafërt pa të cilët ne këtu nuk do të mund të bënim asnjë sukses të madh politik. U jemi mirënjohës dhe mbetemi në kultivimin e këtij partneriteti edhe në të ardhmen. Sa i takon Presidencës së Francës, unë para disa ditësh kisha një vizitë në Paris për të shpjeguar atje dinamikën e re që është krijuar mes nesh dhe Bullgarisë dhe për të parë se a përputhet kjo me dinamikën e presidencës franceze, duke  parë se edhe ata pas dy muajve kanë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Në këtë drejtim mund të them se këto dinamika përputhen, mirëpo para së gjithash përcaktuese do të jetë dinamika e jonë. E jona me Bullgarinë. Franca sigurisht se pastaj do e mbështet dhe nuk do ta pengojë një rezultat që do të mund të arrihet ndërmjet nesh dhe Bullgarisë, por tani  topi është këtu – jo në Paris!

 

KDP: Mendoni se deri në qershor do të shohim atë ‘tymin e bardhë’?

Bujar Osmani: Tash nuk mund të flas për data konkrete. Është me rëndësi që, sikurse thash, kemi arritur ta definojmë problemin, tani duhet ta mbyllim atë. Nëse e mbyllim kjo do të jetë një ktheslë historike për vendin për shkak se për herë të parë në historikun e këtij vendi do të kemi një situatë kur më tema të hapura politike , qoftë ndëretetnike, qoftë ndërfiqnjësore, nuk do të ketë më. Me anëtarësimin në NATO, me fillimin e bisedimeve me BE-në, Maqedonia e Veriut hy në një kapitull krejtësisht tjetër, edhe të procesit politik, edhe të zhvillimit shoqëror. Prandaj mendoj se ajo do të jetë shumë e rëndësishme ta hapim këtë kapitull të ri, pavarësisht nëse do të jetë një muaj më herët apo më vonë.

 

NUK KEMI EMËRUAR KONSULL NË NJU-JORK, ANGAZHOHEM QË AMBASADORËT TË JENË DIPLOMATË TË KARRIERËS

KDP: Le të kalojmë te çështjet që në shikim të parë janë të brendshme, por nuk është se nuk reflektohen edhe jashtë. Ka pasur debate për emërimin apo mosemërimin e ambasadorëve në disa vende. Pse po ndodh kjo? Keni mospajtime brenda me presidentin e shtetit, apo…?

Bujar Osmani: Kjo është një temë e vjetër. Emërimi i ambasadorëve kërkon koordinim mes tre institucioneve: ministrit të jashtëm, kryeministrit dhe presidentit. Çështja e koordinimit përherë është atraktive për opinionin. Këtu duhet përmendur edhe raporti i diplomatëve të emëruar nga jashtë dhe atyre të karrierës. Me Ligjin aktual të punëve të jashtme, më së paku 25 për qind e ambasadorëve duhet të jenë të shtëpisë, kushtimisht thënë. Pra, diplomatë të karrierës. Në propozimin e ligjit që e kam dërguar unë në qeveri kërkoj që 75 për qind e ambasadorëve të jenë diplomatë të karrierës, kurse 25 për qind të jenë njerëz të afirmuar nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë. Por kjo ende është si propozim. Që kur unë jam ministër janë emëruar 15 ambasadorë. Përveç atij në Romë, të gjithë të tjerët janë diplomatë karriere. Kjo do të thotë se nga 15 ambasadorë të emëruar në vitin e kaluar dhe këtë vit, 14 janë diplomatë të karrierës. Natyrisht se kjo nuk përjashton debatin për emrat edhe në të ardhmen sepse, realisht, ambasadorët janë imazhi i shtetit jashtë.

 

KDP: Si ndodhi që në dy kryeqendrat botërore, Bruksel e Uashington, vendi jonë të mos ketë ambasadorë për një kohë të gjatë?

Bujar Osmani: Në Bruksel kemi ambasador. Kanë mbetur vetëm shtatë pozicione të paplotësuara nga gjithsej 58. Është hera e parë që kemi aq përqindje të madhe të pozicioneve të plotësuara. Dy vende kritike kanë qenë Uashingtoni dhe Sofja – Uashingtoni për shkak të Uashingtonit, kurse Sofja për shkak të kontestit që e kemi. Por kemi vendim për Sofjen, që është marrë vetëm shtatë ditë pas formimit të qeverisë së re. Ky është një reflektim i kësaj strukture të re, pra timen si ministër, të kryeministrit dhe presidentit për të marrë vendime të shpejta. Në Sofje sërish kemi caktuar diplomat karriere. Shumë shpejtë do të dalim edhe me emër për Uashingtonin. Poashtu do të plotësojmë edhe vendin që do të zbrazet në Bruksel brenda vitit.

 

KDP: Këtë intervistë po e zhvillojmë një ditë pas spekulimeve për emërim konsujsh në SHBA. Ka pasur interpretime nga më të ndryshmet. Emrat që lakohen kanë bërë jehonë pasi flasin për implikimet e mundshme politiko-partiake. Cila është e vërteta?

Bujar Osmani: Ambasadorët dhe konsujt propozohen nga Qeveria. Derisa të konfirmohen nga vendi mikpritës konsiderohen si informacione konfidenciale. Prandaj nuk mund të konfirmoj asnjë informacion e asnjë emër në këtë fazë, kur me ligj kërkohet konfidencialiteti. Ajo çka mund të them është se në Nju-Jork ne kemi konsull gjeneral, i cili është diplomat karriere. Atij ende nuk i ka përfunduar mandati. Prandaj nuk dua t’i komentoj të gjitha ato spekulime që qarkulluan këto ditë në opinion.

 

MAQEDONIA E VERIUT MBËSHTET TË DREJTËN E UKRAINËS VETË T’I PËRCAKTOJË ORIENTIMET STRATEGJIKE

 

KDP: Dje ishte ajo dita D, kur pritej që Rusia të sulmojë Ukrainën, por fatmirësisht nuk ndodhi. Si i shikoni zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe rreth Ukrainës? Cili është vlerësimi Juaj për këto zhvillime që ndodhin midis Lindjes dhe Perëndimit?     

Bujar Osmani: Si e gjithë Bota, edhe ne jemi të shqetësuar pasi është një kanosje e madhe për sigurinë. Nuk është kanosje vetëm për sigurinë e Evropës, por edhe një kërcënim për rendin botëror, për sovranitetin e shteteve, për parimet themelore të OKB, OSBE…Natyrisht se kjo të gjithëve na bën të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për atë se çfarë mund të ndodhë. Na bën të jemi më aktivë në parandalimin e një eskalimi të mundshëm. Ajo që na vendos në një pozitë tjetër është fakti se ne jemi anëtar i NATO-s. Kjo na mundëson në qasje të informacioneve të cilat as që kishim mundur t’i paramendojmë para dy viteve, kur nuk ishim anëtar i NATO-s. Ne si shtet tash kemi qasje në të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me zhvillimet në Ukrainë dhe rreth Ukrainës. Në radhë të parë, kjo na mundëson që vendimet t’i kemi të bazuara në informacione të sigurta. Dhe e dyta, na jep mundësi që të kontribuojmë dhe të jemi pjesë e Aleancës në sigurimin e mbrojtjes kolektive. NATO nuk është Aleancë që kërcënon Rusinë apo ndonjë vend tjetër, por është Aleancë për mbrojtje kolektive të vendeve anëtare. Ka dy qasje në zgjidhjen e problemit: e para është shfrytëzimi i mjeteve diplomatike me Rusinë, dhe e dyta mbrojtja e çdo vendi anëtar nga çdolloj kërcënimi që mund t’i ndodhë këtij rajoni. Ne shpresojmë se Rusia do të reflektojë dhe do të de-eskalojë situatën. Maqedonia e Veriut ka qëndrim parimor në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, por edhe të mbështetjes së të drejtës së Ukrainës, si çdo vend tjetër sovran, t’i përcaktojë vetë orientimet strategjike në politikën e jashtme. Në këtë drejtim do të vazhdojmë të jemi aktivë për t’i dërguar këto mesazhe. Ne jemi unik në kuadër të NATO-s dhe do të bëjmë çmos për t’i dhënë shans de-eskalimit të situatës nëpërmjet instrumenteve diplomatike, por natyrisht që do të jemi të gatshëm edhe të mbrohemi.

 

KDP: Këto ditë do të merreni pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Munih të Gjermanisë. Çfarë ndikimi mund të kenë në rajonin e Ballkanit Perëndimor zhvillimet në dhe rreth Ukrainës?

Bujar Osmani: Sigurisht se po. Ballkani Perëndimor nuk është edhe aq larg nga ajo zonë e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë. Natyrisht se ka edhe forma tjera të ndikimit, qoftë ai hibrid, politik apo tentimit për defokusim. NATO dhe ne si anëtarë nga ky rajon kemi në fokus edhe implikimit e asaj krize në këtë pjesë të Evropës. Të gjitha vendet në kuadër të NATO-s bëjnë përgatitjet e mundshme, qofshin ato ekonomike, qofshin kibernetike apo edhe pasoja tjera që mund të rrjedhin nga një eskalim i mundshëm atje.

 

 

Të fundit