E mërkurë, 17 Gusht, 2022

Pandemia drejt një faze të re

Pas dy vjetësh me infektime, viktima dhe kufizime, koronavirusi duket se ka marrë një formë të re. Varianti i ri Omicron është duke u përhapur më shpejt se çdo variant tjetër, por rezulton të jetë më pak i ashpër. Flitet se pandemia shpejt mund të njihet si endemi.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka marrë vendim më 19 janar që maskat të mos jenë më të detyrueshme. COVID-certifikatat, që dëshmojnë vaksinimin e plotë kundër koronavirusit ose testimin negativ, nuk do të kërkohen më. Udhëzimet për të punuar nga shtëpitë, do të pushojnë po ashtu.

Johnson ka thënë se kufizimet hiqen, pasi shkencëtarët e Qeverisë së tij besojnë se infeksionet e shkaktuara nga varianti Omicron, kanë arritur tashmë kulmin. Në ditën kur ka shpallur vendimin, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar mbi 108 mijë raste të reja, por numri i viktimave është në rënie.

“Ne do t’i besojmë gjykimit të popullit britanik dhe nuk do t’i penalizojmë më ata që nuk vendosin maska”, ka thënë Johnson.

Edhe në Spanjë, kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se numri i viktimave nga koronavirusi është në rënie dhe se qytetarët do të duhet të mësojnë të jetojnë me të, ashtu siç jetojnë me shumë viruse të tjera. Në Portugali, presidenti Marcelo Rebelo de Sousa ka deklaruar qysh në fjalimin e Vitit të Ri se vendi i tij “ka kaluar në fazën endemike”. Ministri i Shëndetësisë i Francës, Oliver Veran, ka thënë se normat e larta të infeksionit në Francë dhe niveli i lartë i vaksinimit mund të nënkuptojnë se kjo do të jetë vala e fundit e pandemisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar, duke thënë se është shumë herët për të parashikuar se kur do të përfundojë pandemia.

“Omicroni mund të jetë më pak i ashpër, por të thuhet se është sëmundje e lehtë, është mashtrim. Një gjë e tillë e dëmton trajtimin e përgjithshëm dhe kushton më shumë jetë”, ka thënë drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Drejt endemisë?

Varianti Omicron i koronavirusit është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut, në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa. OBSH-ja e ka etiketuar si shqetësues dhe ka paralajmëruar se përhapet më shpejt. Kjo është konfirmuar edhe në terren.

Për shembull në Evropë, disa vende, përfshirë Gjermaninë, Francën, Çekinë, kanë raportuar javëve të fundit shifra rekorde të të infektuarve, të papara në ndonjë fazë tjetër të pandemisë. Por, në shumicën prej tyre, situata në spitale ka qenë më e qëndrueshme se gjatë valëve të mëparshme.

Norma mesatare e vaksinimit në rajonin e Bashkimit Evropian aktualisht është 69 për qind. Disa ekspertë të shëndetësisë besojnë se numri i lartë i të infektuarve, që krijojnë imunitet natyror, bashkë me numrin e të vaksinuarve do ta fusin pandeminë në një fazë të re, apo do ta shndërrojë atë në endemi.

Për më shume lexoni këtu: REL

Të fundit