E diel, 22 Maj, 2022

Rugova, si e njoha?

Shkruan: Seladin Xhezairi

 

E kam njohur si njeri të qetë që pinte shumë duhan…Një politikan që dinte të thotë e të bëj atë që duhej bërë në momentin e duhur…
Kam parasysh këtu fundin e viteve tetëdhjetë dhe fillimin e nëntëdhjetave.

Jemi takuar e njohur fillimisht në Beograd ku ndodhesha si korrespondent i Televizionit të atëhershëm të Prishtinës dhe gazetës ‘Rilindja’.

Pas një debati midis intelektualëve dhe shkrimtarëve serbë e shqiptarë, aty kah mesnata, në derën e apartamentit tim njëdhomësh, trokitën që të dy – ai dhe Veton Surroi. Vetoni, ç’është e vërteta, i kishte shpëtuar për pak një goditjeje të një aparati fotografik me të cilin i ishte sulur një serb gjatë debatit, ndërsa komenti i zotit Rugova ishte se pala shqiptare edhe njëherë kish dëshmuar epërsinë intelektuale ndaj kolegëve të tyre beogradas:

“Të kemi durim e të dëgjojmë më të fortin”- kështu përafërsisht më pati thënë gjatë një interviste në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, karshi stadiumit të Prishtinës, aty kah fillimi i nëntëdhjetës kur njeriu me shall ishte promovuar si njeri i paqes, udhëheqës i shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme, por edhe i Kosovës së pavarur…

I ndjeri Fehmi Agani që të shpeshtën mbante konferencat e përjavshme të shtypit, çdo të premteje në orën dhjetë, më kishte thënë një herë se në LDK, kryetari Rugova është shpesh herë në rolin e të parit të fisit që me mjeshtri ia del të vendos rend. Kjo po të merret parasysh se gjatë kohë – kjo forcë ishte më shumë lëvizje se një parti e mirëfilltë politike…

Zhvillimet e mëpastajme më duket se e konfirmuan plotësisht këtë: një vistër politikanësh që aderuan fillimisht në Lidhjen e Rugovës, janë tani nëpër pozita të larta në partitë e tjera kosovare.

Në jetë, thoshte Ibrahim Rugova, duhet pasur vullnet e durim – të mirat vijnë pastaj:

“Jeta është gjithmonë me detyra, me sfida. Unë fjalën sfidë fort s’e preferoj…”.

Ai edhe për disa qarqe politike e shkencore të taborrit tjetër, atij serb, ishte një politikan që për kohën dhe rrethanat e atëhershme kishte vizion.

Si meritë të ‘Gandit të Kosovës’, sikurse e pati cilësuar fillimisht shtypi përparimtar kroat, ata e përmendnin edhe atë që e quanin funksionim të shoqërisë civile në Kosovë apo sistem paralel.

Shtrëngimet e regjimit të Beogradit ishin të atilla aq sa problem ishte edhe sigurimi i një lokali – sikundër përsësiste shpesh kryetari Rugova.

“Në këtë situatë është problem edhe vendi. Ne kemi rreth treqind delegatë. Kemi dëshiruar të mbajmë një kuvend të hapur që të shtrohen disa çështje. Të rikonfirmohen qëndrimet tona edhe politike edhe të tjera. Prandaj, të shikojmë këto ditë të gjemë një vend, sepse sot të dalësh me treqind njerëz është problem. Edhe hapsirat e fundit që i kishim – Intistutin Albanologjik e të tjera – na u morën”.

Autoritetet jugosllave të viteve nëntëdhjetë i kishin shkëputur të gjitha lidhjet me shqiptarët e Kosovës – lidhja e Federatës të thuash ishte vetëm përmes forcës policore. Prandaj shkëputja ishte në një vijë me kursin e republikave të tjera – të Sllovenisë e Kroacisë që proklamuan pavarësinë. Doktor Rugova e ndoqi të njëjtin kurs, të njëjtën filozofi politike:

“Kosova e pavarur është realitet. Nga ana jonë tash presim edhe njohjen formale, pra njohjen zyrtare. Unë insistoj që kjo të ndodhë sa më shpejt, sepse do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.”

Lufta e 99-tës e gjeti në Prishtinë. Historia ka për hedhur më shumë dritë për rrethanat në të cilat u gjet, shkoi në Beograd dhe më pas në Itali…

Një takim i delegacionit kosovar, menjëherë pas Konferencës së Rambujesë, me ish-kongresistin amerikan Bob Dol, në Hotelin Aleksandër Pallas, ndërkaq më ka mbetur në kujtesë edhe sot e kësaj dite: falë profesor Aganit, u gjeta në sallën ku ishin vendosur udhëheqësit nga Prishtina. Nuk sosa punë, por mbresëlënëse ishte ajo që pash – në njërën anë, doktor Rugova, me të vetët, e në tjetrën krahu që mbështeste luftën.

Një atmosferë e rëndë e shoqëruar me disa shpoti të zëshme në adresë të të parit.

Më tepër se mbresë ishte një vizitë e tij dhjetë minutëshe në kampin e Stenkovecit, afër Shkupit, ku ishin strehuar rreth 100 mijë shqiptarë të dëbuar me forcë nga autoritetet ushtarako-policore serbe.

Vizita mbeti e shënuar nga dënesjet si në kor të njerëzve që shihnin prijësin e tyre.

Dhe, të mos e zgjas, Rugova ndanë fatin e të gjithë njerëzve publikë – për të cilët mund të flitet kështu dhe ashtu, por ai do të mbetet si prijës i fillimit të një lëvizjeje që shqiptarët të jenë zot i vetvetes në Kosovë dhe, gjithësesi, edhe kryetari i parë i saj…

 

*Teksti fillimisht është botuar në janar të vitit 2006 në radion BBC në gjuhën shqipe, ku në atë kohë punonte autori.

 

Të fundit