E diel, 22 Maj, 2022

VIDEO | XHEZAIRI PËR KTV: Për herë të parë 10 shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë

Për herë të parë Qeveria e Maqedonisë së Veriut në përbërjen e saj ka 10 shqiptarë, raporton Koha.net, përcjell KDP.

Në 21 pozitat e Qeverisë së udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, do të ketë 9 ministra shqiptarë nga partitë shqiptare dhe një shqiptar nga partia maqedonase LSDM.

Gazetari Seladin Xhezairi, në një prononcim për KTV, ka thënë se mbetet të shihet se si do ta arsyetojnë praninë e tyre ministrat shqiptarë në ekzekutiv.

Por fushëveprimi i tyre si edhe i gjithë qeverisë, sipas Xhezairit, do të varet edhe nga rrethanat që ka sjellë pandemia, kriza ekonomiko-sociale e kriza energjetike, të cilat sipas tij, do të thellohen.

“Jam i prirur të jem optimist, se nëse jo shumë të përmirësohet gjendja, do të mund të bëhen depërtime, dhe këtë e mbështes në pritjet e mija se të paktën do të ecet përpara projekti i shumëpërfolur i ‘Korridorit 8’ që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, do të mund të ketë depërtime në përmirësimin e infrastrukturës, sidomos në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut të banuar kryesisht me shqiptarë”, ka thënë Xhezairi.

E të gjitha arritjet ose dështimet sipas tij, do ta dinamizojnë skemën politike të Maqedonisë së Veriut.

Pjesë e qeverisë që është votuar të dielën para mesnatës janë partitë BDI, LSDM, Alternativa, PDSH dhe disa parti të tjera të vogla, si pjesë e koalicionit të LSDM-së.

Në përbërjen e Qeverisë janë vetëm 4 gra.

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, paraditen e së hënës ka marrë detyrën nga kryeministri i deritanishëm Zoran Zaev.

Kovaçevski para se të merrte mandatin, para deputetëve ka thënë se vendi asnjëherë nuk do të jetë i ndarë mes etnive dhe dallimeve të tjera, por do të jetë i të gjithëve.

Qeveria e tij synon fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke tejkaluar edhe kontestin me Bullgarinë.

Qeveria e re është votuar pas dy ditësh të plota debati mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Opozita ka kontestuar legjitimitetin e Qeverisë, duke thënë se e njëjta po zgjidhet në Kuvend dhe jo në zgjedhje.

Qeveria e re u votua meqë ish-kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqje nga detyra e kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale.

 

Të fundit