E diel, 22 Maj, 2022

RAMA: ERDOGANI I JEP KUPTIM ME VEPRA FJALËS “VËLLAZËRI”

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri shqiptar Edi Rama kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e ndarjes së çelësave të banesave në qytetin e Laçit, të rindërtuara nga qeveria e Turqisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, raporton ATSH, përcjell KDP.

Në ceremoninë e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç, ishin të pranishëm edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj.

“Nuk është e lehtë në diplomacinë e sotme që të gjesh njerëz që “Po”-në e kanë “Po” dhe “Jo”-në e kanë “Jo”, tha Rama duke falënderuar Erdogan.

“Këtu mund të shikohet kur presidenti Erdogan thotë që ‘Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë më dhemb edhe mua’. Mustafa Qemal Ataturku mbolli në shpirtin e Turqisë moderne frymën se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e atij trupi. Ai tha se nuk mundet kurrë të themi çfarë rëndësie ka për ne që një pjesë e këtij trupi është e sëmurë, për sa kohë që ne nuk jemi sëmurë. Nëse një pjesë e këtij trupi është e sëmurë ne duhet të shqetësohemi sikur të ishim ne të sëmurë. Këtë frymë Erdogan e ka rrënjosur thellë në shpirtin e Turqisë, në qasjen e Turqisë në mënyrën sesi Turqia e shikon botën dhe miqtë e saj”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kuptimi që ai i jep me vepra jo vetëm me fjalë fjalës ‘vëllazëri’ është mishërimi i asaj që thotë Profeti Muhamed: “Paqja e Zotit qoftë mbi të”,
asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllain e vet atë që dëshiron për veten e vet”.

Duke sjellë një tjetër episod gjatë kohës që sapo kishte filluar puna me ministrin e ngarkuar për Rindërtimin në Shqipëri, Muratin, Rama tha se “në Turqi ra një tërmet, të gjithë këtu u alarmuan se tani i ra tërmeti në shtëpinë e tij dhe presidenti Erdogan do harrojë rindërtimin këtu. Unë i thashë i bindur që kjo nuk do të ndodhë, jo vetëm sepse Turqia i ka mundësitë që njëkohësisht t’i bëjë të dyja, por edhe nëse nuk do të kishte mundësinë, Erdogan nuk do ta linte punën këtu për të shkuar për të bërë punën atje, sepse e përsëris, sepse kjo është shumë e rëndësishme për mua, Erdogan jo vetëm thotë atë që beson, por edhe e bën realitet atë që solla këtu pak më parë si një nga porositë e Profetit, nuk beson nëse nuk i dëshiron vëllait tënd të njëjtën gjë i dëshiron vetes tënde”.

Kryeministri Rama në fund të fjalimit falënderoi një nga punonjësit e kompanisë turke që rindërtoi shtëpitë në Laç, Servetin, duke theksuar se “Serveti është shëmbëlltyra e njeriut të punës që ka farkëtuar gjithë politika e Presidentit të Turqisë. Për më tepër Serveti e ka çuar vëllazërinë një hap më tutje, e ka tejkaluar edhe Presidentin, sepse djalin e ka martuar me një shqiptare”.

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Erdogan i dorëzuan çelësat e shtëpive të reja disa kryefamiljarëve, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Banorët që morën çelësat e banesave të reja falënderuan presidentin e Turqisë, Erdogan për ndërtimin e shtëpive të reja.

“Ju falënderojmë nga zemra, jetë të gjatë dhe sukses në jetën tuaj!”, tha një prej banorëve.

Të fundit